Çfarë të bisedoj që të jem interesant?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Të nderuar psikologë, desha të bëj një pyetje që, me siguri, do të jetë interesante për të gjithë, pasi çdokujt i pëlqen të marrë udhëzime për komunikime të mira. Pyetja ime është: Si mund të dukeni sa më i mirë dhe sa më simpatik gjatë një bisede me partnerin ose partneren, që ju pëlqen? Çfarë bisedash rekomandoni të bëjmë që të dalim sa më të mirë përpara partnerit që kemi përballë? A mund të më ktheni një përgjigje? Faleminderit.

Borana Marku, psikologe: - Kjo, për të cilën na pyesni, është një temë shumë e gjerë dhe nga ana tjetër, për të dhënë një përgjigje të detajuar për ju, konkretisht, duhet të dimë se çfarë natyre keni ju dhe çfarë natyre ka marrëdhënia juaj. Për këtë arsye, do t’ju japim disa këshilla bazë, të cilat janë të rëndësishme, sidomos në takimin e parë dhe që, siç edhe ju theksoni në letrën tuaj, mund t’ju hyjnë në punë jo vetëm juve, por të gjithë atyre që po na lexojnë në këtë moment. Së pari, duhet të keni vetëbesim. Të kuptohemi, vetëbesim dhe jo mendjemadhësi, të vini në dukje karakterin dhe personalitetin tuaj. Asnjë person nuk është i përkryer dhe nëse hiqeni si i tillë, do të dukeni qesharak apo sikur fshihni diçka dhe do ta largoni menjëherë atë që keni përballë. Rregulli i artë është: Së pari, të jeni vetvetja! Duke qenë vetvetja, jo vetëm që do t’i bëni një “nder” të madh vetes suaj, sepse do të shpëtoni nga shtirja e nga presioni që ajo sjell me vete, por edhe do të zbuloni se me çfarë personi keni të bëni. Së dyti, jini i duruar. Duke qenë i/e tillë, nuk e vini në pozicion të vështirë atë që keni përballë dhe në njëfarë mënyre ia impononi që ai/ ajo të jetë gjithashtu më i/ e lirshme. Nuk duhet të gjykoni dhe nuk duhet të flisni shumë, por pak dhe saktë. Përqendrohuni te biseda e personit përballë, mos ngurroni ta shikoni në sy, jo duke e vënë në siklet, por duke u treguar i vëmendshëm. Në këtë mënyrë, do të mësoni çfarë e tërheq. Mos ngurroni t’i bëni pyetje të tilla, si: “Çfarë pasionesh ka? Çfarë e tërheq te ky pasion, te kjo punë etj.” (Asnjëherë mos e pyesni sa e ka rrogën!). Duke e pyetur për pasionet e për punën, do t’i jepni mundësinë të flasë më shumë dhe ju të mësoni më shumë, gjithashtu edhe ai apo ajo të krijojë besim te ju dhe të ndihet rehat.

Diçka tjetër që duhet të keni parasysh, është që të keni humor, gjë që tregon që jeni të zgjuar. Humori, e qeshura e bën çdo person të këndshëm dhe tërheqës në shoqëri. Sinqeriteti po kështu është një armë shumë e fortë, tregon ndershmëri. Jo të mburreni, duke thënë se jeni i sinqertë sepse kështu, automatikisht, do të bëni efektin e kundërt, do të krijoni përshtypjen e një njeriu mashtrues. Thjesht, thoni gjëra që ju pëlqejnë, ose ndonjë gjë të tipit: “Do të më pëlqente që dikush të ma thotë si të mirën, ashtu edhe të keqen në sy”. Në këtë mënyrë, krijoni përshtypjen e personit të sinqertë dhe kjo, sigurisht, e tërheq tjetrin. Të jeni po kështu elastik dhe të pranoni komplimentet që ju bëjnë, por jo ta teproni duke folur më pas rreth jush. Mund të thoni “faleminderit” dhe të vazhdoni bisedën me gjëra të tjera. Nuk duhet të mburreni dhe të flisni më shumë rreth pasioneve, punës e fushave që shikoni që i pëlqen atij ose asaj. Këto janë pak a shumë disa këshilla nga ana ime si psikologe. Pjesa tjetër varet edhe nga ai apo ajo që do të keni përballë, por gjithsesi, merreni me qetësi dhe çdo gjë do të shkojë mirë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.