CILËT NUK INTERVISTUAM DOT KËTË JAVË?

Intervista - - AKTUALITET - Nga Artan KRISTO

Të enjten, Presidenti Bujar Nishani shpërtheu në akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, edhe pse ai nuk e përmendi fare në Kuvend. Ç’pati vallë presidenti ynë i nderuar që iu sul aq egërsisht Kryeministrit? Mos kishte lidhje ky sulm me publikimin e skandalit me Kishën Katolike në Elbasan, e cila, sipas një vendimi gjykate do të prishet, në mënyrë që tokën ta marrë bashkëshortja e tij? Është e vërtetë ajo që shkruajnë mediat, se ai ka ndikuar te gjykata për prishjen e Kishës Katolike? Ja, këto pyetje deshëm t’i bënim presidentit tonë të nderuar por s’mundëm ta takonim këtë javë…

Me kryeministrin Edi Rama, këtë javë deshëm të bënim një intervistë në lidhje me tritolin që na u bë “i ditës” në Tiranë… Së pari, deshëm ta pyesnim për diçka që na bëri përshtypje: Pak orë pas atentatit, ai deklaroi se shpërthimi i tritolit në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ishte vepër terroriste e kryer si kundërpërgjigje ndaj punës së mirë që kishte bërë policia ndaj krimit. Nuk mund të rrimë pa e pyetur zotin Rama se, ku e dinte ai se kjo qe një vepër terroriste?! Po sikur nga hetimet të dalë se ajo s’kishte të bënte me të birin, por me të atin, pra, me biznesin farmaceutik të të atit të zotit Saimir, me konkurrencën, që, në fushën e

EDI RAMA

ilaçeve është shumë e egër?! Na kujtohet, për shembull, që shumë kohë më parë, në redaksi na u ankua një sipërmarrës farmaceutik se kishte presione nga konkurrentët për të mbajtur artificialisht çmime të larta për ilaçet. Pak ditë më vonë, ai u rrah egërsisht në oborrin e shtëpisë së tij, pikërisht sepse nuk pranonte të ngrinte çmimin e ilaçeve që i shiste me një çmim normal, por më të ulët se të tjerët. Mund të ketë ndodhur kështu edhe me të atin e zotit Tahiri? Pse duhet të lidhet çdo gjë me politikën? Pse duhen dhënë përfundime pa u përfunduar hetimet, madje pa nisur mirë ato?!

Në fund, deshëm ta pyesnim zotin Rama: Pse duhet kopjuar Berisha që për çdo ngjarje e çdo bombë thoshte se është terrorizëm dhe vepër e Hakmarrjes për Drejtësi? Apo edhe Rama, ashtu si Berisha, e di që më përpara se kush e vë bombën apo tritolin?!

SALI BERISHA

Nuk intervistuam dot këtë javë as zotin Berisha. Atë deshëm ta pyesnim për diçka që na u kujtua të enjten, teksa dëgjonim sulmet e tij në Parlament ndaj qeverisë. Pikërisht në ato momente na u kujtua ish- presidenti francez Nikolas Sarkozi që, ditën e sulmeve terroriste në Paris, doli para kamerave dhe deklaroi haptas e qartë se “sot ishte krah presidentit Holandë, ishte në krah të qeverisë dhe e mbështeste atë plotësisht”. Të nesërmen, ai doli krah tij në manifestimin për paqen. Pse nuk ka ndodhur asnjëherë kështu me zotin Berisha? Pse nuk doli ai si kolegu i tij, Sarkozi, haptas, pro qeverisë as kur u sulmua Lazarati, as kur u hodhën në erë shtyllat e tensionit të lartë e as këto ditë, kur Tirana u trondit nga tritoli?! Sikur Rama të organizonte të dielën një manifestim në Tiranë kundër tritolit, do të pranonte ai të dilte krah tij? Apo do të organizonte një antimiting, siç organizoi për aksionin e qeverisë për energjinë elektrike?! Si do t’u përgjigjej zoti Berisha këtyre pyetjeve vallë?!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.