Halit Ergenc: Mezi u ndava nga Sulejmani! Tani, dua të jetoj jetën time...

Intervista - - TELENOVELA -

Pas katër vjetësh të kaluar në skenën e “Sulejmani i madhërishëm” Haliti i është kthyer jetës normale, pranë familjes së tij, të birit dhe gruas, aktores së njohur, Berguzar Korel. Pasi më në fund e ka hequr mjekrën, ai vjen në intervistë me një bluzë të bardhë, në të cilën është shkuar” i padukshëm”, sepse... e vetmja gjë që dëshiron në këtë moment, është të jetë i padukshëm dhe të jetojë i qetë, jetën e tij! Në shumë seriale, ai ka arritur të tërheqë shikueshmëri rekord, është i preferuari i producentëve, por ka mbetur një njeri i thjeshtë, që di të vlerësojhë gjërat që ka arritur në jetë...

- Tani që “Sulejmani i madhërishëm” përfundoi, të gjithë janë kuriozë të mësojnë se me çfarë do të merreni…

- Më besoni që nuk e di as vetë. E di që tingëllon paksa e çuditshme, por ndihem i qetë, i relaksuar dhe, më në fund... kam shpëtuar nga mjekra!

- Keni deklaruar se për një vit, nuk do të punoni me asnjë projekt. Ndiheni i lodhur dhe doni të pushoni?

- Pikërisht. “Sulejmani i madhërishëm” zgjati më shumë se çdo punë tjetër që kam bërë. Jo çdo aktor e ka mundësinë të marrë pjesë në një projekt të tillë! Kam jetuar 42 vjet në rol dhe praktikisht, mund të them se kam bërë masterin me “Sulejmanin”.

- Duhet të ketë qenë rraskapitëse...

- Sigurisht, por kjo është natyra e punës sonë. Duhet të përdorim emocionet tona të vërteta, për t’u shkaktuar emocione atyre që na ndjekin. Në mënyrë të ndërgjegjshme, ti e pranon këtë përgjegjësi dhe është normale që më pas, të ndihesh i rraskapitur apo i lënduar. I kam përjetuar të gjitha ato që ka përjetuar Sulejmani: Dhimb- jen e vdekjes së fëmijëve, humbjen e dashurisë së tij më të madhe, deri edhe ndjesinë e ardhjes së vdekjes. Detyra ime ishte të ndihesha si Sulejmani dhe unë, këtë bëra.

- Sa kohë t’u desh për t’u shkëputur nga ai?

- Nuk qe e lehtë, si fizikisht, ashtu edhe psikologjikisht. Kam qenë “Sulejmani” për katër vjet me radhë dhe, kur e luan një personazh kaq gjatë, është njësoj si të veshësh të njëjtat këpucë përditë. Vjen një moment dhe nuk ndahesh dot nga ato... Edhe përsa i përket pamjes, mezi ndryshova. Për shembull, mjekrën, nuk munda ta prisja menjëherë të gjithën, por e preva në tre seanca. Vetëm kur e hoqa plotësisht dhe i dola përpara pa mjekër, ime shoqe, Berguzari, më tha: “Kemi katër vjet që nuk takohemi; më ka marrë malli shumë për ty, i dashuri im” dhe më përqafoi fort.

- Po djali, Aliu, si reagoi?

- Edhe ai u habit shumë, bile nisi të bërtiste nga gëzimi: “Shikoni, babi hoqi mjekrrën!”, ndonëse në të vërtetë, ai nuk më mbante mend kur isha pa mjekër sepse atëhere ishte vetëm 10 muajsh.

- Sipas thashethemeve, për të marrë pjesë në një serial, këtë sezon, ju ofruan 150.000 lira për episod ( afërsisht, 53000 euro), por ju që ju ofruan. Është e vërtetë?

- Sigurisht që jo! Në të kaluarën, producentët kanë paguar shuma astronomike për aktorët, por kjo, nuk është se e bëri aktrimin e tyre të suksesshëm. Sigurisht që aktorët paguhen mirë, por jo çmendurisht sepse kjo punë nuk mbaron tek aktori. Aq më tepër që në këtë periudhë, nuk ua vë shumë veshin propozimeve që marr. Unë dhe Berguzari kemi punu-

ar shumë gjithë këto kohë... Më besoni, e gjenim veten në mëngjes kur, ndërsa niseshim për xhirime, përshëndeteshim dhe i thonim njëri-tjetrit se nuk do të shiheshim së bashku për dy ditë. Ka ardhur koha t’i kthejmë pas ato ditë të humbura...

- Je i sigurtë se Berguzari nuk do të mërzitet duke të pasur gjithë kohës nëpër shtëpi?

- Jo, përkundrazi, asaj i pëlqen shumë kjo gjë.

- Të gjitha serialet në të cilat ju keni luajtur, kanë qenë të suksesshëm. Cili është sekreti?

- Respekti që kam për punën, nëse ky mund të quhet sekret. Mendoj se dy gjërat më të rëndësishme në jetë janë puna dhe shoku i jetës. Këto dy gjëra e shkruajnë të ardhmen tonë. Për këto dy gjëra tregoj respekt dhe përpiqem t’i meritoj...

- I pëlqyer nga gratë, joshës, aktor i shkëlqyer! Ka ndonjë formulë për këtë?

- Pamja luan njëfarë roli vetëm në fillim. Pas kësaj, që të gjithë shikojnë se si e bën punën. Askush nuk e mbështet tjetrin sepse i ka sytë të bukur. Aq më tepër që unë nuk e konsideroj veten një burrë joshës...

- Dukeni shumë i qetë e serioz...

- Ndoshta sepse në jetën time, kam kaluar përmes stuhish... Jeta ime është një histori e gjatë, e mbushur me varfëri e vetmi. Prindërit e mi u divorcuan kur isha në fillore, por për një kohë të gjatë, babai vazhdoi të qëndronte në shtëpi dhe çdo ditë kishte grindje, një luftë të vërtetë. Kisha gjithashtu një motër dy- vjeçare, që kishte probleme mendore. Jeta jonë ishte shumë e vështirë. Babai ishte një aktor në pension, qe kompozitor i këngëve shumë të njohura tashmë. Për mua, në qendër të fatkeqësisë së familjes sonë ishte im atë, ai sillej në mënyrë të papërgjegjshme dhe e bëri fatkeqe nënën time. Për këtë arsye, unë dëshiroja shumë të isha shumë ndryshe nga ai dhe nga jeta që ai bënte...

- Për këtë arsye studiuat për ndërtim anijesh?

- Po, mjaftonte të mos bëhesha artist, si im atë! Megjithatë, në vitin e dytë, e lashë shkollën. S’ke ç’i thua, askush nuk mund t’u shpëtojë gjeneve të tij. Muzika po më thërriste... Në atë kohë, u pranova në Konservator, pastaj kalova te muzikalet, derisa rruga ime u kryqëzua me atë të një regjisori të famshëm, që më ftoi në një projekt. Unë u habita me propozimin e tij dhe i thashë: “Po unë jam muzikant!”. Ai m’u përgjigj: “Jo, ti je një aktor, që di të këndojë”.

- Ju kanë bërë propozime për të marrë pjesë në reklama, por ju nuk i keni pranuar, për të mos dëmtuar personazhin që po luanit...

- Po, sepse mendoj se në jetë, gjithçka që fitohet shpejt, humbet po aq shpejt. Pastaj, a mund ta lëndoja unë Sulejmanin? Ndërkohë që luaja një personazh të tillë, të dilja edhe në një reklamë? Do ta bëja Sulejmanin të dukej si budalla... Nuk mund të bëj një mijë gjëra njëherësh, kjo është pjesë e parimeve të mia. Unë jam tip perfeksionisht dhe shpesh, më quajnë “gota bosh”.

- Ç’domethënë kjo?

- Unë shoh gjithnjë gjysmën bosh të gotës. Kur gjithçka është e mrekullueshme dhe të gjithë shumë të lumtur, më zë frika. Nuk jam kurrë i kënaqur me veten time. Nëse e bind veten se gjiçka shkon mirë, menjëherë nis të mendoj se kjo mund të marrë fund... Të gjithë mendojnë se në jetën time unë kam luajtur vetëm seriale të sukseshme, por kjo nuk është e vërtetë. Kam bërë edhe shumë punë të pasuksesshme, bile nuk u mbaj mend as emrat atyre që kanë punuar me mua.

- Me pak fjalë, jeta juaj nuk ka qenë aq e bukur, sa e mendojmë ne...

- Sigurisht që jo! Nuk kam patur kurrë para. Jepja mësime kërcimi dhe me ato para paguaja qiranë. I vija rrotull Stambollit me biçikletë. Edhe në Koinservator, me biçikletë shkoja. Kam bërë shumë punë dhe kam qenë gjithmonë i kujdesshëm me paratë sepse nuk kam marrë kurrë para nga prindërit e mi. Tani kemi para për të bërë një jetë të bukur, ama ka edhe kjo çmimin e saj sepse të duhet të blesh një vend ku mund të jesh plotësisht vetvetja. “Sulejmani” është transmetuar në 150 vende dhe kudo që shkoj, më njohin... Mendo, donim të shkonim me Berguzarin në ishujt grekë dhe kemi frikë ta hedhim këtë hap...

- Vitet e fundit, keni patur shumë fatkeqësi, mes të cilave, edhe vdekjen e babait...

- Ishte shumë e dhimbshme, megjithëse ne nuk jemi marrë vesh kurrë me njëri-tjetrin... Kur isha 23 vjeç, im atë më tha: “Martohu, biri im. Nuk ka problem edhe nëse martesa nuk shkon mirë. Mund të divorcohesh!”. Ai vetë u martua gjashtë herë, megjithatë, kur vdiq, i gjeta në portofol fotografinë e nënës sime...

- Nuk ke marrë asgjë nga ai?

- Po, kam marrë. Kur isha i ri, bridhja nga lulja në lule, por tani ndihem i plotësuar me Ber- guzarin dhe Aliun. Fatet tona kanë qenë gjithmonë të bashkuara. Në fillim, unë njoha nënën dhe babain e saj, me të cilët kam punuar. Atëhere isha rreth 20 vjeç, ndërsa Berguzari, 12. Pas shumë vitesh, e takova rastësisht, pa e njohur kush ishte, por më tërhoqi shumë. Disa herë e ndoqa fshehurazi... Mes nesh u krijua një lidhje platonike, por mbeti në këtë pikë. Pas shumë vitesh, fati na bashkoi sërish në telenovelën “Një mijë e një net”, ku edhe e kuptuam se mes nesh kishte një tërheqje kimike që nuk ishte zhdukur kurrë... Në fillim, kur u dashuruam, shumë vetë thanë se u ndava nga ime shoqe për shkak të Berguzarit, kur kjo nuk është aspak e vërtetë. Shumë vetë thanë se nuk do të zgjaste, por ja ku jemi sot, me një fëmijë katër vjeçar dhe më të lumtur se kurrë!

- Çfarë ju tërheq më shumë te Berguzari?

- Është shumë energjike, e këndshme, e dashur dhe shumë femër!

- I keni vënë asaj kufij, për shembull, për skenat e puthjes në seriale?

- Ne jemi të dy aktorë dhe e duam shumë punën tonë. Si mund t’i them asaj të mos puthet? Kjo do të thotë se nuk kam besim tek ajo! Ky është profesioni ynë... Edhe unë, për shkak të rolit, kam puthur shumë femra... Shumë njerëz e kanë paragjykuar Berguzarin me rolin te “Karadayi” përkrah Kenanit, por mua as që më intereson se ç’thonë. E mbështes time shoqe në punën e saj dhe do ta mbështes, deri në fund.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.