Lente kontakti teleskop

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Shkencëtarët zviceranë dhe amerikanë prezantojnë lentet e para të kontaktit që funksionojnë si teleskop, sepse i lejojnë përdoruesit të shohin nga afër dhe të zmadhuar çdo gjë dhe të përmirësojnë kështu ndjeshëm shikimin e tyre. Megjithëse në fillim ato u konceptuan për t’u përdorur nga ushtria amerikane, lentet bionike tashmë do të kenë një përdorim më të gjerë, sidomos për të moshuarit, të cilët kanë pësuar një degjenerim makular (humbje e vizionit qendror për shkak të moshës). Lentet, të cilat në fillim u përdorën nga Programi i Avancuar i Kërkimeve për Mbrojtjen, në Pentagon, u krijuan nga një ekip studiuesish, i kryesuar nga inxhenieri optik, Erik Tribler, i Institutit Federal të Teknologjisë së Lozanës, Zvicër.

Lentet me trashësi 1.5 milimetra, kanë në përbërje të tyre teleskopë mikroskopikë prej alumini, që ndërveprojnë me një palë syze elektronike “inteligjente” dhe i japin përdoruesit mundësi të rregullojë shikimin e tij, në normal, ose të zmadhuar. Nëse pulit syrin e djathtë, lentet bëjnë një zoom deri në 2.8 herë, ndërsa nëse pulit të majtin, ato kthehen përsëri në shikimin normal.

Shkencëtarët mendojnë se, për momentin, lentet janë ende në fazën e studimit dhe duhet të kalojnë provat klinike te njerëzit, por në të ardhmen mund të përbëjnë një zgjidhje alternative për njerëzit që vuajnë nga degjenerimi makular. Deri atëherë, shkencëtarët do të punojnë ende për zvogëlimin e lenteve, që ato të bëhen më të lehta dhe fleksibël, edhe për ata që do t’i përdorin për shumë kohë. Ekipe të tjerë shkencëtarësh kanë krijuar lente zmadhuese “inteligjente”, që mund të kontrollojnë edhe rritjen e presionit të gjakut në sy (rrezik për glaukomën), ose nivelin e sheqerit (të nevojshme për diabetikët). Kështu, lentet e reja duken më shumë si të dala nga një film i Xhejms Bondit!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.