A ka mjekime popullore për tiroiden?

Intervista - - PYETJE PERGJIGJE PER GJITECKA -

- Doktor Dashamiri, ju përshëndes. Unë kam tiroiden e sëmurë dhe marr letrox e corvitol 2.5, prej një viti tashmë. Dua të di se sa duhet të zgjasë ky mjekim dhe nëse ka mjekime popullore për ta kuruar sëmundjen time, sepse këto ilaçe më duken të rrezikshme. Jam 28 vjeçe.

Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: - E nderuar zonjë 28 vjeçare, më vjen keq që duhet ta nis sërish me disa vërejtje përgjigjen time. Së pari, ju nuk më keni dhënë asnjë element se çfarë lloj sëmundjeje të tiroides keni. E them këtë gjë sepse në kushte të zakonshme, kur përgatisim përgjigjet për të interesuarit, gjykimi referohet gjithmonë mbi fakte apo a priori. Paraprakisht, të sëmurët na japin disa ankesa, disa analiza apo ekzaminime të tjera, disa lloj barnash që marrin dhe në bazë të këtyre fakteve, ne u vijmë në ndihmë me një këshillim virtual që veç efektit sqarues për një letërshkrues, ka edhe efekt edukativ dhe informativ për një popullatë të gjerë. Në mungesë të fakteve te rasti juaj, më keni dhënë vetëm dy lloj mjekimesh dhe te mjekimi i dy dozave që keni përshkruar, nuk përcaktohet emri i barit. Unë e kam të vështirë, edhe pse në këtë rast mund të tentoja “a posteriori”, pra, si ta them, duke e nisur nga pas fakteve, të gjeja një përgjigje sa më konkrete për ju. Megjithatë, duke iu larguar rastit tuaj konkret, unë për të plotësuar dëshirën jo vetëm tuajën, por të të gjithë lexuesve, po sjell në vëmendjen tuaj një pjesë të konkluzioneve apo rezultateve të mëparshme rreth këtyre barnave. Për shembull, thoni që po mjekoheni me Letrox dhe ky lloj bari i quajtur ndryshe Levothiroxine, nuk është gjë tjetër veçse forma medikamentoze e hormoneve të tiroides. Ky lloj bari jepet në shumë sëmundje të tiroides, te njerëzit që vuajnë mungesën e jodit, te të sëmurët që kanë zmadhim të gjendrrës tiroide, por me funk- sion normal apo të ulur të saj. Jepet gjithashtu në të gjithë të sëmurët që e kanë të dëmtuar gjendrrën tiroide dhe ajo nuk prodhon sasinë e duhur të hormoneve.

- Nuk po ndalem te shkaqet se çfarë e sjell dëmtimin e gjendrrës së tiroides dhe më pas e dërgon atë në bjerrje të funksionit apo humbje totale të saj, por duke mbështetur arsyetimin tjetër mbi barin, unë them që ky bar ka efekt çudibërës te njerëzit që nuk kanë nivele normale të hormoneve të tiroides në organizëm. Ky bar kaq magjik, atje ku ka përdorim, mund të kthehet edhe në një agjent dëmtues të organizmit kur ai jepet pa shkak, pa kriter dhe sidomos, kur teprohet me dhënien e tij. Sëmundjet e gjendrrës tiroide janë të shumta dhe shpeshherë janë kronike, paraqesin vështirësi në mjekim sepse dozat e barnave nuk mund të jenë gjithmonë të njëjta, por ato ndryshojnë në varësi të gjendjes dhe nevojave të të sëmurit. Sërish, sugjeroj se këto janë kompetenca vetëm të specialistit endokrinolog, në mënyrë që mos të bëhen vetëmjekime apo skema të gabuara barnash e siç thotë populli: “të nisemi për të vënë vetulla e të nxjerrim sytë”. Duke u rikthyer vetëm fare pak edhe një herë te pyetja juaj, marrja e këtyre dy barnave më duket jo shumë me vend, sidomos nëse jepet vetëm për një sëmundje të caktuar të tiroides. Zakonisht, këto barna kanë efekte të kundërta në shumë drejtime, sidomos mbi ritmin e zemrës, herë rritin frekuencën e herë edhe e ulin atë. Pak e vështirë për mua, duke qenë se ka mungesë të fakteve të tjera. Të shkuara!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.