Pa lënë mirë një grua, u lidha me tjetrën…

Intervista - - FAQE 1 -

E mbaj mend si sot 23 janarin e vitit 1983… Ishte seanca e fundit e gjyqit për zgjidhjen e martesës me M. B. Në atë kohë isha 25 vjeç dhe kisha 3 vjet martuar me atë vajzë. Kur po lexoja afishen në murin e gjykatës së vjetër në Tiranë pashë se m’u afrua një grua 23 vjeçe, e veshur si malësore. Nuk e di në ç’mënyrë magjike ajo u fut në bisedë me mua. Unë isha i shpërqendruar i tëri, ndërsa ajo fliste e fliste pa pushim. Më tha se ishte e martuar në një qytet të vogël të Veriut. Me origjinë ishte nga Myzeqeja. Unë e dëgjoja me kureshtje kur ajo më shpjegonte se nuk ia kalonte mirë me burrin e saj, se familja nuk e pranonte po të bënte ndarjen me të. Familja, sipas saj, kishte të drejtë sepse që në fillim nuk kishin qenë dakord për atë martesë. Dhëndrri që kishte kërkuar dorën e vajzës së tyre nuk i plotësonte kushtet, por vajza e tyre në atë kohë 16 vjeçe mori vendimin dhe shkoi tek shtëpia e burrit. Atje ajo gjeti një natyrë tjetër jetese dhe shumë varfëri. Burri i saj ishte i pashkolluar. Pinte dhe kishte shoqëri të keqe. Ajo ishte e bukur dhe shumë persona kishin qëllime të këqija ndaj saj. E dehnin kastile bashkëshortin e saj për të realizuar qëllimet e tyre. Pasi i shtyu 3 vjet në atë provincë ata lindën dy fëmijë; një djalë dhe një vajzë. Për kushtet e vështira të familjes së burrit ajo u detyrua dhe djalin e dërgoi te nëna e saj për ta rritur. Kishte tentuar disa herë të bënte ndarjen, por siç thashë me lart, familja e saj nuk pranonte.

“Vetë e more dhe aty të jetosh!”, i thonin ata.

Këtë histori ajo po ma tregonte në korridorin e gjykatës.

“Do hyj edhe unë në sallë që ta dëgjoj gjyqin!”, më tha ajo.

“S’ka problem, hajde, por ç’do dëgjosh?”, i thashë unë.

Ttrupi gjykues i asaj kohe u tregua i njëanshëm. Megjithëse unë kisha shumë fakte për ish- gruan time ata nuk m’i morën për bazë dhe unë dola me gisht në gojë. Tani e di se ajo gjyqtare e ka kuptuar që më hyri në hak, por hallall ia bëftë Zoti që më shkatërroi gjithçka se po të ishte gjykuar mirë çështja civile, unë nuk do të isha nxituar më pas…

Duke pësuar një shkatërrim të plotë, pa e kuptuar i hyra një tjetri… Në jetën time po futej pa kuptuar një grua e padivorcuar. Këtë nuk ia fal kurrë vetes sime, por ajo vajzë- grua e martuar e me dy fëmijë po më ngjitej pas si mastiç. Kaluan disa ditë dhe ajo vinte shpesh në Tiranë për të më takuar mua. Të them të drejtën, nuk ndjeja asgjë për atë grua. Nuk e di se si vendosa dhe i thashë “po”. Nuk e dija që ajo “po” do të më kushtonte shumë shtrenjtë në të ardhmen. Ajo “po” do të më merrte rininë.

Ajo bisedoi në telefon me nënën e saj dhe ia tha troç: “Unë nuk shkoj më në M. Jam njohur me një djalë nga Tirana që është ndarë nga gruaja e tij. Kemi rënë dakord që të martohemi bashkë”.

Përgjigjja e nënës saj qe e prerë: “Je menduar mirë për këtë që po bën? Po për fëmijët si do bësh?”.

Ajo mundohej t’ia mbushte mendjen nënës së saj... Erdhi dita dhe unë u paraqita në atë qytet të Myzeqesë ku banonte familja e saj. Ata më pritën mirë, por unë e kuptoja nga sytë e tyre se ata ishin të pasigurtë. E dinin që vajza e tyre ishte “aguridhe” dhe merrte vendime të menjëhershme. E ndjenin se ajo do të ma mërziste jetën me xhelozinë e saj. Ajo ndjehej shumë inferiore ndaj meje. Kur erdhi në Tiranë u gjend në një ambient tjetër shoqëror, që ndryshonte si dita me natën me provincën. Pse thonë: “I riu si veriu”? Vendosëm të bënim një fëmijë. Ajo rrinte e urtë. Më shërbente si në kohët primitive. Më bëri për vete. Lindi dhe vajza, i bëra dhe lejebanimin në Tiranë. Thashë se do ndryshonte në qëndrimet e saj të xhelozisë. Zgjodha përsëri një rrugë të gabuar. Lindi dhe fëmija i saj i tretë vajzë pastaj djalë dhe në vitin 1994 lindi djali I “pleqërisë”. “Epo tani”, mendova unë, “kjo i ka thirrur mendjes”.

Fillova punë gazetar te një gazetë humoristike, por edhe aty nuk po më linte të qetë. Me gjithë ngarkesën e madhe që kisha në gazetë ajo merrte fëmijët përdore dhe më vinte në zyrë. Kjo nuk i pëlqente botuesit që e kam mik dhe një ditë ai më tha: “Dëgjo këtu. Unë kam grua, por s’më ka ardhur asnjëherë në zyrë”. E kuptova. Për të ruajtur miqësinë e lashë punën. Mora Mercedesin dhe dola të punoja taksi në qendër të Tiranës. E çuditshme! Edhe aty ajo më vinte çdo ditë me pretekste të ndryshme. Duke përfituar se dhe shtëpinë e kishim afër Selvisë ajo po më shqetësonte vazhdimisht. Djali i saj që po rritej në qytetin e Myzeqesë mori rrugë të keqe. E plagosën me thikë, por i shpëtoi vdekjes. Më vonë iku me eksodin në Itali. Atje u dënua me 18 vjet burg për shumë vepra penale, por meqenëse ishte adoleshent bëri gjysmën e dënimit.

Në trazirat e ‘ 97- s mora familjen dhe shkova në Turqi. Atje u sistemuam shumë mirë. Punë kishte plot. Qiraja e shtëpisë ishte e pranueshme, por e ndjeja se gruaja ime më fshihte diçka. Gjatë një viti në Stamboll ajo rrinte gjithnjë e mërzitur, ndërkohë që unë nga ekonomia isha shumë mirë. E kuptoja. E kishte mendjen te djali i saj që vuante dënimin në Itali. Në vitin 1998 u kthyem nga Turqia në Tiranë dhe vendosem që me të hollat që kishim, të ndërtonim një shtëpi private në periferi të Tiranës. Në vitin 2003, djali i saj u lirua nga burgu. Babai i vet që e kishte në ngarkim nuk e pranoi. Njerëzit e gruas nuk e pra- nonin, kështu që dola vetë me gruan dhe e pritëm në Rinas. E morëm në shtëpinë tonë. Mendova se tani ai ishte pjekur dhe do t’i futej jetës për së mbari, ndaj i krijova mundësinë dhe i dhashë truall ngjitur me banesën tonë. Ai filloi të ndërtonte një dhomë e një kuzhinë brenda oborrit tonë. Nuk dyshoja tek ai njeri. E merrja shëtitje në Tiranë e pinim kafe në lokale. E dija se ai mbante me vete një thikë dhe disa herë e kisha këshilluar që të mos e mbante atë mjet të ftohtë se ligji e dënonte, por ai kurrë nuk më dëgjoi.

Një mbrëmje, kur ishim të gjithë në shtëpi e po shikonim televizor, ai e la bukën përgjysëm dhe doli në verandë të bisedonte me nënën e vet. Dyshova. Kur erdhën të dy brenda në dhomë, ai nisi të kapej me mua. Fillimisht nuk ia vura veshin, por indiferenca ime e tërboI fare. Mendova me vete: “Çfarë kurthi kanë bërë këta të dy, nënë e bir për mua?”. Muhabeti filloi të trashej.

“Dëgjo këtu ti djalë!”, i thashë unë. “Fajin e kam unë që të bëra si djalin tim dhe të futa në gjirin e familjes sime se të tjerët nuk ta hapën derën.”

“Ik pirdhu!”, më tha ai pa pikë respekti.

“Mos u sill me mua kështu!”, i thashë, “se do njoftoj policinë”.

U ula në kolltuk. Ishte vonë, ora 11 e natës dhe po shikoja një videokasetë me këngë nga Jugu. Ai u fut nga dhoma tjetër, mori thikën dhe më erdhi pas shpine. Vajzat e panë dhe bërtitën me të madhe. Nuk kisha nga të lëvizja. Ai ma drejtoi thikën pas shpine drejt për në zemër, por unë lëviza nga vendi, vajza futi dorën dhe thika e tij m’u ngul në shpatull. Ai u hodh nga dritarja dhe u zhduk në errësirë. Njoftova policinë. Ata më çuan në Spitalin Ushtarak dhe më mjekuan. Nga Italia, për gjithë natën, djali im mori avionin dhe erdhi në Shqipëri. I shkoi në birucë.

“Pse e bëre këtë krim?”, e pyeti.

Ai filloi të justifikohej se gjoja kishte qenë i dehur dhe nuk mbante mend asgjë. Djali im, shumë i shqetësuar u interesua për mua ditë të tëra derisa humbi edhe vendin e punës në Milano. Pastaj me pjekuri më tha: “Babi, ai e bëri krimin, është i mbaruar. Ai nuk bëhet kurrë njeri. Hiqe denoncimin dhe le të shkojë në Brazil te gruaja e tij. Ajo e pret atje”.

“Po me nënën e tij, që është dhe nëna jote, ç’të bëj?”, i thashë unë me indinjatë. “Dëgjo”, i thashë unë. “Po nxora atë nga burgu, nënën tënde do ta ndaj”.

“Ti e di vetë!”, më tha. “Vendos dhe gjej rrugën më të mirë”.

Pa ca ditësh ai shkoi në Itali, ndërsa djali i gruas sime doli në gjyq. Unë mora vendimin për ta falur këtë njeri se ai kështu e kishte nisur jetën, por gruan do ta ndaja. Ajo patjetër kishte gisht në këtë ngjarje. Ndoshta pa vetëdije ajo diçka kishte biseduar me djalin e saj dhe ai vendosi të më vriste.

Në sallen e gjyqit tërhoqa denoncimin për t’i dhënë edhe një herë dorën që ai të bëhej njeri. Ai iku në Itali ku ndodhet edhe sot. Atij ia fala, kurse gruas jo. E ndava. Fëmijët i mori ajo në ngarkim. Gjithnjë kur mendoj këtë gjë, i them vetes në heshtje: “Jam vetë fajtor që bëra një zgjidhje të gabuar”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.