Vrava katër vetë, për të marrë hakun e vëllait

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

Arrita të bindja shefin të kthehesha një herë në shtëpi,i premtova që do të kthehesha dhe ashtu ndodhi. Kushti që unë do të kthehesha në punë, ishte siguria e jetës së vëllait tim. Nëse unë do të bëja ndonjë budallallëk e do të tregoja, ata do të vrisnin vëllain tim.

Erdha në shtëpi pas kaq kohësh. Prindërve u thashë që isha martuar me një gjerman dhe se jetoja në Veri të Italisë. Ata nuk dinin të më besonin apo jo, por u tregova shumë bindëse, që të mos u shtoja më brengë. Ndenja një muaj në shtëpi. Prindërit ishin të lumtur se isha gjallë, por tashmë u bënë kuriozë të njihnin edhe dhëndrrin.

- Po pse s’na lajmërove që ishe gjallë të paktën? - më thoshte im atë. – Nuk dinim a të të qanim a çfarë të mendonim për ty.

Një natë, kur mendova që motra e madhe me fëmijët dhe vëllai e motra e vogël kishin fjetur, fillova të flisja me prindërit. E kisha detyrim për ta t’u tregoja pak fare se ç’më ndodhi, por në fund do ta zbukuroja historinë.

- Ba, në fillim kam punuar në semafor, sepse djali i B. ZH, i dyti, Astriti, më premtoi se do të martohej me mua dhe më degdisi të punoja si prostitutë. Më pas, u njoha me burrin tim. Ai më largoi prej andej dhe tani jam mirë. Harroje këtë histori, - i thashë, - tashmë ka mbaruar. Të betohem që jam shumë mirë.

Të dy, babai dhe ime më, u zverdhën, ndërkohë që u hap dera e kuzhinës.

- Astriti të ka çuar në semafor? – dëgjova të vinte një zë që na trembi të treve.

- Jo, nuk është e vërtetë, - i thashë, - unë jam martuar qysh në fillim dhe nuk kisha asnjë numër telefoni që t’ju lajmëroja. Deri tani kam pritur që të bëhem me dokumente, prandaj s’kam ardhur dot as vetë. - u përpoqa ta ngatërroja historinë.

- E dëgjova të gjithën, - më tha vëllai, - e dëgjova shumë qartë. Astriti, ai me ata sytë tinëzarë që më shmanget kudo ku më sheh në rrugë, ai është! Ah, motra ime, ti e di qy- teti ynë shtatë pallate është gjithsej dhe njeriu këtu këto thashethemesh bën, “ky më pa kështu”, “ai ktheu kurrizin”, “x më tha...” ti e ke parasysh si ndodh se prej këndej ke dalë shtatëmbëdhjetë vjeçe.

Gjithë plani që kisha bërë më ishte përmbysur, prindërit filluan të qanin, vëllai shtrëngoi grushtat, tha edhe një herë “natën e mirë” dhe iku në dhomë.

Të nesërmen, ai hëngri mëngjes si gjithmonë dhe doli pa reaguar fare për çfarë kishte dëgjuar një natë më parë. Ne me prindërit po e shihnim me kujdes, por na u duk i qetë. Ajo qetësia e tij do të na merrte në qafë pas gjysëm ore. Vëllai kishte shkuar te lokali ku Astriti pinte kafenë e mëngjesit dhe ishte ulur direkt në tavolinë. Sigurisht, ai ka qenë me shokë, ndërsa vëllai im ishte vetëm, mes një tufe langonjsh. Si fillim, i kishte folur për një film që kishte parë një natë më parë, ndërkohë që i ishte afruar edhe më shumë, duke i hutuar shokët e Astritit.

- Kam ardhur të marr hakun e motrës sime, - kishte thënë në fund vëllai im dhe i kishte ngulur thikën. Në moment, shokët e Astriti ishin çuar dhe e vranë vëllain tim. Im vëlla vdiq aty, në lokal, ndërsa Astriti, vdiq pas dy orësh, në spital.

Në ato kushte, e mendova që isha e padëshiruar edhe për prindërit e mi. Menjëherë pas varrimit të vëllait, ika. Nuk doja të shkoja në polici e të më merrnin në pyetje. Kur u ktheva në Itali, sigurisht që më rrahën e më keqtrajtuan sepse u kisha prishur punë, pasi policia do të fillonte hetimet. Nuk më bëri përshtypje as dhuna e tyre, as asgjë që ndodhi më pas. Isha kthyer me një qëllim: Të merrja hakun e vëllait tim.

I njihja jo vetëm klientët me të cilët kisha kohë që punoja, por edhe klientët e shoqeve të mia. Për njërin, shoqet e mia më kishin thënë se ishte biseksual dhe ishte me SIDA. Vendosa t’i kërkoja shoqes sime ta zëvendësoja dhe ajo më porositi të kujdesesha, për shkak të vi- rusit të tij. Kjo ishte ajo që doja, të merrja edhe unë virusin; ajo ishte mënyra më e mirë për t’u hakmarrë. Dhe ashtu ndodhi. Klienti më kërkoi edhe disa herë të tjera dhe tashmë isha e sigurtë se edhe unë isha me SIDA.

Pas gjashtë muajsh në Itali, erdhën dy vëllezërit e Astritit, me qëllimin e keqtrajtimit tim. Pas një dhune të tmerrshme, sigurisht që deshën edhe të kryenin marrëdhënie me mua. U solla shumë mirë, se kjo ishte pikërisht ajo që po prisja. Të njëjtën gjë bëra edhe me djalin e xhajes së Astritit dhe me djalin e tezes së tij. Për shumë pak kohë, unë infektova të gjithë meshkujt e mundshëm që kishin lidhje gjaku të afërta më Astritin.

Më pas, me klientët e tjerë, që nuk kishin lidhje me inatin tim, tregohesha e kujdesshme për dy vjet, derisa një ditë i tregova pronarit se ç’kisha bërë dhe arsyen pse e kisha bërë. Ai ishte shok i tyre, ndaj ishin i njëjti lloj ndryrësie. Më rrahën aq keq sa kam ndenjur për dy javë në spital. Atje më dhanë lajmin që për mua nuk ishte i ri, se isha e infektuar me SIDA. Tani jetoj pranë spitalit ku u diagnostikova sepse vazhdoj të marr ilaçet. Me prindërit kam folur vetëm një herë në telefon pas katër vitesh që vëllai im kishte vdekur.

- Ju mora vetëm që t’ju them se e kam marrë hakun e vëllait. Ata të katërt do të vdesin shumë shpejt, kanë tre vjet e gjysëm që janë të sëmurë, por nuk e dinë dhe të gjithë do të mbeten pa pasardhës se kushdo që të lindë tani, do të jetë i infektuar. Mos prisni më as telefonata nga unë. Nuk dua t’ju shkatërroj më shumë nga ç’ju kam shkatërruar.

Kjo ishte hera e fundit që i dëgjova zërin babait tim. Jetoj vetëm, duke pritur me padurim të bashkohem me vëllain tim që vdiq aq pafajësisht, aq i ri, vetëm për të vënë në vend nderin tim. Ai vuri në vend nderim tim sepse vrau Astritin, ndërsa unë do të vdes e qetë sepse i vrava të gjithë. H.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.