Sali Berisha: “Kam ba marrëveshje me Edvin Ramën!”

Intervista - - AKTUALITET -

Zotin Sali Berisha e takuam menjëherë pas përfundimit të seancës së ditës së enjte, në dyert e Parlamentit.

Kaso Kosa: - Përshëndetje zoti Berisha! Ju shikoj shumë të entuziazmuar, cili është shkaku?

Sali Berisha: - Kam shumë arsye për me qenë i gzuem Kaso! Së pari, u çlirova që fola sa desha në Parlament se kisha mbi gjashtë muaj pa folur, pasi bojkotuem Parlamentin. Vetëm në Facebook komunikoja me njerëzit, por të them të drejtën, adrenalinën që të jep fjalimi drejtpërdrejt në Parlament ose në mitingje, nuk ta jep interneti. Ndaj sot jam më i gëzuem se kurrë që fola dhe çfar të foluri, i dërrmova Edvinin dhe qeverinë e tij të korruptume.

- E ndoqëm seancën dhe ju pamë që e morët fjalën disa herë...

- Asht në të drejtën time me fol sa herë e shoh të arsyeshme sepse unë jam krytari i opozits dhe nuk mund të më ndrpritet e drejta e fjalës. Por më kryesorja është fakti se demaskova deri në fund këtë qeverisje të korruptuar që po ngre në çdo prefekturë nga një fabrikë të prodhimit të drogës, duke vërtetue atë që kam thanë prej mbi dy vjetësh, se koka e mafjes së drogës botërore qëndron këtu, te nji emër i vetëm dhe ai asht Edvin Kristaq Rama. E patë që pardje u zbulue fabrika tjetër e prodhimit të drogës në Mifol të Vlorës? Vetëm nën qeverisjen e tij, Shqipëria u kthye në Kolumbinë e Evrops!

- Opinioni i gjerë mendon se po të ishte kështu, qeveria i kishte mundësitë të mbulonte këto veprime dhe askush nuk do të merrte vesh se ç’bëhej...

- Ja, po ta them unë ty se si a puna! Mos e dini budall ju Edvin Ramën? Jo, mor zotëri, nuk asht budall ai, por asht kokë e kambë i kapun nga mafia e drogës. Ai ngriti fabrikën e prodhimit të kokainës në Xibrakë, vuri në krye të kësaj fabrike dhe të këtij trafiku miqtë e tij të “Hakmarrjes për drejtësi”, djemtë e Haredin Shytit, të Arta Dades, të Gramoz Ruçit dhe kur e pa se policia gjermane ra në gjurmët e kësaj veprimtarie kriminale, lajmëroi të vetët të largoheshin dhe lejoi të kapeshin disa mjeranë, që nuk kishin asnjë mundësi të fshiheshin apo të mbroheshin. Dhe, ja ku po ta them unë ty, qy janë arrestue vetëm peshqit e vegjël se të mëdhenjtë i run në kasafortën e tij Edvin Rama.

- Zoti Berisha, ju, edhe kur u bë aksioni i madh i Lazaratit, dolët kundra duke i akuzuar forcat e policisë se po bënin grabitje nëpër shtëpitë e lazaratasve...

- Aaaa, jo! Këtu ndryshonte puna. Me Lazaratin, Edvin Rama më hëngri në besë dhe unë e bëra këtë deklaratë nga inati. Pse e them unë këtë? Sepse ne kishim një marrveshje që ai të mos i prekte disa kufij që kisha lënë unë, siç bëra unë me ato të Fatos Nanos. Fatosi i hapi i pari rrugën prodhimit e trafikimit të kanabisit dhe unë e lejova që kjo kulturë bimore e pëlqyeshme nga të gjitha vendet perëndimore, të kultivohej jo vetëm në Lazarat, por mundësisht, në të gjithë Shqipërinë, fshehtas, pa zhurmë e bujë. Edhe populli të ushqehej, edhe qeveria merrte diçka për buxhetin, po edhe ne politikanët nuk ngeleshim pa gjë. Pse, budalla isha unë që nuk ndërhyra në Lazarat?

- Më falni, por ju këtej e akuzoni Ramën si kryemafioz, këtej paskeni bërë marrëveshje që të thuash të drejtën, bien

erë të keqe...

- Jo, po shiko, ta them unë ty... Kam ngrënë bukë me Enver Hoxhën unë e nuk ma shket dot njeri! E di ti se përvoja e gjatë si komunist më ka bërë që të qëndroj kaq gjatë dhe kaq i suksesshëm në politikë? Sepse kam zbatuar mësimet e marksizëm- leninizmit që duhet përdorur edhe kulaçi, por edhe kërbaçi. Me Ramën unë kam bërë marrëveshje që në vitin 2008, kur ndryshuem brenda natës Kushtetutën. Pse, si mendon ti, se votimi i tre anëtarëve të KQZ- së sot, duke ia lenë superioritetin prej katër anëtarësh opozitës, nuk ishte marrëveshje mes meje dhe Ramës?

- Atëhere, i bie që të keni bërë edhe shumë marrëveshje të tjera që ne nuk i dimë...

- Ja ku po ta them unë ty. Edhe futja jonë në Parlament erdhi jo si rezultat i ndërhyrjeve nga Evropa, por nga marrëveshja mes meje dhe Ramës. Edhe fakti që asnjë nga drejtuesit e institucioneve kryesore si Nishan, Llalla, Leskaj, Visho Ajazi, krytari i Gjykatës së Lartë etj. nuk janë shkarkuar, është pjesë e marrëveshjes sonë. Ata që kam dasht unë të mos lëvizen, janë atje ku due unë. A e lujti njeri Gjin Gjonin? Pse, kot e kam emërue Lulin në krye të PD-së unë? Që Rama të justifikohet se nuk e arreston dot se është kryetari i opozitës. Në këtë mënyrë, edhe mishi piqet, edhe helli nuk digjet. Luli qëndron në krye të partisë, derisa të piqen kushtet për me ardh ne demokratët në pushtet. Atëhere, unë dal në pension e pleqëroj rehat, Edvinin e bajmë President, Argitën Kryeministre. I kam llogaritur të gjitha unë se jam komunist i vjetër dhe komunistët ecin më plane 5 dhe 10 vjeçare e jo kuturu.

- Sot, në fjalën tuaj, e akuzuat përsëri qeverinë për trafik ajror droge...

- E akuzova me fakte, sepse ky trafik ka fillue që në Divjakë që u mbulue nga policia e Tahirit, në Gjadër, në Korçë, në Vlorë, madje edhe nga Rinasi janë ngritur avionë me drogë, derisa dje, majori i forcave ajrore transporton për llogari të qeverisë drogë nga Maroku në Spanjë. Qarkullojnë miliona euro nëpër duart e qeverisë dhe ne si opozitë, ngelëm me gisht në gojë. Kur qeverisnim ne, hanin të gjithë nga pak, ndërsa tani, këtyre u ka hyrë babëzia.

– A do të kandidojë Basha për kryetar bashkie në Tiranë, siç keni deklaruar ju?

- Pa dyshim, do të kandidojë! Në llogarinë time, më duhet me e vu në provë edhe njëherë KQZ-në dhe vetë Lulzimin të cilin e kam ndihmue qysh nga mobilizimi me KOPin dhe tani në krye të partisë, por jam nën presion edhe nga brenda partisë. Argita dhe Jamarbëri më kanë kërkue që Luli duhet me tregu qy asht i aftë me mbajtë bashkinë dhe partinë. Nëse nuk arrin të fitojë në zgjedhjet lokale, të bëjë dorëzimin e partisë se Argita asht e gatshme të bëjë sakrificë dhe të drejtojë partinë për zgjedhjet e përgjithshme më 2017-n, ku me siguri do korrë fitore plebishitare.

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.