Mjekët ma çuan djalin drejt vdekjes

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Ditën që mjekët na e thanë këtë gjë, unë edhe im shoq nuk e donim më jetën, filluam të shanim e mallkonim doktorët, të cilët na e çuan djalin tonë në këtë gjendje.

Sa herë u kishim kërkuar këtyre mjekëve vrastarë që ta kuronim djalin jashtë vendit, por ata asnjëherë nuk na ndihmuan! Pasi na rrënuan nga ana ekonomike, na thanë se “me djalin tuaj nuk mund të bëjmë asgjë”. Më thoni ju, a nuk duheshin vrarë ata doktorë? Po çfarë të bënim? Ata e dinin shumë mirë që ne ishim të pafuqishëm për t’i paditur, sepse pa firmën e tyre, djali nuk mund të kurohej jashtë vendit. Mes shumë peripecish, morëm firmat për ta kuruar djalin tonë në Belgjikë, por edhe atje, mos kujtoni se na e shtruan rrugën me trëndafila. Atje ishte më e vështirë se këtu, operacioni i djalit tonë kushtonte 200 mijë euro dhe shteti nuk kishte interes që të na ndihmonte, pasi të gjitha shpenzimet do të ishin në dëm të tij, duke qenë se ne ishim familje pa të ardhura. Kështu, edhe atje nisëm luftën me shtetin, duke marrë avokat, i cili do të kujdesej për procedurat e leje- qëndrimit. Pa hyrë më shumë në detaje, në Belgjikë qëndruam tre vjet, duke bërë luftë me këtë shtet që hiqet sikur është shpëtimtari i njerëzimit, por ne që e provuam se janë vetëm në dukje të tillë, sepse kur vjen puna për interesa ekonomike, ndryshojnë gjërat.

Në Belgjikë, Mozi i filloi analizat nga e para dhe emri i tij u shënua në listën e gjatë për transplantimin e mëlçisë. Djalin e kishim gjithmonë nën kujdesin e mjekut. Nuk është se rrinte në spital, ai rrinte në shtëpi, por gjatë gjithë kohës ishte i pafuqishëm. Na dhembte shpirti, teksa e shikonim djalin në moshën më të bukur të jetës, të qëndronte i mbyllur brenda dhe të mos kishte asnjë lloj interesi për jetën. Pritëm gati dy vjet, me mendimin se do të kishte ndonjë dhurues për mëlçinë e djalit tonë, por shpresat sa vinin dhe shuheshin.

Atëhere doktorët vendosën që unë, nëna e tij, mund të isha dhuruesja e mëlçisë për djalin tim. Pa u menduar fare, u thashë se isha e gatshme të jepja edhe jetën për djalin, atëherë filluan analizat dhe biopsia, për të vërtetuar se isha në gjendje që të bëja këtë operim. Çdo gjë doli mirë. Në rastin kur unë isha dhuruesja e mëlçisë për djalin, shtetit do t’i kushtonte operimi disi më pak dhe për ta ishte më me leverdi që të isha unë dhuruesi. Kështu, operimi do të shkonte 150 mijë euro. Mjekët na këshillonin që ne të mos ishim të stresuar se do ndikonte në operim. Po ç’mund të bënim? Të tre ishim të trembur dhe të fiksuar për atë lloj operimi, i cili do të zgjaste tetë orë për mua dhe gjashtëmbëdhjetë orë për djalin. Nga trupi im do të hiqej 70 për qind e mëlçisë dhe do t’i vendosej Mozit.

Ishte pikërisht data dy shtator e vitit të kaluar, data në të cilën familja jonë lindi përsëri. Në këtë datë, unë edhe Mozi u futëm në operacion dhe patëm Zotin mbi kokat tona, i cili na ndihmoi që ky operacion të përfundonte me sukses. Mbas shumë hallesh dhe vështirësish, familja jonë iu rikthye jetës normale. Shumë prej jush, ashtu si edhe shumë prej miqve tanë, na pyesin se pse nuk i denoncuam doktorët, të cilët e çuan shëndetin e djalit deri në këtë pikë. Përgjigjja ime është sepse në Shqipëri nuk fiton asnjëherë drejtësia, por më i forti. Doktorët tanë e kanë fituar këtë status në Shqipëri; sido që të vijnë punët, një ditë, ne do biem përsëri në duart e tyre, dhe atëhere...

Tashmë nuk kam kohë të mendoj për hakmarrje, i gëzohem faktit që operacioni doli me sukses dhe tani më shumë se kurrë, e kam fituar dashurinë e djalit tim në mënyrë të dyfishtë. Ai në çdo moment më falënderon për sakrificën që bëra. Ai e quan të tillë, por për një nënë nuk është sakrificë t’i shpëtojë jetën fëmijës; çdo nënë në vendi tim do ta bënte një gjë të tillë. Prandaj jemi nëna, që të sakrifikojmë për fëmijët tanë, t’u japim atyre jetë nga jeta jonë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.