Tuba Bujukustun: Dashuria me Omerin, ndryshe nga të tjerat...

Intervista - - TELENOVELA -

Megjithëse tashmë është një nga aktoret më të njohura dhe më të dashura, jo vetëm në Turqi, por edhe në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan, Tuba bën një jetë të thjeshtë, bashkë me dy binjaket e saj, Maja e Toprak dhe me bashkëshortin aktor, Onur Sajlak. Ja, çfarë tregon ajo për fansat e saj, të cilët janë të shumtë edhe në Shqipëri...

- Tuba, në një intervistë të mëparshme, ju keni thënë se kimia mes aktorëve është shumë e rëndësishme. A e keni patur një kimi të tillë me Enginin, ose ndryshe, Omerin e “Diamante dhe dashuri”?

- Mund t’ju them vetëm se mes nesh, gjërat po shkojnë shumë mirë...

- Si ndihesh kur je kaq e dashur edhe jashtë vendit?

- Me thënë të vërtetën, jam pak e surprizuar. Pas Lindjes së Mesme, më pëlqen kur ballkanasit apo edhe pakistanezët më njohin dhe kërkojnë të bëjnë foto me mua... Mund t’ju them se këta njerëz janë më të ngrohtë sesa evropianoperëndimorët, ata duan të të prekin dhe të të përqafojnë... (Buzëqesh) - Ju bezdis fama? - Unë bëj një jetë të thjeshtë dhe të qetë. Vendi ku jetoj dhe gjërat që më pëlqejnë, nuk më bëjnë të ndihem e famshme...

- Ka ndonjë gjë që nuk mund ta harroni, në lidhje me fansat?

- Ata e mbajnë mend gjithmonë ditëlindjen time dhe atë të fëmijëve. Kur linda binjaket, ata bënë një doacion në Fondacionin për fëmijët autikë. Më bënë shumë të lumtur... kuptova se sa mirë më njohin, pasi këto janë gjëra që më bëjnë më të lumtur sesa dhuratat.

- Mendoni se fansat ju duan më shumë tani që jeni bërë nënë?

- Nuk besoj, por mund të them se u preka shumë kur mora një letër në të cilën shkruhej se “Topraku dhe Maja janë fëmijët që kanë më shumë teze e dajallarë”. Më duket sikur po i rris fëmijët e mi për ta.

- Çfarë bëni kur keni një ditë të lirë?

- Luaj me

vajzat. Përpiqem të mbaroj punët kur ato janë duke fjetur. Kur ke fëmijë, s’mund të bësh gjë tjetër. Kam kohë që nuk po lexoj dot një libër...

- Keni ndonjë sekret të lidhur me bukurinë dhe sportin?

- Pas lindjes, gati sa nuk nisa të merresha me sport... (Qesh) Shtova 16 kile gjatë shtatzanisë, por humba 15 brenda tre ditëve të para pas lindjes. Me thënë të drejtën, nuk jam nga ata tipat që vdesin të bëjnë muskuj. Mua më pëlqen të ha dhe produkte bukurie kam nisur të përdor tani, së fundmi, ndonëse jam më e prirur ndaj produkteve natyrale. Nuk është se shkoj te parukieri për të bërë maska për flokët... gjithçka mund ta bëj vetë, në shtëpinë time.

- Kam dëgjuar se ju përdorni transportin publik...

- Po, është e vërtetë. Përdor autobusin...

- Pse pranuat të luanit në “Diamante dhe dashuri”?

- Më pëlqeu shumë skenari. Në ditët e sotme, nuk mund të gjesh skenare kaq të mirë. Kur më kërkuan të luaja, ishte periudha kur doja të rrija me familjen time e të pushoja, por skenari më tërhoqi aq shumë sa nuk i rezistova dot. Është vërtet një histori dashurie, ama një histori dashurie shumë e veçantë... Nga njëra anë, Elifi ka krijuar një imazh për familjen e saj dhe një ditë, kupton se njerëzit e saj më të dashur, në të vërtetë, kanë një jetë krejt tjetër nga ç’e mendonte ajo. Pak nga pak, bëhet Omeri, njeriu të cilit ajo i beson më shumë...

- Çfarë e bën të veçantë dashurinë e Omerit me Elifin?

- Skenaristi ynë na tha: “Njerëzit mendojnë se dashuritë e sotme nuk janë të magjishme, por kur dy shpirtra binjakë gjejnë njëri-tjetrin, dashuria shndërrohet në një legjendë”. Elifi dhe Omeri janë që të dy të zhgënjyer nga njerëzit e tyre të afërm dhe së bashku, do të ndërtojnë një marrëdhënie të fortë. Besoj se njerëzit do ta shijojnë lidhjen e tyre...

- Ju dhe bashkëshorti juaj jetoni të dy me aktrimin... Ju shqetëson e ardhmja?

- Po, na shqetëson. Kalojmë shumë kohë në punë dhe nuk na mbetet kohë për fëmijët. Unë nuk dua që pas njëzet vjetësh, të mos e kujtoj dot këtë periudhë të jetës sime.

- Por të kesh një bashkëshort aktor, mund të jetë edhe një avantazh... - Po, është një avantazh shumë i madh, sepse e kuptojmë punën e njëri-tjetrit.

- Nga njëra anë, një grua e famshme edhe jashtë vendit dhe nga ana tjetër, një grua e martuar dhe nënë. Cila prej këtyre jeni ju?

- Asnjëra prej tyre dhe të dyja bashkë, njëkohësisht!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.