Edmond Muho:

Jam i kenaqur nga publiku im

Intervista - - FAQE 1 -

Edmond Muho është një emër jo pak i dëgjuar për ata që frekuentojnë jetën e natës dhe që pëlqejnë muzikën tradicionale shqiptare, sidomos atë të Jugut. Edmondi është i pranishëm edhe në gëzimet familjare të publikut të tij, që nuk harron ta falënderojë dhe duartrokitjet e të cilit i vlerëson shumë. Së fundi, ai ka lançuar tre klipe shumë të bukura “U verbua dashuria”, “Shpirtin kam te ti” dhe “Lulja ime”, klipe këto që ndiqen jo me pak interes nga publiku i gjerë...

Fabjola Kuburi: - Përshëndetje! Çfarë duhet të dijë publiku për Edmond Muhon?

Edmond Muho: - Edmondi ka 25 vjet që merret me muzikë. Jam i martuar e me dy fëmijë që i kam dritën e syve të mi. Gjithë jeta ime i është përkushtuar familjes dhe muzikës.

- Çfarë e bën të veçantë prezantimin tënd në tregun muzikor, mes kësaj morie këngëtarësh?

- Origjinaliteti dhe thjeshtësia.

- Klipi yt i fundit “U verbua dashuria” pati goxha sukses. Pse mendon se publiku e ka pëlqyer këtë këngë dhe klip?

- Të them të vërtetën, suksesi i kësaj kënge dhe klipi pritej, sepse është një këngë shumë rinore. Bashkëpunimi me këngëtaren Luziana Tahiri, kolege imja shumë e mirë dhe mikeshë në të njëjtën kohë, ka rezultuar goxha i suksesshëm.

- Me Luzianën ti ke edhe një tjetër bashkëpunim, në këngën “Shpirtin kam te ti”.

Çfarë keni të përbashkët ju të dy?

- Zërat u përputhën, u koordinuan në një bashkëpunim dhe, kur u pa suksesi, u ripërsërit në një bashkëpunim tjetër, i cili rezultoi i suksesshëm, gjithashtu.

- Në përgjithësi, këngët e tua janë të këtij tipi apo të pëlqen të alternosh rryma?

- Edhe pse tabani i këngëve të mia është muzika çame, ajo e Jugut, unë njihem si këngëtar i trevave çame. Alternimi i rrymave është bërë trend dhe i pëlqyeshëm në ditët e sotme. Me kalimin e kohës, bëhet edhe përshtatja muzikore.

- Si u gjende në botën e muzikës?

- Unë jam marrë me muzikë që në shkollë fillore dhe që atëhere, nuk kam ndaluar asnjëherë.

- Nuk të tremb konkurrenca?

- Asnjëherë nuk më ka trembur konkurrenca, sepse secili ka mënyrën e tij të të kënduar- it, unë kam origjinalitetin, mënyrën time dhe s’kam as pse të krahasohem me njeri e as të ndjej konkurrencë nga dikush.

- A është dashuria një inspirim më shumë për krijimtarinë tënde?

- Dashuria është frymëzim për çdo këngëtar. Mua më ka

frymëzuar për të realizuar këngë të tilla si “Lulja ime”, “U verbua dashuria” dhe shumë këngë të tjera të cilat zanafillë kanë elementin dashuri.

- Interpretimi playback nuk pëlqehet nga zërat që dinë të këndojnë, ndërsa ai është shfaqur në skenën e festiva

leve...

- Unë kam një jetë të tërë që këndoj live dhe nuk do të ndihesha mirë nëse do të këndoja me playback. Gjej veten te muzika live dhe kështu do jetë gjithmonë sepse përpara publikut ndihesh i vlerësuar, kur merr duartrokitjet dhe urimet e tyre.

- Rruga e suksesshme në muzikë, sigurisht, ecën mes vështirësish. Ku ndihet më i xhelozuar Edmondi, mes meshkujve apo mes femrash?

- Askund nuk jam ndjerë i xhelozuar. Nuk mund të flas për ndjesitë e të tjerëve, por unë jam ky që jam dhe jap maksimumin tim në atë që di të bëj më mirë, të këndoj.

- Cili është njeriu më i

afërt për ty?

- Falënderoj nënën time që më lindi dhe familjen që kam. Ata janë njerëzit e mi më të afërt, me të cilët flas për gjithçka dhe që më dhurojnë dashuri pa kufi.

- Ç’duhet të bëjë një këngëtar që të quhet i realizuar?

- Të punojë shumë, të përkushtohet dhe të dojë atë që bën.

- Të ka ndodhur ndonjë mosmarrëveshjes me publikun e klubeve?

- Jam shumë i kënaqur nga publiku im. Jam ndjerë i përkëdhelur prej tyre, sepse më kanë mirëpritur dhe më kanë vlerësuar. Nuk mbaj mend të kem patur situata të sikletshme. Jam ndjerë kudo si në shtëpinë time.

- Ç’karakter ka Edmondi?

- Jam njeri me karakter të butë, i sjellshëm dhe shumë i

dashur me njerëzit që më rrethojnë.

- Sa herë je penduar për veprimet e tua dhe cila është gjëja për të cilën do të doje ta ktheje kohën pas?

- Nuk jam njeri që pendohem. Kur marr një vendim, e bëj me përgjegjësi dhe sepse dua ta bëj, kështu që më mbrapa, nuk kam pse pendohem.

- E beson shprehjen: “Koha i shëron të gjitha plagët”?

- Jo, nuk kam besuar asnjëherë te kjo shprehje. Koha mund t’i zbusë pak plagët, por jo t’i shërojë plotësisht.

- Cila është motoja që të shoqëron gjithmonë?

- Qëndro optimist dhe gjithçka do të shkojë mirë.

- Cilat janë planet e tua për të ardhmen, përsa i përket muzikës?

- Jam në përfundim të një kënge ritmike dhe një klipi të ri, që shpresoj të pëlqehet nga publiku.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.