Gjithë pikëpyetjet e çështjes Doshi!

5 intervista të parealizuara për çështjen Doshi

Intervista - - FAQE 1 - Nga Artan KRISTO

Pa dyshim, ngjarja më e bujshme e kësaj jave ishte stuhia që ngriti deputeti Tom Doshi me akuzën se kryetari i Parlamentit, zoti Ilir Meta, kishte dashur ta vriste. Pikërisht për këtë, ne deshëm të intervistonim disa persona, por në radhë të parë, personazhin kryesor, deputetin...

TOM DOSHI

Pyetja e parë që do t’i bënim zotit Tom: Pse do të vritej ai dhe kolegu i tij, deputeti i PD-së, Mhill Fufe? Nga deponimet e thëniet e tij gjatë këtyre ditëve mësoheshin shumë gjëra, por një gjë mbetej enigmë: Pse do të vritej ai? Çfarë i kishte bërë ai Ilir Metës? Dhe, zoti Doshi është jurist (pavarësisht ku e ka mbaruar universitetin), ndaj duhet ta dijë se, kur diskutohet një krim, pyetja e parë është motivi, qëllimi i krimit. Prandaj deshëm ta pyesnim: Pse do t’ju vrasë Meta juve? Për çfarë e pengonit ju atë? Ç’pazare i kishit prishur ju atij?

Na duket pak jashtë logjike ajo që deklaroi ish-ministri Dritan Prifti se “Meta e ka porosi- tur atë vrasje në shenjë hakmarrjeje për mbështetjen që Tom Doshi më dha mua për të publikuar videon me Metën, që në publik ka marrë emrin “videoja e 700,000 eurove””. Nëse është e vërtetë kjo, sipas kësaj logjike, a nuk i bie që Meta duhej të vriste më parë Priftin, zoti Doshi?!

Veç kësaj, deshëm ta pyesnim zotin Tom edhe për një gjë që na duket shumë e çuditshme: Ai deklaroi se për planin e Metës ka njoftuar Ramën, Tahirin dhe... vetë Metën! Pse ka shkuar dhe ka informuar atë që akuzon si porositës për vrasjen e tij? Si mund të shkosh e të informosh pikërisht atë që do të të vrasë?

Deshëm t’i bënim zotit Doshi edhe pyetje të tjera: Pse në fillim ka përmendur si porositës vrasjeje kunatin e Berishës dhe pastaj Metën? Kanë lidhje këta të dy? Ai publikoi në Facebook edhe një bisedë me vrasësin, që, siç u tha, është bërë në gusht, por vrasësi duket në video i veshur me xhup. Apo ai që ka bërë videon ka pasur në mendje shprehjen popullore: “Gusht e gunë”?! Pastaj, a ka frikë zoti Doshi se dënohet për dëshmi të rreme?! Si jurist që është, duhet ta dijë se dënimi për këtë nuk është pak, por deri në tetë vjet burg. Dhe në fund, një pyetje miqësore: A ka dëgjuar zoti Doshi për një sëmundje psiqike që quhet paranojë? Ështe ajo kur të duket sikur duan të të vrasin...

SAJMIR TAHIRI

Dhe, së fundi, për këtë çështje, deshëm të intervistonim edhe Ministrin e Brendshëm, zotin Tahiri. Dëgjuam me vëmendje fjalën e tij para mediave në lidhje me akuzat e zotit Doshi dhe pyetja e parë që na erdhi në mendje, ishte: Si pranoi një ministër të takohet me një vrasës?! Mirë që pranoi, por si nuk e arrestoi në vend? E di ai se mosveprimi për të parandaluar, apo hetuar një krim është i dënueshëm nga Kodi Penal? Pse Duri u arrestua vetëm tani, pas 6 muajsh, kur iu “hapën petët lakrorit”, ndërkohë që “çunat” e zotit Tahiri të rrasin brenda edhe për një 500 lekësh të dhënë policit?! Dhe, së fundi, edhe një pyetje në lidhje me një thashethem që qarkullon këto ditë në Tiranë: Pse nuk tha ai se në mak- inën e kujt deputeti ishte Duri nga Fushë-Kruja, në tentativë për të ikur në Mal te Zi?! Nuk ishte ajo, as makina e Tomës e as ajo e blerë nga ai. Besojmë se ai e di...

DONALD LU

Këtë javë, deshëm të intervistonim edhe ambasadorin amerikan, zotin Donlad Lu, në lidhje me një deklaratë të ambasadës amerikane ku thuhej se Tom Doshi është përjashtuar nga grupi parlamentar i PS-së si njeri i kriminalizuar, madje përshëndetet ky veprim: “Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e PS-së për të përjashtuar zotin Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqiperi të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive”, thuhet aty.

Ku e mësoi ambasada amerikane këtë arsye të përjashtimit të Tomës? Në fjalimin e Ramës, ku jepet “pretenca” për Doshin, fjala “i kriminalizuar”, apo “kriminale” nuk ekziston! Mos kanë biseduar ndonjë gjë “vesh më vesh” zoti Rama dhe zotit Lu?!

ILIR META

Vetëm një pyetje të shkurtër kishim për zotin Meta: Pse nuk e jep dorëheqjen, siç bëri herën e parë pas publikimit të videos së zotit Prifti, apo sepse herën e parë ishte i bindur që videoja nuk ishte e vërtetë, ndërsa kësaj radhe, ka dyshime?!

EDI RAMA

Zotin Rama deshëm ta pyesnim për shkakun e përjashtimit të zotit Doshi nga grupi parlamentar i PS-së. Pse u përjashtua ai që njihej si “shoku i ngushtë” i kryetarit? Është e vërtetë se u përjashtua, sepse, siç tha Rama, “i ka shpallur luftë qeverisë”, sepse “ka cënuar të drejtën e dinjitetin e një ministri të Republikës së Shqipërisë dhe të drejtuesit të një agjencie shtetërore”? Mos vallë fshihet diçka pas këtyre arsyeve? Pse vallë Rama nuk na e thotë arsyen e vërtetë të përjashtimit? Mos vallë ka frikë nga Doshi, se ai mund të nxjerrë ndonjë “sekret”? Mos e heq vallë, siç tha ambasada amerikane, si person te kriminalizuar e ka frikë, ose nuk do që të thotë të vërtetën (Kujtojmë se vite më parë, ambasada e ka futur zotin Doshi në radhët e atyre që merren me drogë)?! Veç kësaj, deshëm ta pyesnim zotin Rama edhe për një frazë që, sipas zotit Doshi, ai ia paska thënë atij, pasi e ka njohur me planin e atentatit: “Të ka shpëtuar Zoti, Tomë”. Mirë jetën tonë, por edhe jetën e tij, në dorë të Zotit e ka lënë kryeministri ynë?!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.