Çfarë pagese përfitoj nga legjislacioni italian?

Intervista - - PYETJE PERGJIGJE PER GJITECKA -

- Jam I. Lamani, emigrante në Bergamo të Italisë. Më datë 10 janar 2015, kam plotësuar moshën 65 vjeç. Banoj në Itali, që nga viti 1997, me dokumenta të rregullta. Në Shqipëri kam punuar gjithësej 7 vite, ndërsa në Itali nuk kam punuar. A përfitoj ndonjë pagesë nga legjislacioni italian? Po në Shqipëri, a mund të marr ndonjë përfitim social?

- E nderuar zonja Lamani, përsa kërkoni në letrën tuaj, sqaroj sa më poshtë: Në legjislacionin italian, jepet një pagesë sociale, si për shtetasit italianë, shtetasit e BE dhe ata me leje qendrimi në periudha afatgjata, të cilët nuk disponojnë të ardhura deri në minimumin jetik. Pagesa sociale që jepet nga legjislacioni italian është një përfitim me karakter asistencial, e cila është e pavarur nga të gjitha derdhjet e kontributeve dhe u jepet qytetarëve që janë në kushte ekonomike të pafavorshme dhe kanë një situatë të ardhurash të veçantë të parashikuar nga ligji. Verifikimi i kërkesave për të përfituar pagesën sociale bëhet çdo vit. Kjo pagesë jepet gjithmonë me karakter të përkohshëm, duke u bazuar mbi të ardhurat e deklaruara. Pagesa sociale nuk është subjekt i tatimit në burim të të ardhurave, nuk është i trashëgueshëm për familjet e të mbijetuarve dhe është e paeksportueshme. Pra, në këtë kuptim, ajo do të jepet për personin që ka aplikuar dhe plotëson kushtet për një pagesë të tillë, përderisa është në kushtet e plotësimit të kritereve ligjore. Kanë të drejtë për pagesën sociale qytetarët italianë, shtetasit e BE-së, të huajt që kanë një lejeqëndrimi me banim ne periudhë afatgjatë, që:

- kanë mbushur moshën 65 vjeç (duke filluar nga 1.1.2015, mosha për të përfituar këtë pagesë është 65 vite e 3 muaj);

- janë rezidentë të rregullt në Itali;

- nuk kanë të ardhura, ose kanë të ardhura nën limitet e përcaktuara me ligj. Nga 1 janar 2009, për të pasur të drejtën për pagesë sociale, si një kërkesë shtesë, aplikuesi duhet të ketë banuar ligjërisht dhe vazhdimisht për të paktën 10 vjet në Itali. Kërkesa mund të paraqitet ekskluzivisht në rrugë elektronike përmes kanaleve të mëposhtme:

- Web - duke e bërë përdorimin e shërbimeve telematike drejtpërdrejt të arritshme nga qyteti nëpërmjet PIN, përmes portalit të Institutit, www.inps.it;

- Telefon - duke telefonuar në qendrën e kontaktit të integruar me numrin 803.164 falas nga një numër fiks, apo celular 06.164.164 sipas tarifave nga ofruesi i shërbimit;

- patronateve dhe të gjithe ndërmjetësit e Institutit

- duke përfituar nga shërbimet online të ofruara nga ata. Shumë aktiv për këtë problem është Patronati INAS CISL. Pagesa sociale fillon nga dita e parë e muajit të ardhshëm pas dorëzimit të aplikimit dhe me plotësimin e të gjitha kërkesave ligjore (mosha, shtetesia, rezidenca efektive dhe qëndrimi i rregullt në Itali, plotesimi i kërkesave për të ardhurat). Siç deklaron INPS, në një qarkore të ditëve të para të janarit, këtë vit, çeku social është 5.830,76 euro apo 448,52 euro për 13 këste. Kjo masë pagese ndryshon çdo vit, duke u indeksuar me përqindjen e inflacionit që shpallet nga ISTAT. Në këto kushte, e nderuar letërshkruese, duhet të aplikoni për pagesë sociale, kur të plotësoni moshën 65 vite e 3 muaj. Përsa i përket pyetjes për përfitime në Shqipëri, sqarojmë se nuk përfitoni nga legjislacioni shqiptar i sigurimeve shoqërore, mbasi nuk keni plotësuar të paktën 15 vite kontributive, për t’u përfshirë në kushtet e pensionit të pjesshëm. Po kështu, nuk përfitoni pension social, mbasi nuk jeni rezidente në Shqipëri. Kushti për të përfituar pension social, është që të paktën 5 vitet e fundit të kesh qenë rezident në Shqipëri, kusht të cilin nuk e plotësoni.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.