Afrika, në prag të një trazicioni të madh demografik

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Në botë, nuk kanë ekzistuar kurrë më parë kaq shumë të rinj. Kështu, aktualisht, 1.8 miliardë banorë janë të moshës 10-24 vjeç (në vitin 1950, kishte 721 milionë). Ky rekord historik, që vazhdon të përparojë, fsheh në vetvete një ndryshim të thellë. Planeti ynë është në prag të një tranzicioni të madh demografik: Popullsia po plaket, jo vetëm në Perëndim, gjë që ka filluar që nga fundi i viteve ‘70, jo vetëm në vendet në zhvillim, por edhe në vendet më të varfra. Në përpjestim me këtë, numri i të rinjve ka arritur një pik në vendet më pak të zhvilluara në vitin 2010 dhe tashmë, ka filluar të bjerë.

Ky tranzicion prek më shumë Afrikën, sipas raportit vjetor të Fondit të OKB-së për popullatën (FNUP). Ky kontinent njeh tashmë një ulje të lindshmërisë. Janë vetëm 6 vende në botë (5 janë në Afrikë), ku popullsia vazhdon të rinohet.

FNUP mendon se ky tranzicion demografik është potencialisht një shans unik, me kusht që të bëhen investimet e nevojshme, veçanërisht në fushën e arsimit dhe të kontracepsionit. “Është një shans gjigand, që mund të transformojë miliona jetë”, ka thënë Babatunde Osotimehin, drejtues i FNUP.

Tranzicioni demografik është një fenomen i njohur. Në fillim, shtimi i jetëgjatësisë shkakton një shpërthim demografik. Vjen më pas një zotërim më i mirë i lindshmërisë. Më këtë moment, përqindja e popullsisë aktive shtohet. Më shumë njerëz punojnë, duke shpenzuar më shumë. Kjo sjell një rritje të fortë ekonomike, që FNUP e quan “dividenti demografik”. Europa dhe SHBA-ja janë të parët që e kanë njohur këtë fenomen, të ndjekura nga Azia dhe Amerika Latine. Afrika mund të jenë në prag të kësaj periudhe rritjeje. “Por, për këtë, duhen realizuar investimet e nevojshme”, saktëson zoti Osotimehin. Ish-Ministri i shëndetsisë së Nigerisë nënvizon veçanërisht dy prioritete. E para është jo vetëm arsimi, por edhe ndjekja e të rinjve në momentin e arritjes së tyre në tregun e punës. “U duhet mësuar kultura e të qenit sipërmarrës dhe të kënë mundësi për financime”, thotë ai. “Përndryshe, mund të gjendesh me të rinj të arsimuar, por pa punë”. Ai citon shembullin e Tunizisë, ku sistemi arsimor është i një niveli të mirë, po ku papunësia ka arritur shifra rekord.

Prioriteti i dytë është të lejohet arsimimi i vajzave. Kjo bëhet edhe duke u mësuar atyre kontracepsionin. “Nëse një vajzë e re është në moshë riprodhimi rreth të 12-tave dhe duam që ajo të vazhdojë stu- dimet deri në 18 vjeç apo 22 vjeç, për të shkuar në universitet, i duhen dhënë mundësi për këtë”. Nëse këto dy kushte nuk respektohen, shansi i madh për 1.8 miliardë të rinj në gjithë botën, rrezikon të dëmtohet. A përbën bllokimi fetar apo moral një pengesë për të pasur akses në metodat kontraceptive? «Në disa zona është një rrezik i vërtetë, por unë jam optimist. Shihni Malajzinë, Indonezinë, Tunizinë, bile edhe Iranin, të gjithë këta vende ia kanë dalë mbanë tranzicionit të tyre demografik».

Raporti i FNUP nënvizon megjithatë se suksesi i tranzicionit demografik nuk është ende i sigurtë. Mbeten aktualisht afro 60 milionë fëmijë nëpër botë që nuk shkojnë në shkollë dhe afro 75 milionë persona nën 25 vjeç që janë të papunë. Këto janë rreziqe për zhvillimin ekonomik dhe për stabilitetin politik të këtyre vendeve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.