Çfarë të bëj me këtë djalë nevrik?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Ju lutem, më ktheni përgjigje sa më shpejt nëse është e mundur për një problem timin. Kam një djalë 21 vjeç që nuk më bindet dhe kundërshton për çdo gjë, thyen gjërat e shtëpisë po t’i flasësh. E kam provuar me të mira, por hiç, asgjë. Me të këqija, asgjë. Nuk thotë fare se ku ikën dhe çfarë bën, s’të merr leje kur ikën. Nuk di çfarë të bëj me këtë djalë. Më ndihmoni, ju lutem, me një këshillë. Faleminderit.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: - Letra juaj më bëri të ndjej keqardhje pasi djali juaj 21 vjeç qenka vërtet shumë problematik. Porse, unë do të doja t’ju bëja juve disa pyetje dhe një ndër to është: Ky djalë kaq problematik, është i tillë edhe jashtë shtëpisë, apo ka gjetur shtëpinë si një “gropë zbrazjeje” e siç i thonë, gjen shesh e bën përshesh? Tjetër, desha t’ju pyes për veset që ai ka; mos është ndonjë përdorues droge, alkooli, bixhozi, a vazhdon shkollë apo ndonjë punë? Me kë nxehet, përse nxehet, a vepron kështu me të gjithë apo ka disa para të cilëve rri “sus” ndoshta nga frika apo sepse i “hahet” muhabeti? Besoj se edhe vetë ju e kuptoni se do të na duhet një bisedë e shtruar që të kuptoj edhe unë se përse është i tillë ky djali juaj dhe ndoshta na del edhe i sëmurë me depresion e ju nuk e kuptoni. Pra, duhet të dini se çfarë duhet të bëni me të, si të veproni e si ta trajtoni. Këto gjëra e ca më shumë trajtimi i tij, kanë rëndësi sepse sa më shumë kalojnë vitet, aq më i vështirë bëhet rikthimi i tij te normalja pasi vjen një kohë që të këqijat “piqen” edhe më tepër e bëhen kështu “pjesë” e tij, nëse nuk hiqen që tani në rini.

Unë kam punuar në krye të stafit të psikologëve dhe sociologëve në Ministrinë e Drejtësisë ku mbulonim të gjitha burgjet dhe paraburgimet. Sapo binte në burg një i ri, e studionim atë gjithanshmërisht për të parë se cila rrugë e kishte sjellë në burg dhe se ç’duhet të bënim për ta rehabilituar e integruar. Nga studimet dilnin disa të dhëna të çmuara që duhet t’i kenë parasysh prindërit. Pjesa më e madhe e atyre që kishin rënë në burg, nuk ishin plotësisht vetë fajtorë për fatkeqësinë e tyre e që e qanin me lot humbjen e lirisë. Disa kishin ecur “kuturu”, pa e di- tur se ku po i çonte rruga e nisur, madje pa e ditur as se ç‘është burgu ose duke menduar, siç thonë ca “cuba” jashtë burgut, se “burgu për burra është”. Vetëm në kushtet e burgut këta farë “burrash” e kuptonin se s’janë treguar burra të zot e të mençur që kanë rënë në burg dhe kanë humbur gjënë më të çmuar: Lirinë. Shumica prej tyre, jo se vuanin para rënies në burg nga “ethet” e krimit, por kishin bërë një jetë të “shkapërdredhur” pa arritur as ngritjen shpirtërore e as atë intelektuale. Ata, më së shumti, kishin jetuar në detin e padijenisë me “moton” e papërgjegjshme: “Ku rafsha, mos u vrafsha”(!). Rruga e ngritur shpirtërore dhe intelektuale është rruga e mësimit dhe e ndryshimeve pozitive gjatë tërë jetës. Vetëm kështu, çdo gjë, gradualisht, merr kuptim e përmbajtje. Ata, sa më tepër ngrihen shpirtërisht, aq më mjeshtra të të jetuarit bëhen. Një pjesë e tyre, ende pa rënë në burg, i kishin dhënë aq “sinjale” që tregonin se gjërat me ta nuk shkonin në rregull, por prindërit ose ishin treguar indiferentë, ose kishin besuar se gjërat mund të rregullohen vetvetiu. Mirëpo psikologu më i mençur, Populli, thotë: “hyzmeti-kësmeti”. Raste të tilla duhen trajtuar intensivisht me psikolog. Mirëpo, edhe pse nënvetëdija jonë na paralajmëron në mënyra të ndryshme me disa ngjarje të lehta, sulme ankthesh, depresione apo simptoma të tjera, deri edhe me ëndrrat e këqija, ne përsëri nuk ia vëmë veshin, ca nga padi- turia jonë e ca nga dhimbshuria e tepruar, e cila në mjaft raste, rezulton të jetë një këshilltare e keqe. Kështu, pra, kur ndodh më e keqja, të gjithë mund të qortojmë veten e të themi: “Ku ishim?!”. Le të mos tregohemi fodullë! Pek, në librin e tij për ngritjen shpirtërore ( pjesa e II fq. 136), shkruan: “Vetëm ata që pranojnë përgjegjësitë dhe e kuptojnë se këto simptoma janë manifestimi i çrregullimeve në shpirtin e tyre, do të pranojnë mesazhin e nënvetëdijes e cila na paralajmëron se duhet që të vetanalizohemi dhe të vetëpërmirësohemi... Do të pranojnë dhimbjen dhe punën, të cilat janë të domosdoshme që të shërohen. Atyre që janë të gatshëm të ballafaqohen me psikoterapinë, u vjen edhe dhurata e madhe...”

Kështu pra, i thamë të gjitha këto, pasi mundet që edhe djali juaj vuan kohë pas kohe nga këto lloj “krizash të vogla” dhe siç bëjnë jo pak të rinj, për t’u qetësuar, largohen nga shkolla, nga puna, u ikin aktiviteteve e punëve të dobishme e duke u munduar që të çlirohen nga vuajtjet e lëndimet, disa fillojnë të përdorin alkool, drogë, jetë nate etj. pra, krijojnë varësira nga substancat, seksi, bixhozi, u bëhet si zakon i keq jeta pa djersë dhe vetëm “dëfrimi” u intereson. Këto lloj varësish, apo ndonjë dashuri e njëanshme, i nxjerrin të rinjtë nga binarët. Kështu, ata mbushen jashtë shtëpisë si reja e zbrazen brenda, si shiu... Duhet ta trajtojmë, sa nuk është vonë...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.