Julian Mustafa: Mirësiaenjë gjesti të tillë

Intervista - - MUZIKE -

Julian Mustafa është këngëtari nga Korça i cili u njoh me muzikën që i vogël dhe nuk iu largua për asnjë moment asaj. Ai ka shumë vite që këndon livë në lokalet më me emër shqiptare e jo vetëm dhe është shumë i kërkuar nga publiku. Nuk ka shumë kohë që ai lançoi klipin “Ajo s’kthehet”, një baladë me tekst të Rozana Radit, këngë e cila u kthye në baladën e të dashuruarve, ndërsa këto ditë, sjell për publikun klipin “Luje”, një këngë paksa ndryshe, më ritmike dhe më e nxehtë. Pjesëmarrja e tij në festivale të ndryshme të muzikës shqiptare, është një provë që ai vazhdon të ketë të njëjtin pasion dhe dëshirë për të kënduar duke sjellë për publikun këngë mjaft të bukura. I dashuruar pas serenatave dhe këngëve të dashurisë, ai mbetet një këngëtar që gjithë jetën e tij ia ka kushtuar artit!

Fabjola Kuburi: - Juli, do të ishte interesante ta nisnim këtë intervistë me një rikthim në kohë dhe të na tregosh pak si nisi rruga jote në muzikë...

Julian Mustafa: - Gjëja e parë që më vjen ndërmend është ai djali i vogël që bëri shkollën tetëvjeçare për muzikë. Një djalë i vogël 12 vjeç, që nisej nga fshati për të shkuar në Korçë, ku merrte mësimet e para në muzikë. I pari që ma zbuloi talentin ishte im atë. Ai madje më dha dorë që të mësoja shumë e më shumë. Pas mbarimit të tetëvjeçares, filluan njëri pas tjetrit kurset e muzikës, iu përkushtova shkollës së muzikës dhe vazhdova rrugën që kisha nisur. Në vit të dytë të Liceut Artistik në Korçë, në vitin 1994, u shkëputa sepse emigrova në Greqi, jo se nuk doja të vazhdoja shkollën, por sepse doja të shihja botë me sy, të shihja si ishte arti përtej kufijve tanë. Isha 16 vjeç atëhere dhe ika pa e marrë pëlqimin e prindërve, por kisha guximin që më shoqëronte kudo.

- Sa vjet jetove në Greqi?

- Vitet 1994-2000 i kalova në Athinë, edhe pse me shkëputje. Kam bërë vajtjeardhje gjatë kësaj kohe dhe punova me miq të mirë shqiptarë e grekë që luanin muzikë. Ishte një grup rroku... Një dashuri të veçantë kisha për serenatat e tyre, që ngjajnë shumë me serenatat tona. U ktheva në Shqipëri në vitin 2000, për t’u kthyer sërish te dashuria ime, muzika. U rigjeta me disa shokë që i kam pasur në shkollë dhe filluam të punonim nëpër lokale, nëpër gëzime familjare dhe për një periudhë prej dy vjetësh, në një klub në Korçë, te “Flawor night”, ku patëm goxha sukses.

Rreth vitit 2005, njëri nga miqtë me të cilin punoja, erdhi këtu në Tiranë, ku filloi punë në një lokal dhe më tërhoqi edhe mua këndej. I duhej një këngëtar i zhanrit tim, kështu që fill- ova te “Pentagrami”, ndërkohë që për gjashtë muaj me radhë, javë për javë bëja rrugën Korçë- Tiranë. Pastaj u transferova në Tiranë me familjen dhe u vendosa tek “Alfa Club”, një lokal që e kishin patriotët e mi nga Korça. Punova aty për 4 vjet...

- Po të kishe mundësi zgjedhjeje Julian, do të zgjidhje Korçën apo Tiranën?

- Korçën e dua se kam kaluar fëmijërinë dhe kam kujtime të bukura, por Tiranën e dua se më ka krijuar mundësi më të mira për t’iu përkushtuar artit.

- Çfarë nuk do ta harrosh asnjëherë nga jeta jote atje?

Kam nostalgji dhe e ndjej ende mirësinë e një gjesti; sakrificën e tim eti që më çonte me biçikletë në Korçë, kur fillova kurset e muzikës.

-

E mbaj ende në zemër sakrificën e tij; një prind që ndihmon fëmijën që të arrijë të realizojë ëndrrën e tij.

- A e gjete mikpritjen e duhur këtu, pas aq vitesh larg Shqipërisë?

Korça është mikpritëse, korçarët janë njerëz me shpirt dhe me botë. Mua nuk më njihte askush, sepse kisha vite që isha larguar. Kur u ktheva, isha një djalë që kisha fituar eksperiencë në muzikë dhe kisha krijuar një imazh timin dhe më pritën mirë.

- Sapo ke sjellë në treg këngën “Luje”. Ç’mund të na thuash për të?

Ky është një bashkëpunim i Gramoz Kozelit dhe De Vox-it, me tekst të Rozana Radit. Është një këngë që vjen pas baladës sime “Ajo s’kthehet”, me tekst të Rozanës, nga e cila nuk heq dorë sepse ka shpirt, me orkestrim të Barabar Records, Elvis Caushi, Shkëlqim Dule dhe Mario Deda, të “Lozonjares” e cila ishte te “Kënga ime” në TV Klan, “Me hënën duku”, një këngë folk e gërshetuar me funky. Kam pasur edhe shumë këngë të tjera, pjesëmarrje në Maratonën e Muzikës Popullore. Materiale kam plot, por kohë kam shumë pak. Ti ke ardhur te klubi ku punoj unë dhe ke parë që kemi punë çdo natë, deri në orët e para të mëngjesit...

- Në ç’gjendje të futin baladat kur i interpreton?

Kënga “Luje” është ka ritëm ballkanik dhe paksa ekstravagancë,

-

-

-

ndërsa kjo këngë “Ajo s’kthehet” është rryma dhe bota ime... Unë jam te trishtimi, te melankolia, te dhënia e shpirtit në këngë...

- Çfarë pretendimesh ke për këtë këngë, edhe pse nga klikimet duket që po ecën me hapa të vrullshëm?

Nga kjo këngë dhe nga çdo këngë tjetër dua që të pëlqehet nga publiku. Që kur ai ta dëgjojë, ta kuptojë sepse unë e bëj për përfitim shpirtëror, nuk pres fitime nga klikimet.

- Sipas teje, cila është rruga më e sigurtë drejt suksesit?

Duhet të jesh i aftë vokalisht, të kesh një menaxhim të mirë, sepse dihet si funksionojnë gjërat në Shqipëri. Menaxhimi i mirë të jep një dorë të madhe në sukses.

- E konsideron muzikën të gjithë jetën tënde?

- Muzika është dashuri, e kam dashur, e kam përjetuar, e përjetoj dhe e dua. Shiko pak gishtat e

dorës,

-

-

ma hiq një! Është njësoj si të më heqësh një pjesë të shpirtit. (Buzëqesh)

- Mendon se ky është momenti i Julit?

- Gjithmonë është momenti! Unë kam pasur shumë momente që jam ndjerë shumë mirë. Kam qenë gjithnjë aktiv në muzikë, edhe pse ndonjëherë nuk kam publikuar këngë dhe klipe. E kam marrë gjithnjë seriozisht angazhimin me muzikën sepse dua që të eci. Kam përfitime monetare dhe artistike, por mbi të gjitha, janë shpirtërore.

- Kush mendon se e dëgjon muzikën tënde?

- Të gjithë ata që dinë ta duan muzikën.

- Ty vetë, çfarë të frymëzon?

- I përshtatem gjendjes shpirtërore të publikut tim, e kuptoj dhe e ndjej atë që ai do. Me shpirt, ia servir.

- Do të të shohim me bashkëpunime në të ardhmen apo do të vazhdosh solo?

- Aktualisht, po merrem me një bashkëpunim; një projekt që del në verë, me ritme verore, një këngë-limonatë e bukur. Bashkëpunëtorja është vajzë dhe kënga është pa diskutim me tekst të Rozit. Kaq mund të them tani. Do të ketë bashkëpunime në të ardhmen, madje shumë të bukura.

- Cilat janë për ty fjalët më të vështira për t’u thënë?

- Nuk di dhe nuk dua të them jo. Nuk refuzoj se nuk dua t’i bëj të tjerët të ndihen keq.

- A të është dashur të sakrifikosh për diçka në karrierën tënde?

- Çdo artist, për të arritur nivel në karrierën e tij, bën shumë sakrifica. Edhe unë kam sakrifikuar, por rëndësi ka që po eci.

- Çfarë ta sjell në mendje fëmijërinë?

- Pres të bëj një udhëtim dhe atje ku do të shkoj, do të takoj miq të vjetër... Ajo që më kthen në fëmijëri, janë lojërat e atëhershme me djemtë. Fatmirësisht, do t’i takoj përsëri, por shumë larg Shqipërisë, në Australi.

- Kujt ke patur dëshirë t’i ngjash kur ishe i vogël?

- Kur ishim të vegjël, kishim shumë dëshira, por spikaste dashuria dhe dëshira e madhe që kisha për muzikën. Muzika e gjeti rrugën e vet.

- Sipas teje, çfarë ka më shumë rëndësi në jetë?

- Të jesh gjithmonë pranë njerëzve që të duan dhe i do, miqve, familjarëve, atyre me të cilët ndihesh më mirë, pa harruar artin.

- Cila është kënga që ti e dashuron me shpirt?

- Do t’i kthehem këngës “Ajo s’kthehet”, një këngë në të cilën kam dhënë shpirtin tim dhe që ka dalë shumë e bukur. Më pëlqen edhe një këngë e miqve të mi, vëllezërve korçarë, Endri dhe Stefi Prifti dhe këngët e të gjithë korçarëve të mi sepse nuk dua të krijoj hatërmbetje.

- Çfarë relatash ke me këngëtarët e tjerë?

- I kam të mira me të gjithë sepse jam njeri që mundohem të shikoj gjërat e mia dhe të jap maksimumin tim, pa u krahasuar me njeri. Kam shumë bashkëpunime live me këngëtarë të tjerë. Më pëlqen të këndojmë bashkë në skenë këngë të tyre dhe të miat. Kënaqem kur këndoj me ta.

- Pa çfarë nuk do të jetoje dot? - Pa muzikën. - Cila është gjëja me pozitive që ke?

- Kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë vetvetja.

- Çfarë do t’u premtosh fansave të tu?

- Që do të jem gjithnjë pranë tyre, do të sjell për ta këngë të mrekullueshme dhe derisa të kem jetë, do të këndoj.

- Në fund, do të shtosh ndonjë gjë që na ngeli pa thënë?

- Shpresoj që të gjithëve t’u shkojë gjithçka mirë dhe do takohemi sërish për të sjellë këngë edhe më të bukura në të ardhmen.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.