Zbulova se babai im ishte vrasës...

Intervista - - FAQE 1 -

As vetë nuk e di se përse vendosa që ta shkruaj këtë letër. Në mendjen time kam aq shumë mendime, që gjatë këtyre viteve sa vijnë edhe më rëndojnë në shpirt. Jeta ime ka qënë shumë e bukur, por edhe shumë tmerrshme, kur zbulova se im atë ishte një vrasës.

Por mbaj mend nga koha kur isha e vogël, që babai im më donte shumë. Ai kujdesej për mua, ndërkohë që mamaja punonte si mësuese në një shkollë fillore. Ai më këndonte gjithnjë kur më vinte për të fjetur, më krihte flokët, më çonte në kopërshtin zoologjik dhe më qëronte portokalle në oborrin e shtëpisë. Unë isha fëmija i tij i vetëm, që e donte. Por edhe unë, e adhuroja tim atë. Ai ishte aq i dashur dhe i kujdesshëm. Ishte edhe shumë simpatik, me flokë të zinj dhe sy bojëqielli. Ai kishte mbaruar universitetin, por kur isha unë e vogël, për një fare kohe nuk punonte. Ndaj dhe qëndronim shumë bashkë.

Prindërit e mi kanë patur një martesë shumë të zhurmshme. Ata grindeshin aq keq, sa i gjuanin njëri tjetrit me sendet që kishim nëpër shtëpi. Babai shpesh edhe e gjuante mamanë me shpulla. Ndërsa tek unë, ai asnjëherë nuk ka vënë dorë. Kur mbaronin zëniet midis tyre, ai rikthehej tek unë dhe ishte sërish babi im i ëmbël.

Ata u ndanë kur unë isha katër vjeç. Në atë kohë, divorci shihej si diçka shumë negative. Mamanë dhe babanë tim i tregonin me gisht. Ata ishin si delet e zeza të shoqërisë. Por martesa e tyre nuk mund të zgjaste dot më. Kjo gjë e nxehu shumë mamanë time. Ndërsa babai im, u martua menjëherë me një grua tjetër. Sa herë që shkoja në fundjavë për të ndenjur me të, ata vetëm putheshin dhe rrinin së bashku, ndërsa mua harronin edhe të më ushqenin. Unë e urreja gruan e tij, ndërsa atë, çfarëdogjëje që të bënte, e doja shumë.

Mamaja ime, në atë kohë, kishte nisur të mendonte se im atë ishte një njeri i rrezikshëm. Ajo madje lajmëroi edhe familjen tij, por ata menduan se këto gjëra nuk ishin aspak të vërteta. Duke qënë se im atë po përpiqej që të shkonte jashtë shtetit, mami kishte frikë se mos ai më rrëmbente dhe largohej me mua.

Mami më mori dhe më dërgoi tek disa kushërinj, në një qytet tjetër. Ajo qëndronte gjithnjë në kontakt me familjen e babit, por asnjëherë nuk u tha atyre se ku ishim. Gjyshja dhe gjyshi nga mami e ndihmonin atë me para për të jetuar. Unë nuk e pashë babain tim për katër vjet me rradhë. Gjatë kësaj kohe, isha shumë keq. Qaja dhe i gjuaja mamit, duke kërkuar babin. I thosha se e urreja ngaqë ajo nuk më çonte tek ai. Por mami gjithnjë më thoshte se babi ishte mirë, por ishte pak pa qejf dhe nuk mund të kujdesej dot për mua.

Derisa në ditë, më dha lajmin e zi. Unë isha nëntë vjeç, kur mamaja ime më mori për një shëtitje dhe më tregoi.

“Të kujtohet kur të thashë se babi ishte pa qejf dhe i sëmurë?”, më tha ajo. “Po ja... ai është bërë më keq. Ai i ka bërë keq një njeriu tjetër, i cili nuk jeton më. Atij i duhet të shkojë në burg, kështu që njerëzit e tjerë do të jenë më të sigurtë!”.

Në atë kohë, nuk e kuptova edhe shumë mirë. Di vetëm që u ndjeva shumë e inatosur. Gjithnjë kisha menduar që babai im ishte një njeri shumë i mirë dhe që më donte shumë. Ndihesha e tradhëtuar prej tij dhe shumë keq për faktin që kisha urryer mamanë time.

Atë natë, hapa një album me fotot tona, dhe grisja çdo foto ku kishte dalë edhe ai. Pas asaj dite, mami nuk më foli më për babin, asnjëherë.

Edhe shoqja e saj e ngushtë vdiq në atë kohë, ndaj ajo ishte shumë e hidhëruar, me çdo gjë që e rrethonte. Unë nuk doja që ta trishtoja edhe më shumë me pyetjet që doja t’i bëja.

Askush nuk më foli për gjyqin që iu bë tim eti. Unë brenda meje kisha ndjenja kontradiktore, e urreja shumë, por më mungonte po aq shumë.

Një vit më vonë, u kthyem në shtëpi. Një ditë gjeta në dhomën e mamit një gazetë ku kishte një artikull për babin tim. Aty shkruhej se si ai e kishte vrarë gruan e tij të dytë, i bindur se ajo e tradhëtonte. Ai e kishte rrahur, dhe më pas i kishte gjuajtur në kokë, duke e lënë të vdekur. Dhe kishte dashur ta digjte, që ta groposte, por policia e kishte kapur. Teksa lexoja artikullin për babain tim dhe detajet e vrasjes së tij, kuptova se sa i sëmurë mendërisht kishte qënë. Në atë kohë, kisha makthe. Më dilte në ëndërr babi duke çarë kokën e gruas së tij, ndërsa unë qëndroja përpara tyre dhe nuk i ndihmoja dot sepse isha e paralizuar. Ndërsa kur isha zgjuar, mendoja se si mund të gjeja mamanë e gruas që ai kishte vrarë dhe ta ndihmoja financiarisht, apo ta ngushëlloja. Gjithë kjo ishte sepse ndihesha fajtore, por edhe e frikësuar se mos bëhesha si ai. Babai im ishte një mostër, por gjysma e ADN-së sime ishte e tija.

Ndërkohë, babai im qëndronte në burg. Unë jetoja me mamanë dhe gjyshërit e mi. Në shtëpinë tonë, babai nuk përmendej asnjëherë, ndërsa unë kisha nevojë të dija më shumë për të. Ai vërtet ishte vrasës, por në fund të fundit, ishte babai im dhe këtë nuk e ndryshonte dot asgjë në botë. Doja ta takoja, të shkoja në burg dhe ta vizitoja, por kisha frikë t’i thosha mamasë sime. Ajo e kishte fshirë fare nga jeta e saj.

Kështu, gjëja më e mirë që më erdhi në mendje ishte që t’ia kërkoja gjyshes time këtë gjë. Ajo qau kur ia thashë, por nga ana tjetër më tha se askush nuk më pengonte dot që të shihja tim atë. Më premtoi se do të bisedonte me mamin.

Pas një jave mamaja më mori mënjanë. Ajo më tha se do të më shoqëronte për një vizitë te babai.

“Unë nuk e takoj dot”, më tha, “sepse kështu kam vendosur, por ama mendoj se ti duhet ta takosh, por mos harro që ai është një njeri i sëmurë dhe nuk duhet të qëndrojmë shumë me të”.

Takimi i parë me tim atë në burg ishte një eksperiencë e frikshme. E frikshme nuk ishte vetëm rruga për atje, por edhe dyert e rënda, rruga nëpër qeli, zhurmat e tmerrshme që ishin aty, gjithçka. Mendoj se sado i madh të jesh, gjëra të tilla mezi i përballon.

Ndërsa ecja nëpër korridore, mendoja se çfarë çmendurie ishte të jetoje aty. Imagjinoja babain tim dhe se si mund ta shtynte ai ditën. Çuditërisht, nuk kisha frikë prej tij. Nisën të më kujtoheshin gjëra të bukura, mëngjeset tona, lojërat që bënim.

Kur e pashë përballë, nisa të qaja.

Nuk flisja dot asnjë fjalë. Edhe ai më shihte e nuk thoshte asgjë, vetëm qante. Sa doja që ai të rikthehej në shtëpi dhe gjërat të ishin si më parë. Nuk munda të qëndroja dot me të aq sa doja, por në fund të fundit, sado kohë të kisha për të, asnjëherë nuk do të ishte e mjaftueshme. Ato që unë kisha prej tij, ishin vetëm kujtime fëmijërie. Më pas, babai im nuk kishte qenë për mua. Divorci me mamanë time, rimartesa e tij, sjelljet brutale, gjithçka më kishte larguar më shumë prej tij.

Kur u largova nga burgu isha shumë konfuze. E ndjeja se nuk do të kisha asnjëherë baba. Mund të shkoja çdo ditë në burg, por ai nuk do të ishte në ditët e para të shkollës, në ditëlindjet e mia, në momentet më kryesore të jetës sime. Kjo më bënte të ndihesha shumë keq. Nga ana tjetër, ajo që ai kishte bërë herë pas here rikthehej në mendjen time. Përveçse babai im, ai ishte edhe një vrasës.

Gjithsesi, unë vazhdova të shkoja në burg dhe ta takoja....

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.