Kam këmbë të shtrembëra. Çfarë ushtrimesh të bëj?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje instruktor! Jam një vajzë që desha të bëj një pyetje në lidhje me ushtrimet për këmbët. Poshtë gjurit, këmbët e mia janë të shtrembëra. Kështu kam lindur, nuk është se kam probleme shëndetësore. Desha të di, çfarë ushtrimesh duhet të bëj që pjesa e muskulit të marrë formë të mirë? Mund të më ndihmoni me disa ushtrime që t’i bëj në shtëpi, pasi nuk kam mundësi të shkoj në palestër? Faleminderit shumë.

Mario instruktor: - E nderuar vajzë, faleminderit për letrën tuaj dhe besimin që keni te ne. Ju keni një strukturë fizike të lindur, nuk është se ju është bërë me kalimin e kohës. Përgjithësisht kur fëmijët lindin me pak këmbët të shtrembëra, u bëhen nga nëna ushtrime të sugjeruara nga specialistë fizioterapistë, por kjo bëhet në moshë fare të vogël, kur kockat e muskujt mund të rregullohen lehtë, sepse trupi është shumë elastik. Do t’ju sugjeroja që për këtë gjë të konsultoheshit me një fizioterapist, sepse vërtet mund t’ju kushtojë pak si fillim, por me pak vullnet dhe pak punë fizike, me ushtrime, mund të bëni që muskujt tuaj të marrin një formë të kënaqshme, gjithmonë nëse jeni në një moshë të re.

- Unë do ju jepja të bënit ushtrime në shtëpi, por kalon përtej profesionit tim, pasi për raste të tilla duhet patjetër një konsultë me fizioterapistë, të cilët kanë programe të veçanta ushtrimesh për persona me probleme si i juaji. E vetmja gjë që do ju sugjeroja është të bëni sa më shumë streçing, në mëngjes, në drekë dhe në darkë, sidomos në pjesën e këmbës ku keni atë lloj “deformimi”, le të themi, të vogël. Një ushtrim tjetër është të qëndroni drejt, me këmbë të hapura sa shpatullat tuaja dhe të ngriheni në majë të gishtave, bëni ulje-ngritje drejt, siç jeni. Bëni tre herë nga 15 të tilla. Kjo ndihmon muskulin tuaj të çlirohet dhe e gjithë këmba dhe vithet, marrin formë më të tonifikuar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.