Adriatik Llalla: “Për ndjekjet penale, kam ruajtur raportet pozitë-opozitë”

Intervista - - AKTUALITET -

Zotin Adriatik Llalla e takuam në zyrën e tij, të rrethuar nga qindra dosje dhe të stërlodhur nga puna e shumtë mbi to.

Kaso Kosa: - Zoti Prokuror i Përgjithshëm, deshëm të bënim një intervistë për punën tuaj, që duket se është shtuar shumë kohët e fundit...

Adriatik Llalla: - Po, dhe jam krenar për këtë. Kemi dënuar këto tre muajt e fundit 948 persona, nga të cilët 475 të majtë dhe 473, të djathtë...

- Pse, keni filluar tani t’i evidentoni keqbërësit edhe sipas bindjeve politike?

- Ta pret mendja, Kaso. Ja, le të marrim tritolvënësit. Ne, si prokurori, duhet të mësojmë jo vetëm se cilat janë motivet e vënies së tritolit, por edhe krahët politikë të shoferit, apo të pronarit të dyqanit, të vënësit të tritolit, krahinës nga është njëri e tjetri e shumë gjëra të tjera. Kjo e bën më efektiv hetimin dhe gjykata e ka shumë më të lehtë dënimin e njërit, apo tjetrit. Për shembull, kur vënësi i tritolit është i të njëjtit krah politik më të dëmtuarin, është logjike që dënimi do jetë më i lehtë sepse, brenda radhëve të tyre ata nesër e gjejnë gjuhën, siç ka ndodhur me zotin Berisha, që edhe i ka rrahur hapur në mes të sheshit Preçin, Frrokun, Imamin, Cekën e të tjerë, përsëri i ka marrë dhe u ka dhënë poste kyçe në qeveritë e tij. Ndërsa kur janë të kaheve të kundërta politike, dënimet varen edhe se sa peshë ka njëri ose tjetri, domethënë, i dëmtuari apo dëmtuesi.

- Në ç’kuptim ta marrim fjalën “peshë” në këtë rast?

- Po ja, kur në pushtet është krahu i kriminelit, dënimi duhet të jetë më i butë se këtë na e favorizon edhe kodi penal i cili ka hapësira që të veprosh për qejf. Për shembull, për armëmbajtje pa leje, dënimi shkon nga gjobë, deri në tetë vjet burg. Kur këtë armë pa leje e mban një përkrahës i opozitës, atij i jepet maksimumi, tetë vjet fiks!

- Para disa kohësh, premtuat arrestime të bujshme, po sikur nuk po i shohim...

- Pse, pak ju duket juve arrestimi publik i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Fullani? Po zoti Shpëtim Gjika, nuk jua mbush syrin? Po Xhelal Mziu, kollaj mund të arrestohej?

- Opinioni publik mendon se ndalimi spektakolar i Fullanit ishte një shou sepse pas një jave, ai u la i lirë, madje Presidenti e ftoi edhe në festa solemne, në ballo...

- Atë s’e di unë, atë e di politika. Harruat ju që pas arrestimit që i bëra Fullanit, as të majtët në pushtet e as të djathtët, nuk u ndjenë nja tre a katër ditë, me merakun se pas tij do të arrestoja të tjera koka të mëdha? Ato ditë më mbytën telefonatat nga miqtë e mi të djathtë e të majtë, që më pyesnin se cili do ta kishte radhën pas Fullanit...

- Edhe për arrestimet shikoni krahët politikë?

- Po. Unë gjatë këtyre një vit e gjysëm në pushtet të të majtëve, jam përpjekur dhe ia kam arritur të ruaj rraporte barazie mes ndalimeve të të majtëve dhe të të djathtëve. Konkretisht, pasi arrestova Shpëtim Gjikën në Vlorë, menjëherë hapa hetime për Xhelalin e Kamzës dhe Gate Mahmutajn, duke barazpeshuar dy këta të PDsë që kishin jo shumë peshë, me një të PS-së, që rëndonte shumë. Sa hapa hetimet për deputetin Arben Ndoka, që rrahu Strazimirin, hapa hetimet edhe për deputetin Astrit Veliaj, duke ruajtur rregullisht balancat mes të dy krahëve. Po arrestuam, bie fjala, Arben Imamin, si ish-ministër mbrojtjeje, për shpërdorim detyre, trafik armësh etj., do të më duhet të arrestoj edhe Mimi Kodhelin, po për trafik droge, për shpërdorim detyre... Po të vijë rasti të arrestoj Berishën me një lumë akuzash, më duhet të arrestoj edhe Ramën, po për një lumë akuzash, duke siguruar balancim politik dhe drejtësi. Me këtë peshore kam punuar deri sot, me sukses.

- Këto ditë, Izet Haxhia ka akuzuar publikisht ish-kryeministrin dhe ish-presidentin Berisha si kreu i krimit në të gjitha vitet e tranzicionit. Pse nuk veproni? Keni frikë?

- Bah! Ku e njoh unë frikën? Unë jam nga ata që nuk pyes as për presidentin e sotshëm, zotin Nishani, por për Berishën, gjërat janë ndryshe. U kam kërkuar prokurorëve të mi ta marrë njëri prej tyre përsipër që ta hapë hetimin mbi këto akuza, po e dini se si më janë përgjigjur? “Pse të ngatërrohemi kot me politikanët, mor shef, përderisa Doktorin nuk e kërkon ta ndjekë penalisht pozita, qeveria e Rilindjes, e cila premtoi se do të ndëshkojë të gjithë abuzuesit me pushtetin, ku kemi ne forcë morale ta bëjmë?”. Në fund të fundit, ky Izeti mund të flasë kot më kot, për të na ngatërruar e për të na futur në qorrsokak, sa për të shtuar edhe mijëra faqe të tjera dhe qindra dosje, mbi ato që kemi.

- Keni tani një rast konkret nga ana e Filip Çakuilit që kërkon dënimin e Doktorit për dëmtim të imazhit të tij. Do ta merrni aktakuzën dhe të filloni çështjen penale?

- Ne jemi institucion serioz! Ne nuk merremi me shakara të tilla që ta dënojmë Doktorin me një gjobë 1 lekë, se i ulim vlerën vetes. Ne do pranonim të hapnim çështje penale ndaj Doktorit po qe se Filipi për dëmtim të imazhit, të kërkonte një milion euro, nga të cilat edhe prokuroria mund të përfitonte diçka. Mirëpo ç’ndodh? Filipi këtej kërkon dënim, këtej tallet duke dashur të ulë vlerat e institucionit tonë serioz, i cili të detyrohet ta shpallë ish-presidentin fajtor e ta dënojë me 1 lekë gjobë? Jo, kërkesë-padinë e tij nuk mund të shqyrtojmë. Ul autoritetin tim, që e kam vënë me mund, në këta dy vjet në detyrë!

Bisedoi me shaka: Kaso KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.