Nazifi shpallet i pafajshëm. Del nga burgu

Intervista - - TELENOVELA -

Feridja, shumë e shqetësuar për Mahirin, i kërkon Sunës, që po vjen, të thërrasë urgjencën. Ndërsa përpiqet ta ngrejë, ajo shikon se Mahiri ka një plagë, por ky i fundit është i shqetësuar vetëm nëse gjykatësi i ka marrë provat dhe nëse ai do ta lirojë të atin. Feridja i premton se po.

Pasi bën marrëveshjen me Sejisin, Orhani ua dërgon paratë familjarëve të tij dhe vetë kthehet në burg. Feridja e çon Mahirin në spital, ku i thonë se plaga nuk është shumë e rëndë dhe do të përmirësohet shpejt. Mahiri mjekohet dhe me mendjen e tij, del nga spitali, për t’u marrë me çështjen e të atit. Ai, së bashku me Feriden, shkojnë të takojnë në burg Nazifin, për t’i dhënë lajmin e mirë. Nazifi habitet kur i sheh ata të dy aty dhe pyet nëse ka ndodhur ndonjë gjë e keqe. Mahiri i tregon se e mbajti premtimin që i kishte dhënë dikur, se do ta provonte pafajësinë e tij, i tregon në lidhje me dëshminë e Turgutit. Ai i tregon se, po atë ditë, për shkak të daljes së provave të reja, do të zhvillohet seanca e fundit e gjyqit për Nazifin dhe, fill pas saj, do të lirohet. Nazifi nuk e përmban dot veten nga gëzimi, falënderon Feriden dhe i kërkon të lajmërojë prindërit, pasi të nesërmen ata do të shkojnë të kërkojnë dorën e saj...

Mehmeti takohet me Nexhdetin, të cilit i ngarkon si detyrë të merret me një ngarkesë armësh që do të vijë nga Bullgaria, një pjesë e së cilës do të qëndrojë në vend dhe pjesa tjetër, do të dalë nga kufiri tjetër...

Jilani shkon në burg të takohet me Orhanin, të cilit i thotë se bën mirë ta zgjasë qëndrimin në burg sepse kur të dalë, ai do ta vrasë. Atë të dy nisin të grindin dhe mezi ndahen nga rojet. Orhani kërkon të takohet sërish me Sejisin, të cilit i regon për problemin që ka me Jilanin. Sejisi i premton se do ta zgjidhë ai menjëherë atë problem.

Nazifi del në gjyq dhe, pas përballjes me provat e reja, gjykatësi jep vendimin se ai është i pafajshëm dhe duhet të dalë përfundimisht nga burgu. Feridja, Mahiri dhe Nazifi përqafohen me njëri-tjetrin...

Nga ana tjetër, Safija dhe Ilknuri po presin në shtëpi të mësojnë se çfarë ka ndodhur, nëdërkohë që bie dera dhe hyn Nazifi, Mahiri, Feridja dhe Erdali. Safija, e cila nuk e pret ardhjen e Nazifit është shumë e lumtur, ashtu si edhe gjithë të tjerët. Gjatë drekës, Feridja u tregon se të nesërmen, ajo do të kthehet në punë në gjykatë. Para se ajo të ikë, Nazifi i kujton edhe një herë se të nesërmen në mbrëmje do të shkojnë të kërkojnë dorën e saj, kështu që duhet të lajmërojë prindërit.

Ndërsa janë së bashku, Feridja i tregon Mahirit se sa e frikësuar është nga përballja e familjes së saj me atë të Mahirit. Mahiri i premton se askush nuk do t’i mbajë mëri asaj, çfarëdo që të ndodhë. Në mbrëmje, Feridja i thotë të atit se të nesërmen, familja e Mahirit do të vijë të kërkojë dorën e saj. Mehmeti nxehet dhe i thotë se ajo kurrë nuk do të martohet me atë njeri dhe se takimi i tyre, nuk ka për të ndodhur kurrë.

Të nesërmen në mëngjes, për habinë e saj, Feridja dëgjon të atin t’i thotë se mund ta lajmërojë familjen e Mahirit të vijë në mbrëmje tek ata. Feridja, e lumtur, shkon t’i tregojë Mahirit... Nga ana e saj, Kerimja habitet me sjelljen e Mehmetit dhe e pyet atë se çfarë duhet të përgatisin për mbrëmje, por Mehmeti ia bën të qartë se nuk do të bëjnë asnjë përgatitje për atë mbrëmje, pasi ata njerëz nuk meritojnë asgjë...

Ajteni i tregon Safijes se ka patur ca probleme me shëndetin dhe Safija e këshillon të shkojë të vizitohet. Ajteni vizitohet dhe mëson se është shtatzënë. Ilknuri i kujton Mahirit natën para fejesës me Ajtenin, se sa shumë kishte ëndërruar që ajo fejesë të mos bëhej dhe ai të martohej me një njeri që do ta donte me gjithë shpirt dhe ja që kjo ëndërr e saj tashmë po bëhet realitet. Mahiri ia bën të qartë se edhe ajo është e re dhe duhet të mendojë të krijojë sërish familje me dikë që ta dojë.

Feridja i kërkon Mahirit të bëjë një denoncim kundër Sinanit, por Mahiri nuk pranon. Atëhere, në ditën e saj të parë të punës në gjykatë, Feridja i kërkon prokurorit t’i marrë dëshmi Sinanit në lidhje me mbajtjen e provave të rëndësishme dhe mosdorëzimin e tyre në gjykatë, me shpresën se do ta arrestojnë, por Sinani arrin të mbrohet si duhet dhe të shkojë në shtëpi, i pashqetësuar, gjë që e bezdis shumë Feriden.

Suna, nga ana tjetër, i kërkon të falur Ferides për gjithçka ka ndodhur, por kjo e fundit, përkundrazi, e falënderon që e ka mbrojtur në Gjykatën e Lartë dhe i kërkon asaj që të bëhet krahu i saj i djathtë dhe të punojnë së bashku. Suna pranon, e lumtur.

Sejisi shkon te Jilani dhe i thotë se do t’ia falë të gjitha borxhet që i ka, me kusht që ta lërë të qetë Orhanin, por Jilani nuk pranon. Atëhere, Sejisi ia bën të qartë se nëse do t’i ndodhë gjë Orhanit, përveçse nuk do t’ia falë borxhet, do t’i duhet të përballet edhe me zemërimin e tij. Jilani nuk ka rrugë tjetër veçse të pranojë.

Në familjen Kara, të gjithë janë të lumtur dhe përgatiten për të shkuar në shtëpinë e Ferides. Nga ana tjetër, kjo e fundit kthehet në shtëpi dhe gjen vetëm shërbëtoren, e cila i thotë se prindërit e saj kanë dalë. Feridja e pyet se pse nuk kanë bërë asnjë përgatitje për mysafirët që do të vijnë dhe shërbëtorja i thotë se Kerimja nuk i ka lënë asnjë porosi të tillë. Atëhere, Feridja nis të përgatisë vetë kafenë dhe ëmbëlsirat... Kur Mehmeti dhe Kerimja kthehen në shtëpi, sillen sikur të mos ketë asgjë të rëndësishme për atë natë, gjë që e mërzit shumë Feriden...

Sinani shkon në kazinonë e Nexhdetit dhe i thotë atij se ka informacione që shumë shpejt do të vijë një ngarkesë me armë. Ai e ngarkon Nexhdetin të informohet më shumë për këtë tregti dhe i thotë se, nëse do të arrijë t’ia sjellë atij, atëhere do të bëhet shumë i pasur...

Mahiri i jep lule Ferides dhe familja Kara futet në shtëpinë e Mehmetit. Mehmeti prezantohet me Nazifin sikur të jetë hera e parë që shihen dhe Nazifi me të, gjithashtu. Nis biseda dhe në çdo moment, Mehmeti përpiqet ta ulë poshtë familjen tjetër. Nazifi i thotë se ata kanë ardhur që, sipas zakonit, të kërkojnë dorën e Ferides. Mehmeti i përgjigjet se nuk po merret fare me çështjen se Mahiri është thjesht një këpucar i pashkollë, por ai nuk mund t’ia japë vajzën e tij një gangsteri, sepse një gjykatëse nuk mund të bëjë me një gangster. Atëhere Mahiri inatoset dhe Mehmeti i thotë se në këtë mënyrë, ai thjesht po vërteton se është thjesht një gangster dhe se nuk përshtatet me vajzën e tij.

Nazifi përpiqet ta qetësojë Mahirin dhe thotë se do ta çojë deri në fund misionin për të cilin ka ardhur. Ai e pyet qartë Mehmetin nëse përgjigjja e tij për kërkesën e tyre është po apo jo. Mehmeti i përgjigjet se nuk ka vajzë për t’u dhënë atyre!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.