Si bëhet fryrja e buzëve dhe heqja e rrudhave?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Kam një pyetje për doktoreshë Albanën, dermatologe. A bëni fryrje të buzëve, apo heqje të rrudhave anash buzëve? Sa zgjat kjo procedurë? Jam shumë e interesuar, ndaj më shkruani ndonjë informacion, ju lutem. Faleminderit.

Dr. Albana Lufi, mjeke – dermatologe: - E nderuar lexuese, faleminderit për letrën tuaj. Sigurisht që e bëjmë këtë trajtim në klinikën tonë. Ja, një informacion i detajuar në lidhje me këtë çështje: Fryrja e buzëve bëhet me acid hyaluronic, një zgjidhje mjaft e mirë për rrudhat rreth buzëve dhe faqeve. Acidi hyaluronic përdoret gjithashtu për të rritur volumin e buzëve dhe mollëzave të faqeve. Acidi hyaluronic i injektuar me shiringë është një material i shkëlqyer për mbushjen e rrudhave të buzëve dhe fytyrës, ai është një glikosaminoglikan, një përbërës natyral i lëkurës sonë. Nën lëkurë, acidi ruan molekulat e ujit dhe ndihmon për një lidhje më të mirë të kolagjenit dhe fibrave elastike. Rrudhat zbehen dhe lëkura duket më energjike dhe e hidratuar.

- Acidi hyaluronic injektohet nën lëkurë duke mbushur rrudhat e buzeve, rreth gojës, por edhe duke u dhënë volum faqeve dhe buzëve. Trajtimi është i shpejtë, pa dhimbje (me anestezi lokale) dhe i sigurt. Efekti shfaqet menjëherë dhe zgjat deri në një vit. Pra, acidi hyaluronic përdoret për rrudhat e buzëve (rrudhat e shkaktuara nga duhanpirja), rrudhat rreth gojës dhe kudo në fytyrë. Zonat ku përdoret janë: - Në rrudhat e buzëve - Në rrudhat rreth gojës - Në faqe - Në buzë, për të rritur volumin e tyre - Në mollëzat e faqeve - Në rrathët e errët poshtë syve

- Në rrudhat e ballit, syve (zakonisht, pas botoksit)

- Në shenjat e puçrrave të aknes. Acidi Hyaluronic kombinohet shumë mirë me trajtime të tjera, si me botoks, dermoabrasion, peeling kimik, mezoterapinë e fytyrës, fractional lazer dhe me metoda të tjera të kirurgjisë plastike estetike. Trajtimi me acid hyaluronic bëhet si te femrat, ashtu dhe te meshkujt. Për më tepër, mund të më kontaktoni duke ardhur te klinika ose në kontaktet që i gjeni në fund të faqes së mjekut. Faleminderit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.