Dashuroj gruan e shokut

Intervista - - FAQE 1 - (Vijon numrin e ardhshëm)

Të dashur lexues, kjo historia ime nisi me një fatkeqësi e më pas arriti deri në këtë pikë ku jam tani e nuk di nga t’ia mbaj. Unë që po ju shkruaj jam një burrë rreth të 30ave. Kam patur një jetë të qetë e mund të them me plot gojën se kam qenë me fat, ama deri para afro dy vjetësh, kur ndodhi aksidenti i shokut tim të ngushtë.

Kisha një shok me të cilin rrija gjithmonë. Të dy punonim në një servis. Në fillim ishim punëtorë e më pas e morëm vetë një ambient me qira dhe u bëmë pronarë. Ai ishte i martuar dhe po priste një fëmijë. Edhe unë isha i fejuar, por nuk isha martuar sepse nuk doja të martohesha pa blerë një shtëpi. Pra, çdo gjë ishte në rregull. Na kishte prirë fati të dyve. Edhe nga ana ekonomike ishim mirë. Shkonim shumë dy familjet bashkë, si prindërit, ashtu edhe ne të katërt. Dilnim darkave dy çiftet dhe ia kalonim shumë mirë. Në fakt, kur gjërat ecin mirë, duhet të kesh edhe pak dyshim, sepse është e vështirë që udhëtimi i jetës të jetë pa pengesa, mirëpo ne ishim të rinj e nuk i mendonim këto gjëra. Ata të dy mezi prisnin momentin kur do të bëheshin prindër. Gjithmonë na thonin mua dhe të fejuarës sime që të martoheshim sa më shpejt e të bënim fëmijë, sepse kjo është mrekullia vetë, mirëpo e fejuara ime nuk i kishte shumë qejf fëmijët. Ajo mendonte për karrierën dhe nëse do të bënte fëmijë, ajo nuk do të mund të bënte karrierën që e kishte ëndërruar prej kohësh. Unë në fakt i kam dashur gjithmonë fëmijët, ndoshta se edhe prindërit e mi kishin pesë fëmijë dhe isha mësuar me shumë njerëz në shtëpi.

Që të mos ju lë më shumë në pritje të asaj që më ndodhi, po jua tregoj menjëherë. Shoku u bë prind dhe kjo gjë e bëri të lumtur pa masë. I lindi një vajzë e bukur dhe e shëndetshme. Ditët kalonin dhe puna po na ecte mirë. Ai fliste me aq dashuri për vajzën e gruan dhe unë pyesja veten gjithmonë nëse kishte gjë më të bukur se jeta që po jetonte shoku im. Mirëpo kur gjithçka shkon mirë, duhet të frikësohesh pak, më duket. Ishim në punë të dy dhe shokut tim i ra telefoni. Ishte gruaja e cila i tha se vajza e tyre ishte me të vjella dhe duhej të shkonte ta çonte në spital për ndonjë serum. Ai donte të nisej menjëherë, por makinën ia kishte dhënë një shoku për një rast familjar. Pra, më duhej ta çoja unë me motorr. Unë përdorja gjithmonë motorrin, sepse ishte i shpejtë dhe mund ta parkoje lehtë. Pa një, pa dy, u nisëm me shpejtësi për të arritur sa më parë. Rrugës kishte shumë trafik. E kisha ndalur motorrin dhe po prisja të hapej jeshilja që të kalonim, kur shoku tha:

- Ta marr edhe njëherë në telefon si është?

- Dakord! - i thashë. – vetëm pak shpejt se po hapet semafori.

Ai i binte telefonit dhe nusja nuk po e hapte. Ai paska tentuar edhe njëherë, por unë nuk e dija këtë. Unë mendova se ai e futi telefonin në xhep dhe, sapo u hap semafori, u nisa. Shoku e humbi ekuilibrin dhe ra. Një makinë që ishte prapa, e dëmtoi atë. Ky ishte tmerri më i madh që më kishin zënë sytë ndonjëherë. U shokova dhe tronditja nuk më lëshoi deri në spital. Kur shkuam në spital, ai ishte ende gjallë. Kur erdhi e shoqja, ai mori dorën e saj, e vendosi dorën time sipër e tha:

- Po ta lë amanet ty, bash- kë me vajzën.

- Ç’janë këto që thua? Ti do të shërohesh! - I thashë dhe më pushtuan lotët. – Unë e kam fajin, unë nuk të lajmërova se u hap semafori…

- Ti s’ke asnjë faj! Unë… duhej… të isha vetë… - ai mezi fliste. Kishte shembje të brendshme dhe doktorët i kishin prerë shpresat. Ai rezistoi, por nuk mundi ta mposhtte vdekjen.

Burri i cili kishte qenë në makinën prapa u tregua i gatshëm të dorëzohej në polici dhe madje të ndihmonte gruan e tij, por ajo nuk pranoi, se i dukej sikur po e shiste të shoqin.

Dhimbja ishte e tejskajshme. Asgjë nuk mund të ishte siç kishte qenë më parë. Unë dhe e fejuara ime shkonim shpesh te shtëpia e tij dhe aty gjenim gjithmonë gruan e tij të mbytur në lot. Ajo mendonte se ishte fajtore që e kishte thirrur për vajzën. Në fakt, edhe unë ndjehesha fajtor, por fati ashtu e donte.

Një ditë i thashë të fejuarës ta merrnim me vete gruan e tij dhe vajzën e të shkonim për fundjavë jashtë Tiranës. Ajo më tha:

- Pse, të qarat e saj do dëgjojmë? Po ta marrim me vete, ajo dhe ti, vetëm lot do na servirni.

- Si mund të flasësh kështu? Edhe ti e njihje. Nuk të vjen keq për tragjedinë e asaj familjeje? Nuk e ke parë gruan e shkretë si është bërë?

- Po gjithë jetën me atë do merremi ne? Ne kemi jetën tonë. Qëkur vdiq ai, ne ia kemi kushtuar jetën asaj familjeje, a thua se ia vramë ne, domethënë, unë...

Nga fjalët e saj kuptova se ajo mendonte se dhe unë kisha faj në këtë rast. Kuptova se ajo nuk do të ishte asnjëherë ashtu siç unë doja të ishte ...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.