Poezia juaj...

Intervista - - POSTA -

Nënë Terezës

- Atje ku kishte varfëri Ku ishte zija e bukës Atje shërbeu me dashuri Misionarja e Kalkutës Atje ku lufta gjëmonte Nga marrëveshjet ogurzeza Natë e ditë në këmbë qëndronte E palodhur Nënë Tereza Ty të thërrisnim “nënë” Për të varfërit nënë je bërë Megjithëse fëmijë nuk linde Si fëmijë i doje të tërë Për t’u dhënë jetë të tjerëve Ti shpërfille jetën tënde Mes të varfërve dhe të mjerëve Me dashuri të thellë prej nëne Kur të tjerët hapnin plagë Në zyrat e diplomacisë Ti plagët ua shëroje Me forcën e dashurisë Ti ishe univers më vete Nënë Tereza e Shqipërisë Për të gjithë ishe dhe mbete Perëndeshë e dashurisë Të plagosur, të gjymtuar Sytë e tu çfarë kanë parë Vrapoje për t’i mjekuar Me shpirt e zemër të vrarë Ti shërbeve pa kufi Nuk njohe barrierë e doganë Që nga jugu në veri Në gjithë botën anembanë Përuleshim përpara teje Diktatorë e presidentë Menjëherë të jepnin leje Të shërbeje në çdo vend Tetëdhjetë vite mbi supe Me hap të lehtë si sorkadhe Pleqërisë i thoje “tutje” O nëna me zemër të madhe Kushdo që shikonte ty Të gjithë të habitur mbetën Nga të vjen gjithë kjo energji Nga dashuria për jetën Fjala shumë e ngrohtë I ngrohu njerëzit si diell Ti ishe engjëll në tokë Engjëll u ktheve në qiell Vdiqe me të mjerët në mendje Nëna me shpirt të gjerë Të shkruash për jetën tënde Duhet prerë një pyll i tërë.

Gjokë Shkurtaj

Nëse arrin

Nëse arrin t’më prekësh në skutat më t’errëta atje ku askush s’ka arritur më parë nëse arrin t’m’i mbledhësh gjithë copëzat e shpirtit honeve shpërndarë... do t’kem njësh me dritën e syrit me ajrin që thith, me frymën që marr...

Skender Laze Trebeshina

Shën Valentini

E dashur! Ju e dini: Sot është Shën Valentini! Unë dua të them Të dua sa gjithësia Por më pengon vetmia Dhe gëzimi erdhi papritur U ul si dallëndyshe duke zbritur. Ti erdhe tek unë si një dritë, Ndaj të lutem mos ik, më prit Ti je thesari im Në këtë botë të trishtuar! Do të të mbaj thellë në gji Njëqind Shën-Valentinë për të kaluar!

Alban Arapi

Fluturës time mam

Sot kisha shumë ftohtë, u vesha trashë, siç më thoje ti, madje vesha edhe papuçet që m’i ke punuar ti netëve të gjata të dimrit, tek ngroheshim pranë zjarrit e bisedonim gjithfarë gjërash, si e kisha kaluar ditën në punë, si doli ajo mbledhja me shefin, po babai i shoqes a u shërua, do vijë vallë djali për Krishtlindje? Eh, nuk harroje asnjë pa përmendur, lajmet e hidhura shumë të trishtonin, se vuajtjet e njerëzve ty të dhimbnin, për të tuat nuk doje të flisnim, e kuptoja që doje të më mbroje e më ruaje si një lule delikate, por nuk e besove asnjëherë që unë të isha mjaft e fortë ndaj të papriturave të jetës, madje, kishe shumë frikë për mua në ato çaste të fundit të jetës, si do ta përballoja humbjen tënde, të ardhmen e panjohur që më priste, harroje që vajza jote ishte rritur dhe vajzat e rritura mësojnë të mos qajnë, por sot jam një grua e fortë mam, që ka një familje e një engjëll në gji, ashtu si ti ëndërroje shumë për mua, nuk di a më sheh nga ku je tani, por fluturave kur netëve më vijnë, dua shumë t’u besoj, siç më thoje ti, se çdo flutur mban në vete një shpirt, e me to shumë fjalë dua të të çoj dhe të besoj se ti më sheh nga larg, engjëlli im mbrojtës je ti përsëri, se s’ka gjë në këtë botë e përtej saj, që shpirtin e nënës nga fëmija ta ndajë U çmalla pak sonte me ty, mam mos prit leje nga unë të shkosh tani, nëse frikë ke për mua, të them nuk do t’qaj, do të pres me fluturat të vish përsëri.

Mund të shkosh, nëse…

Më thuaj që bota e gjeti fundin Më thuaj, dielli më s’do ngrohë’ E them me bindje edhe plumbin e duroj... Të humb ty, jo. Mblidhi ëndrrat e mesnatës Shpirtin nxirre e ma trego Hesht më pas a bëj ç’të duash ...veç mos shko. Veç mos shko ta hajë e mira Këtu ke shpirtin tënd binjak Është kjo jetë mbushur dëshira Herë me shkak e herë pa shkak Lëre mllefin sonte vetëm E bëmë mua shoqëri Unë të dua sa dhe jetën …dashuri ! E nëse nesër s’do më duash Mund të ikësh përgjithmonë Sot asgjë mos të më thuash …nesër thomë. Nesër mllefi do t’ketë ikur E do t’mund të logjikosh Nëse nesër s’do t’më duash …mund të shkosh!

Aida Previzi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.