Më kanë përjashtuar nga forcat e armatosura, a mund ta shfuqizoj vendimin?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Avokat Albani, faleminderit për këshillat e vlefshme që na jepni çdo të shtunë. Unë jam Astriti nga Tirana. Në vitin 1979, kam mbaruar Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”; specialiteti i diplomimit ishte Këmbësoria. Menjëherë pas diplomimit, jam emëruar në pikën kufitare të Qafë Thanës, por në vitin 1982 na ndodhi një fatkeqësi e papritur për mua dhe për kolegët e tjerë, të cilët ishin emëruar t’i shërbenin atdheut në këtë pikë kufitare. Në këtë vit të zi për ne, u arratisën 2 ushtarë për në ish-Jugosllavinë e atëhershme. Për këtë ngjarje, disa oficerë, ndërmjet të cilëve edhe unë, jemi përjashtuar nga forcat e armatosura për ulje të figurës morale. Në atë kohë, unë nuk kisha ku të ankohesha, pasi ka qenë shtet totalitar dhe të gjitha institucionet ishin të pavarura nga njëra-tjetra. Pas viteve 1990, u nisa emigrant për në Greqi nga ku nuk kam shumë që jam kthyer. Jam interesuar në Ministrinë e Mbrojtjes për t’u futur sërish në forcat e armatosura, por përgjigjja e ministrisë është se duhet të deklaroj të padrejtë vendimin që më është dhënë për largimin nga forcat e armatosura me motivacionin për ulje të figurës morale. Ky urdhër deklarohet i padrejtë vetëm me vendim gjykate. Ju lutem, më ktheni një përgjigje profesionale, a mund ta shfuqizoj unë këtë urdhër në gjykatë?

I nderuar z. Astrit, fillimisht ju falënderoj për konsideratat pozitive që keni në favor të rubrikës “Ju pyesni, avokati përgjigjet”. Përsa i përket vendimit për largimin tuaj nga forcat e armatosura, me motivacionin për ulje të figurës morale, mendoj se ky vendim duhet të ketë qenë i bazuar në ligjet dhe aktet nënligjore të asaj kohe. Ju duhet ta ezauronit të gjithë rrugën administrative në kohën që ndaj jush është marrë ky vendim, të cilin ju e konsideronit të padrejtë. Pasi të ishte ezauruar rruga administrative dhe ju nuk do të merrnit atë që kërkonit, atëherë du-

-

het t’i drejtoheshit gjykatës për të fituar të drejtën të cilën ju pretendoni. Nga periudha 1982 deri tani, kanë kaluar plot 33 vjet dhe në këto kushte, Ministria e Mbrojtjes ju këshillon t’i drejtoheni gjykatës. Edhe nëse ju i drejtoheni gjykatës, atëherë me kompetencë të plotë mund t’ju them se gjykata, do ta rrëzojë kërkesë padinë dhe pretendimet tuaja.

- Ajo çfarë unë do t’ju këshilloja, por që është edhe kjo shumë e vështirë për t’u realizuar, është t’i drejtoheni gjykatës me kërkesë, në të cilën të kërkoni “rivendosje në afat”, por për ta fituar objektin e kësaj kërkese duhet të paraqisni arsye shumë të forta pse nuk e keni ankimuar me përpara këtë vendim. Pasi të fitoni gjyqin për “rivendosje në afat”, duhet t’i drejtoheni gjykatës me kërkesë padi, ku të parashtroni pretendimet tuaja. Është gjykata ajo që i hyn themelit të rastit tuaj dhe vendos ta pranojë ose jo objektin e kërkesë padisë tuaj. Shpresoj t’ju kem ardhur në ndihmë me arsyetimin e mësipërm.

Nëse jeni të interesuar për të ndjekur procedurat ligjore pranë Studio Ligjore “Duraj”, jeni të mirëpritur të na kontaktoni në adresën e mësipërme.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.