Roza Lati: Nuk jam njeri me dy fytyra!

Intervista - - TELEVIZION -

Do t’ju flas për një vajzë shumë qeshur, shumë spontane edhe “shumë të çmendur”... Roza Lati, emër shumë i njohur në mediat tona, një shou girl aq e dashur për publikun, e thjeshtë në komunikim, tashmë ka marrë një nismë të re në Agon Channel, “Thuaj 33”. Pikërisht ky është emisioni i saj më i ri, një kuic me pyetje ku, siç e thotë vetë edhe Roza, fitohen para dhe ku ka para, ka interes dhe shikueshmëri të lartë. Titulli i emisionit është marrë nga titulli i emisionit të ngjashëm italian “Dica 33”. Përpos karrierës së hershme, Roza në këtë intervistë na rrëfen miqësinë e ngushtë, momentet e bukura dhe më pak të bukura të kaluara në jetë. Duket sikur viti që shkoi për të solli shumë ndryshime pozitive edhe gjithashtu ishte viti i saj me fat. Tashmë, ajo jeton në një apartament më vete, me një maçok dhe e gatshme për sfida të reja për të ardhmen. Tregon se ka njohur dikë me rëndësi, por se kë, nuk preferon ta rrëfejë tani. Duke i uruar Rozës shumë suksese në emisionin e ri, ju ftoj të lexoni intervsitën e saj kaq gazmore edhe kaq të drejtpërdrejtë…

Rita Rrjolli: - Roza, cila është dëshira që do të realizosh për këtë vit?

Roza Lati: - Të jem një shkallë më lart, që do të thotë, pak më shumë progres në çdo fushë të jetës. Një shkallë më lart dua, se po i ngjita nga tre e nga katër, rrëzohem dhe vritem keq pastaj. (Buzëqesh)

- Pengu më i madh që të la viti që kaloi?

- Asnjë peng. 2014-a ka qenë një vit i fuqishëm për mua. Thanë që ishte viti i Binjakëve dhe besoj vërtet që ishte viti im, sepse çdo gjë që kisha në plan, e realizova, duke filluar nga një bashkëpunim i fuqishëm me Agon Channel, me tre emisione: “Antilope”, ku kam patur kujtimet më të bukura të karrierës sime, me “Heart Attack” që mori dy çmime për 2014 dhe me “AgonLand”, që në verë kthehej në “SummerLand”, ku kam xhiruar superfestat më të bukura verore, me mua aty në krye, duke shpërthyer. (Qesh) Kjo, nga ana profesionale. - Po nga ajo personale? - Bëra pagëzimin në 2014-ën, ndaj mund të më quash Roza Kristina Lati. E bëra në emër të babit tim, Kristos. Dola nga shtëpia, strofulla e mamit, kam dalë të jetoj vetëm. Shtëpi me vete, përgjegjësi më shumë, një nivel i ri në jetën time, që arrita ta realizoj në vitin 2014. Bleva makinën time të parë, një Smart. Shtova një pjesëtar të ri në familje, një maçok me emrin Pasha. Njoha dikë në 2014-ën dhe fillova t’i jap rëndësi. Tani që po i shkruaj dhe po i mendoj, mund të them që 2014-a ishte një vit fantastik për mua. Kjo 2015, më gjeti shumë ndryshe.

- Pra, paskemi të reja në jetën tënde? - Shumë… - Çfarë nuk bëre dot? - I bëra të gjitha… Çfarë doja të bëja, u kry. (Qesh)

- Vjen me një program të ri… Ç’do të ketë ndryshe “Thuaj 33”?

- “Thuaj 33” është një emision argëtues ku hyn leku dhe dihet, kudo që hyn leku, gjërat bëhen më interesante. Emisioni përbehet nga loja me pyetjet ku çdo pyetje vlen 3300 lekë të reja. Ajo që është ndryshe në këtë emision, është Roza. - Kush e zgjodhi titullin? - Siç është emisioni “Thuaj 33”, është edhe emisioni binjak “Dica 33” në Agon Channel në Itali, ndërsa në dixhital tokësor në Itali, kanali 33 është Agon Channel!

- Nëse do të ishe ti në vend të publikut, çfarë do ndryshoje?

- Ku? Si? Te Roza? Hëm... Mendoj se duhet të pyesësh publikun e emisionit për këtë.

- Gjëja e parë që mendon kur del para kamerave...

- “Kupa me kapak, kupa pa kapak”, e thënë me një frymë dhe shpejt. Kaq! Çdo gjë tjetër, mbasi ndizet drita kuqe, është spontane. Nuk eci asnjëherë me skenar, kurrë.

- Gjëja që të ka bërë përshtypje kohët e fundit...

- Më ka bërë përshtypje se si njerëzit nuk i festojnë më festat si dikur. Asnjë lloj feste. Njerëzimi ka kaluar në nivel menefregizmi. Jane bërë të gjithë cool-era. Me sa po shoh, festat kanë pasur vlerë për ne, vetëm kur kemi qenë fëmijë.

- A qan Roza Lati për diçka që nuk i realizohet?

- Jo. Unë s’para qaj, përveçse kur shikoj ndonjë film. A, aty po! Aty s’përmbahem dot. Kam karakter shumë të fortë. Haj veten me dhëmbë dhe gjithsesi, përmbahem që të mos qaj. Nëse qaj, të jesh e sigurt që jam vetëm, në një ambient të izoluar.

- As kur nuk të realizohet një dëshirë nuk qan?

- Nëse një dëshirë nuk më realizohet, kjo ndodh vetëm nëse unë jam shpërqendruar me një dëshirë tjetër më të fortë dhe e kam lënë vetë mbas dore. Unë po i hyra diçkaje, IT’S MINE (është e imja).

- Ç‘ kuptim kanë ëndrrat për ty?

- Motivim… Ke një pretendim për veten tënde që e ëndërron dhe do ta realizosh me patjetër.

- Nëse do ta hidhje jetën tënde në letër… Cilat do ishin dy gjërat që do t’i përmendje medoemos?

- Dy gjërat e para që do shkruaja, janë: Nëse jam kjo që jam dhe kam dashurinë e të gjithë atyre që e meritoj, është sepse jam e qeshur, pozitive dhe e dashur. Qesh miku im! Merre me pozitivitet jetën, miku im! Bëji për vete të tjerët me humorin tënd dhe pozitivitetin tënd, që kur të ngrihesh nga tavolina, të ta ndjejnë mungesën. Bëhu i pazëvendësueshëm!

- Merr një gotë verë në dorë… Dëshiron të kesh miq pranë, apo ta shijosh e vetme?

- Vera është pija ime e preferuar. Vera e bardhë, më saktë dhe asnjëherë nuk e pi vetëm. Jam gjithmonë në shoqëri të të tjerëve.

- Miqtë e tu i numëron me gishtat e dorës, apo janë të shumtë?

- Rita, kjo është pyetje me vend, sepse njerëzit e shohin që unë jam fol e qesh me të gjithë dhe mendojnë se jam e shpërndarë me shoqërinë. Kam shoqëri pa fund, kjo është e vërtetë. Kudo që shkoj, kam plot njerëz për të përshëndetur, por shoqëria ime personale, është ajo e periudhës e gjimnazit. Miqtë e mi të ngushtë i kam nga bangat e gjimnazit. Futet këtu Dorin Leka, shoku im i ngushtë, vëlla për mua, për të cilin jam krenare dhe mikesha ime më e mirë, Matina Lulo. Para dy javësh isha shumë sëmurë, me 40 gradë temperaturë, mami ishte ne Francë dhe Matina më ka ndenjur mbi kokë. Ka bërë gjithçka për mua, si unë për atë. E vetmja femër më të cilën nuk jam zënë kurrë. Nëse këto dy emra më erdhën ndërmend tani, besoj, prioritetet flasin vetë.

- A ka pasur një moment në jetën tënde që je ndjerë në udhëkryq?

- Po, plot momente… Dhe, e di ç’kam bërë? Asgjë! Asnjë lëvizje. Thjesht, kam kaluar ditët në heshtje, por duke vëzhguar me të tëra shqisat e përqendruara dhe gjithmonë më ka ardhur jeta në atë mënyrë, që më është bërë shumë e qartë nga Zoti cilën udhë të marr.

- Një gjë që do ta thuash, po deri më sot, s’ke pasur rastin ta bësh...

- S’kam lënë gjë pa thënë, të them të vërteten. Shquhem për sinqeritet. Flas hapur. Ndonjëherë kam delikatesë kamionisti kur flas, por njerëzit e vërtetë janë ata që ecin në jetë me një, jo me dy fytyra.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.