Cigaret janë të këqija për linjën

Intervista - - SHENDET -

Dihet tashmë nga të gjithë se duhani është i keq për shëndetin. Me gjithë efektet e tij negative për kancerin, sëmundjet e zemrës, astmën dhe gjëra të tjera, ka njerëz që e vazhdojnë, sepse mendojnë se ka një përparësi, që ul oreksin. Sipas sondazheve, në fakt, janë të shumta gratë që pohojnë se e vazhdojnë duhanin për të mbajtur nën kontroll peshën. Kjo gjë nuk ishte e vërtetuar nga asnjë studim deri më sot, por tani, një studim i kohëve të fundit, pohon të kundërtën.

Janë studiuesit amerikanë të Institutit të Kërkimeve të Oregonit, që janë përqendruar te kjo çështje. Rezultatet e kërkimit të tyre kanë treguar se gratë që pinin duhanin shtonin mesatarisht tre herë më shumë në peshë sesa ato që i qëndronin larg atij. Këto përfundime duhet të kenë bërë të reflektojnë shumë vetë...

Për të arritur në një rezultat të tillë, shkencëtarët kanë ndjekur nga afër afro 400 studente gjatë dy vjetëve. Këto të fundit i kanë furnizuar shkencëtarët me shumë parametra si pesha e tyre, IMT, dosja mjekësore, mjedisi shoqëror, si edhe sjellja e tyre kundrejt duhanit. Pas studimit të të dhënave, është vërtetuar se duhanpirëset kishin shtuar mesatarisht 2.9 kg në 24 muaj, kundrejt 0.9 për joduhanpirëset. Këto analiza tregojnë se duhani nuk është një strategji e mirë për të kontrolluar shtimin në peshë. Në studim, kërkime të tjera kanë treguar se vajzat që e kishin lënë cigaren, kishin shtuar më shumë në peshë (4.8 kg) se ato që e kishin vazhduar atë, një e dhënë që i pengon disa të heqin dorë nga nikotina. Megjithatë, shkencëtarët thanë se duhen bërë analiza të tjera te një grup më i madh njerëzish, për të zbuluar shkaqet e këtyre dallimeve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.