Rezarta Smaja:

Bashke mund te benim gjera te bukura

Intervista - - FAQE 1 -

Fabjola Kuburi: - Përshëndetje Rezarta! Si ndihesh tani, pasi ke marrë pjesë te Kënga Magjike dhe festivali i RTSH-së, gjithashtu?

Rezarta Smaja: - Ishte kënaqësi të performoja në skenën e Këngës Magjike 2015, një magji e vërtetë! Kishte kohë që doja të isha pjesë e këtij festivali gjigand, por doja të godisja që në pjesëmarrjen e parë, kërkoja një këngë të bukur dhe ia besova këtë kompozitorit dhe tekstshkruesit Sokol Marsi. Besimi ishte maksimal nga ana ime, pasi nga bashkëpunimi që patëm para një viti në Festivalin e Këngës në RTSH, kuptuam që bashkë mund të bënim gjëra vërtet të bukura. E njëjta ndjesi ishte edhe për festivalin e fundvitit në RTSH, ku u ndjeva si në shtëpinë time.

- Kush të frymëzon në çdo moment dhe i meriton falënderimet për sukseset e tua?

- Familja ime më ndihmon shumë, më jep qetësinë dhe mbështetjen që më duhet për të qenë sa më produktive, por njeriu që më frymëzon dhe më ndihmon më shumë në përzgjedhjet e materialeve të duhura është bashkëshorti im. Duke qenë veç të tjerash një muzikant, kitarist i shkëlqyer, që më njeh shumë mirë vokalisht, këshillat e tij më vlejnë gjithmonë për mirë.

- Ti ke një karrierë të muzikore live relativisht të gjatë dhe kjo bën që edhe axhenda jote të jetë e zënë. Si i përzgjedh aktivitetet ku të ftojnë për të kënduar?

- Zakonisht, kriter bazë është të performoj live, nuk përshtatem aspak me të kënduarit playback. Pastaj, sigurisht, përzgjedh vendet ku punoj dhe instrumentistët që më shoqërojnë. Kur kthej kokën mbrapa, shoh që karriera ime ka ardhur në rritje dhe sot punoj me muzikantë që kanë bërë histori në muzikën shqiptare. Jam e kënaqur që kam qenë e kujdesshme në hapat e mi. Është viti i dytë që punoj me Elton Dedën, Erjon Zaloshnjën dhe Eneda Tarifën në klabin e tyre “Rock Stock” dhe këtë vit u rikthye atje edhe Marsela Çibukaj, shoqëruar nga një bandë gjithmonë energjike, përpara një publiku fantastik të përzgjedhur. Atje këndojmë hitet më të bukura të muzikës botërore PopRock, blues soul, funky, country dhe këngët më të bukura shqiptare ndër vite. Është një kënaqësi që pa frikë them se nuk e kam marrë në asnjë vend tjetër.

- Ku të gjeti mbrëmja e ndërrimit të viteve?

- Mbrëmjen e ndërrimit të viteve ka kohë që e kaloj me njerëzit që kanë dëshirë të dëgjojnë zërin tim. Këtë vit ishte më i bukur, kemi bërë muzikë pa fund, kemi qëndruar në skenën e RockStock deri në orën 7 të mëngjesit, të rrethuar nga njerëz të bukur, miq të përhershëm dhe të rinj të RockStock-ut të cilët dukej sikur nuk donin që ajo natë të mbaronte. Ata këndonin bashkë me ne, kërcenin, shijonin në maksimum dhe ne jemi ndjerë aq mirë sa nuk donim ta mbyllnim, edhe pse kishte ardhur mëngjesi. Mbrëmja u mbyll nën tingujt e zërit unik të Aleksandër Gjokës i cili u ngjit në skenë në orët e para të mëngjesit dhe performoi këngët e tij. Të gjithë u afruan te skena dhe këndonin bashkë me të... Ishte një natë e mrekullueshme, për t’u mbajtur mend.

- Sa e lehtë apo e vështirë është të menaxhohet performanca vokale dhe publiku përballë?

- Nuk është aspak e vështirë, nëse gjithçka të vjen natyrale dhe me thjeshtësi. Mua më pëlqen të përfshij dhe t’i vlerësoj të gjithë njësoj, si ata në rreshtin e parë, ashtu edhe ata në fund fare dhe kur ata të përgjigjen, kënaqësia është e madhe.

- Të kanë ndodhur situata të sikletshme në punë, si për shembull, lokali ka qenë plot në pritje për të kënduar ti dhe ti ke munguar?

- Situata vonesash mund të ndodhin, por kjo nuk më pëlqen dhe dua të jem e përpiktë, ndërsa të mungoj, nuk ka ndodhur kurrë. Ata të vlerësojnë me praninë e tyre dhe ti s’mund t’i zhvlerësosh asnjëherë në këtë mënyrë.

- Të është dashur të dalësh ndonjëherë pa grim në skenë?

- Pa grim, asnjëherë, por me një grim fare të lehtë, po. Më pëlqen që në çdo rast të jem e përgatitur mirë si në veshje, ashtu edhe me grimin dhe flokët, në përshtatshmëri me performancën.

- Po me fansat, si i ke marrëdhëniet?

- Në fakt, duke qenë natyrë e thjeshtë, nuk më pëlqen ta mbivlerësoj veten dhe habitem kur më shkruajnë e më komplimentojnë me superlativa, më takojnë në rrugë e duan të bëjnë foto me mua, më kërkojnë autografe. Është bukur të takosh çdo ditë njerëz të panjohur, por që të njohin dhe të vlerësojnë. Unë i falënderoj të gjithë pasi çdo ditë më japin energji të mira e pozitivitet dhe kjo ndikon vërtet për mirë në punën time.

- Rezarta, ç’ndjesi të ng-

jall muzika klasike? Si tingëllon për veshët e tu dhe a e dëgjon shpesh?

- Te muzika klasike filloi gjithçka... Unë kam studiuar për Kanto si Mezzo Soprano në Shkollën e Muzikës “Preng Jakova” në Shkodër. Qëkur isha fëmijë, shtangesha para televizorit sa herë transmetohej muzikë klasike. Isha e dashuruar me operan, por asnjëherë nuk mendoja se mund të arrija të provoja të njëjtën ndjesi dhe se do të isha e aftë të këndoja opera, deri në momentet kur profesoresha ime e kantos, Rita Dervishi, më

bëri vokalicat e para në provat e konkursit të pranimit. Unë vërtet jam e dashuruar me muzikën rock dhe më është bërë si një ushqim i shpirtit pa të cilin nuk jetoj dot, por lidhja me muzikën klasike është diçka që nuk dua ta humbas kurrë, më jep qetësi dhe relaks.

- Cila është muzika së cilës nuk i reziston dot?

- Maksimumi është Simphonic povver metal-grupi im i preferuar janë finlandezët Nightvvish. Me ta, e gjej veten mbi krevat duke kënduar si e çmendur. (Qesh) Sigurisht, jam pak fanatike, preferoj të dëgjoj koncertet kur ata ishin në majat e suksesit me vokalisten e papërsëritshme Tarja Turunen.

- Çfarë konsideron ngjarjen më me vlerë të vitit 2014?

- Pjesëmarrja në festival me kompozim muzikor të Klodian Qafokut i cili la përshtypjet më të mira jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, me tekst të shkruar nga Dr Flori, teksti i fundit e tij, i cili u prit me vëmendje nga të gjithë, me titull “Më rrëmbe”. Më ka emocionuar goxha. Në tekst ai tregonte se sa i lidhur ishte me Zotin dhe me sa duket, ishte e shkruar që ai ta rrëmbente shpejt në krahët e tij. Nuk ishte e lehtë të përballoja emocionet në skenë, por ndjehem me fat që e takova përpara se të largohej dhe që këndova një tekst me një mesazh shumë të rëndësishëm të Dr. Florit. Do të doja të kisha mundësi ta falënderoja për gjithçka... Në ato pak momente gjatë punës, kuptova që ishte një njeri i mrekullueshëm, me një pasion të madh për

muzikën, shumë dashuri për njerëzit dhe besim të fortë te Zoti. Dr Flori ishte një artist dhe një njeri i pazëvendësueshëm për të gjithë ne.

- Rezarta, sa kohë të ka marrë vendimi më i vështirë në jetën tënde?

- Më i rëndësishmi, ai që vërtet më ka munduar më shumë, një vit e gjysëm afërsisht, të tjerat zgjasin jo më shumë se 2-3 ditë. Gjithsesi, mendoj se njeriu, thellë-thellë e di gjithmonë çfarë duhet të bëjë dhe nuk i duhet shumë të mendohet.

- Më thuaj cila ka qenë dhurata më me vlerë që ke marrë së fundmi?

- Nuk pranoj kurrë dhurata materiale të shtrenjta. Njerëzit e mi më të afërt e dinë që nuk më pëlqen të shpenzohet pa kriter për mua dhe që më nervozon kjo gjë. Dhurata më e shtrenjtë për mua është prania e njerëzve më të dashur në momentet më të rëndësishme në jetën time.

- Je më tepër tradicionale apo moderne?

- Të dyja bashkë... Jam rritur në një familje shkodrane me taban, që ruan traditat e bukura shqiptare, por gjithmonë kam qenë rebele kundrejt mentaliteteve të gabuara...

- Veprimi më i gëzueshëm gjatë ditës?

- Koha që kaloj me dy nipat e mi, Albi dhe Gersi. Më merr shumë malli për ta, pasi gjej shumë pak kohë për t’i takuar, sidomos kohët e fundit, që kam qenë më shumë në Tiranë sesa në Shkodër.

- Si janë fundjavat e tua dhe si do të ishte fundjava e preferuar?

- Fundjava ime, ka vite që do të thotë punë, por puna jonë është e bukur sepse jemi gjithmonë në party, ndërsa fundjava ideale dhe ndryshe nga e zakonshmja për mua, do të ishte relaks pranë rërës së bardhë në Bora-Bora, në një nga shtëpitë prej druri, me ujin kristal përpara. Këtë po planifikoj për një të ardhme të afërt; një ditë do vendos një herë e mirë të lë çdo punë për pak relaks.

- Të pëlqen më shumë të bësh apo të të bëjnë komplimente?

- Të të bëjnë komplimente është bukur, por është më bukur të jesh me këmbë në tokë... Më pëlqen më shumë të bëj komplimente.

- Për çfarë do t’i hyje kirurgjisë plastike?

- Kjo më duket shumë e sikletshme... Nuk jam tip që për hir të bukurisë, pranoj prerje me thikë në trupin tim. Nuk dua ta mendoj fare këtë dhe për aq kohë sa njerëzit të duan të dëgjojnë zërin tim dhe më duan kështu siç jam, jam në rregull. Nuk jam kundër dhe nuk kritikoj atë që dëshiron të bëjë ndërhyrje, por jam kundër ekzagjerimeve.

- Udhëtimi më interesant,

nga i cili ruan përshtypje të veçanta...

- Udhëtimi më interesant, që nuk do ta harroj asnjëherë ishte para pak vitesh, një udhëtim i paharrueshëm mes miqsh, figurash të shquara intekektuale të të gjithë vendit, profesorë, pedagogë, doktorë, ministra të asaj kohe, të gjithë të mbledhur nga Ambasada e Paqes Botërore në një udhëtim 3 ditor në Petrovac. Gjithçka ishte organizuar bukur, me udhëtime të shkurtra turistike, lojëra të ndryshme në grup, gara sportive kulturore, muzikore e të tjera. Kemi qeshur pa fund duke dalë nga kufijtë e moshës, niveleve intelektuale dhe profesionale. Në fund, të gjithë u diplomuam si “Ambasadorë të Paqes Botërore” dhe ky ishte një emocion i veçantë.

- Cila është gjëja më me vlerë që ke bërë së fundmi dhe për të cilën ndihesh krenare?

- Gjërat që bën për të tjerët, nuk përmenden. Nëse i bën me zemër, duhet të qëndrojnë po aty, në zemër.

- Po ajo që do të hezitoje ta tregoje publikisht?

- Hezitoj të përgjigjem... (Buzëqesh)

- Me të tjerët je shpesh e fituar, shpërthyese, shumë e mirë?

- Gjithmonë e fituar, ndoshta. Shpërthyese, është arma ime më e fortë. Shumë e mirë? Të jesh gjithmonë e tillë do të ishte e pamend, megjithatë është një shprehje që më vjen shpesh ndërmend: “Mirësia është diçka që edhe një i verbër mund ta shohë dhe një i shurdhër mund ta dëgjojë” dhe mund të zbusë edhe njeriun më të ashpër. Mirësia është një virtyt i fuqishëm që njerëzit nuk duhet ta humbasin kurrë.

- Po të kishe një kopje tënden, për çfarë do ta “shfrytëzoje”?

- Oh, sa herë kam dashur të kisha një të tillë, që të më zëvendësonte në punë! (Qesh) Sidomos kur nga impenjimet e mia, jam e detyruar të mungoj edhe në eventet më të rëndësishme të njerëzve të mi më të afërt, por prapë, kur e mendoj, nuk besoj që do të më hynte në punë. Dua t’i përjetoj vetë gjërat, në asnjë mënyrë nuk do t’i dhuroja askujt momente të jetës, qofshin ato të rëndësishme apo të thjeshta. As kopjes sime! Vetëm për diçka do ta shfrytëzoja (qesh), të më gatuante, meqë nuk e bëj dot çdo ditë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.