Jam e sëmurë që e mbaj mendjen atje?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Ju përshëndes përzemërsisht. Kam një pyetje për ju... Nëse një e kaluar ju rri në mendje gjithë kohën dhe nuk ju hiqet nga koka, çfarë do të thotë kjo, se jam e sëmurë psikikisht apo çfarë?

Marsela Marsi, psikologe: - Përshëndetje e nderuar lexuese! Në radhë të parë, qetësohuni sepse fiksimi pas një situate apo një ngjarjeje të së kaluarës është diçka shumë njerëzore dhe nuk ka lidhje me sëmundje psikike. Fakti që e mendoni vazhdimisht të njëjtën gjë, do të thotë se ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme te ju dhe unë mendoj se një nga arsyet është se juve, nuk ju pëlqen të flisni për këtë gjë. Duket e çuditshme kur e thua, por në të vërtetë, të jeni e sigurtë se ne fiksohemi pas gjërave për të cilat nuk na pëlqen të flasim, për një arsye apo një tjetër.

Nëse ju duket sikur nuk do të çliroheni kurrë nga ky “fiksim”, le të themi, të jeni e sigurtë se e keni gabim. Këshilla ime është të jeni sa më e shoqëruareshme, të flisni me një person të afërt tek i cili besoni për gjithçka që ju ka ndodhur, deri në detajet më të vogla. Jini e lirshme, për të shprehur edhe ato ndjesi që i keni përjetuar, pa e paragjykuar veten se mund të dukeni e dobët në sytë e të tjerëve. Jemi njerëz, jetojmë e ndjejmë si lumturi, ashtu edhe dhimbje; Zoti na e ka bërë këtë dhuratë! Duke qenë të mbyllur, ne mendojmë se e ruajmë veten nga zhgënjimet apo tradhtitë, por në këtë mënyrë “tradhtojmë” veten tonë, sepse e ngarkojmë trurin me mendime të lodhshme, i zmadhojmë gjërat që në të vërtetë, kur thuhen, kuptohet se nuk janë aq të mëdha dhe dëmtojmë shpirtin tonë, duke e mbushur me dhimbje, e cila është për ne, siç është helmi për organizmin. Unë mendoj se nevojitet të përqendroheni më shumë te ndjesitë tuaja, t’u jepni atyre një emër, të jetoni dhe të ndjeni, të ecni përpara në jetën tuaj.

Nëse ndiheni e lodhur, meditoni. Kjo është dhurata më e mirë që mund t’i bëjmë trupit e shpirtit tonë. Kini parasysh diçka, të menduarit është njëlloj si frymëmarrja, një veprim që e bën vazhdimisht në mënyrë konstante, edhe pa qenë e ndërgjegjshme për këtë. Megjithatë, po të ndërgjegjësohemi për frymëmarrjen, në një moment, mund ta ndërpresim atë. Kjo është ajo që të mëson meditimi në lidhje me mendimet. Të mëson se si t’i kontrollosh mendimet dhe të bëhesh “udhëheqëse” e tyre. Qoftë edhe një meditim i shkurtër 15- 20 minutësh në mengjes do të kishte një ndikim të pëlqyeshëm mbi aftësinë për të jetuar në të tashmen dhe për të larguar nga mendja të gjitha mendimet dëshpëruese.

Të njëjtën gjë mund ta bëni edhe në darkë, para gjumit, pasi kështu mund të qetësoni mendjen dhe trupin. Merruni me aktivitet fizik, jepjuni një pasioni, bëni miq të rinj, jetoni, por mbi të gjitha, jini mirënjohëse për çfarë Zoti ju ka dhënë. Mirënjohja është cilësia më e mirë për një njeri; ajo që na ndihmon të jetojmë dhe ta shijojmë jetën plotësisht. Ju përshëndes, duke qenë e bindur se pas kësaj përgjigjeje, do të jeni njeriu që e dëshironi sot me gjithë shpirt: Personi që jeton të tashmen dhe që shijon çdo moment të saj.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.