Nexhdeti vret Turgutin në burg

Intervista - - TELENOVELA -

Drejtori i burgut e merr Mahirin në zyrën e tij dhe e pyet se çfarë kërkon aty. Në atë kohë, Feridja dhe Jasini arrijnë të futen në burg dhe kërkojnë të shkojnë menjëherë në qelinë e Turgutit, pasi janë të sigurtë se jeta e tij është në rrezik. Ndërkohë, pasi janë zënë me njëri-tjetrin, Nexhdeti ka arritur ta vrasë Turgutin dhe është larguar nga burgu me ndihmën e Hakiut. Kur Feridja, Jasini, Mahiri dhe drejtori shkojnë në qeli, e gjejnë Turgutin të vdekur...

Nexhdeti shkon te Mehmeti dhe i tregon se e vrau Turgutin. Mehmeti i thotë se tashmë, e ka provuar besnikërinë e tij dhe se që nga ai moment, ata kanë një kontratë për të punuar së bashku. Nexhdeti është i lumtur.

Nazifi e pyet Serdarin se pse e hoqën Orhanin nga qelia e tij, por Serdari i thotë se kjo u bë me dëshirën e vetë Orhanit. Feridja, Jasini dhe Mahiri shkojnë në zyrën e prokurorit për të marrë provat dhe dëshminë e Turgutit, por dera është e thyer dhe të gjitha dsosjet janë zhdukur. Mahiri tërbohet. Jasini jep urdhër të vijnë të marrin shenjat e gishtave në zyrën e prokurorit, por është e kotë sepse hajdutët nuk kanë lënë në asnjë vend shenja gishtash. Feridja i thotë Mahirit se kanë ende shpresa për sa kohë Ahmeti dhe sekretarja e tij janë në spital të gjallë, ndonëse ata janë në koma...

Mehmeti takohet me Sinanin dhe i dorëzon atij dëshminë e Turgutit, si edhe shenjat e tij të gishtave, duke i thënë se në këtë mënyrë, do ta bindë Feriden të martohet me të.

Nexhdeti i tregon Ajtenit se e ka mbajtur premtimin që i kishte dhënë dikur për të vrarë Turgutin. Ajteni lumturohet dhe ata të dy përqafohen.

Feridja shkon në shtëpi dhe gjen aty Sinanin, i cili i thotë se ka nevojë të bisedojë me të. Sinani i thotë Ferides se disponon diçka që do ta bëjë atë shumë të lumtur. Sinani i thotë se ka dëshminë e Turgutit dhe provat e tij, por do t’ia japë vetëm nëse ajo pranon të martohet me të... Feridja i thotë se nuk do të martohet kurrë me të dhe se ai është përfshirë në një krim, kështu që do ta arrestojë, por Sinani ia bën të qartë se për të, ato dy letra nuk janë asgjë dhe se mund t’i heqë qafe menjëherë. Ai i kërkon Ferides të mendohet deri të nesërmen dhe t’i japë një përgjigje...

Sinani i tregon Mehmetit për gjithçka dhe ky i fundit i thotë se e bija me siguri do të pranojë. Sinani i telefonon të atit për t’i thënë se tashmë janë afër hakmarrjes së tyre. Së shpejti, ai do të martohet me Feriden, do t’ia marrë të gjithë pushtetin Mehmetit dhe do ta turpërojë atë...

Të nesërmen, vendoset për ekzekutimin e Nazifit, gjë që familja e tij dhe ai vetë e dëgjojnë nëpërmjet radios, ashtu si edhe Orhani. Mehmeti i tregon Ferides se këshilli ka vendosur për ekzekutimin e Nazifit. Feridja shkon te Sinani dhe i thotë se nuk i intereson asgjë tjetër, përveç atij dokumenti. Sinani e pyet nëse pranon të martohet me të dhe ajo i thotë se po. Ajo e pyet se kur do t’ia japë dokumentin dhe ai i thotë se pas ceremonisë së martesës. Atëhere ajo i kërkon të martohen menjëherë. Feridja i shkruan një letër lamtumire Mahirit dhe bashkë me të, vendos edhe unazën që ai i ka dhënë. Këto, ia jep Jasinit që t’ia japë Mahirit.

Familja shkon të vizitojë Nazifin dhe ai u kërkon që t’i sjellin një letër dhe një laps, pasi ka disa fjalë që do t’i lërë të shkruar për fëmijët që do të kenë Mahiri me Feriden. Nexhdeti merr një shumë të madhe parash në shenjë falënderimi nga Mehmeti.

Mehmeti i tregon Kerimes se Feridja e Sinani kanë vendosur të martohen me një ceremoni të shpejtë, por Kerimja nuk është dakord, për shkak të vdekjes së Melihut. Kerimja, më vete, e pyet Feriden se çfarë fshihet pas këtij vendimi të shpejtë, por ajo nuk i tregon asgjë dhe shkon në dhomë. Në dhomën e saj futet Mahiri nga dritajra. Ai i vendos unazën në gisht dhe i thotë se e pret jashtë që të vijë e t’i tregojë se çfarë ka ndodhur...

Feridja i tregon se ajo duhet të heqë dorë prej tij, për të shpëtuar nga vdekja Nazifin dhe i tregon gjithçka që ka ndodhur në lidhje me Sinanin. Mahiri inatoset dhe ajo i lutet të mos heqë dorë nga i ati për hir të saj. Ai i thotë se nuk do të heqë dorë nga asnjëri prej të dyve dhe se ajo martesë nuk do të bëhet. Mahiri e puth dhe ikën për tek Erdali, të cilit i kërkon t’i japë makinën e tij të nesërmen...

Të nesërmen, para se të shkojnë në ceremoninë e martesës, Feridja shkon në zyrën e Sinanit dhe i thotë se kërkon që ai t’i ketë me vete dokumentet, në mënyrë që ajo t’i marrë menjëherë pasi të firmosë dokumentin e martesës. Sinani ia tregon dhe i fut në valixhe. Kur shkojnë për të bërë martesën, ai e merr valixhen me vete dhe së bashku me Feriden nisen me të njëjtën makinë. Rrugës, Sinani vë re unazën e Mahirit në gishtin e Ferides...

Mahiri i del përpara makinës së tyre dhe ata ndalen. Feridja buzëqesh, duke nënkuptuar se ai është Mahiri. Të gjithë dalin jashtë nga makina. Mahiri nis të grindet me Sinanin, por Feridja i thotë se dokumenti është në valixhe, ndaj duhet të marrin valixhen dhe të ikin. Mahiri e qëllon Sinanin, Feridja merr valixhen dhe të dy largohen të kapur përdore...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.