Në Shqipëri ka mbi 60 mijë të droguar

Në të gjitha oborret e shkollave të Shqipërisë ka njerëz që u servirin drogë fëmijëve

Intervista - - FAQE 1 -

- Frrok, besoj se është me interes t’u flasim njerëzve për punën tuaj në shoqatën “Aksion Plus”...

- Po, është me shumë interes, sepse shumë njerëz nuk e njohin punën tonë dhe kjo do të ishte në të mirë të tyre. “Aksion Plus” është një organizatë humanitare joqeveritare që u vjen në ndihmë njerëzve që janë të varur nga droga, kryesisht, nga heroina...

- Ka shumë njerëz të tillë?

- Po, fatkeqësisht, ka shumë dhe, ç‘është me e keqja, numri i tyre rritet vazhdimisht. Kur kam filluar punë në “Aksion Plus”, më 2008, kishim vetëm një qendër në Tiranë, ku merrnin shërbimin tonë rreth 100 përdorues. Sot, në Tiranë, ky numër ka arritur në 250, ndërsa në gjithë Shqipërinë janë rreth 500 vetë që marrin çdo ditë ndihmën e “Aksion Plus” në degët që kemi hapur në Vlorë, Durrës, Korçë, Shkodër, Elbasan dhe Durrës.

- A mund të na jepni ndonjë të dhënë për përdoruesit, janë më shumë femra, apo meshkuj, të rinj, apo në moshë të madhe?

- 80 për qind e përdoruesve të drogës janë të seksit mashkull dhe 20 për qind janë femra. Janë të të gjitha moshave, nga 18 deri 55 vjeç.

- Cilave shtresa u përkasin këta përdorues dhe nga vijnë ata?

- Nga të gjitha shtresat e shoqërisë vijnë. Përdoruesit janë të kategorive të ndryshme: Ka që janë të të varfër, lypës, por edhe të pasur, ka romë, por ka edhe të bardhë, njerëz nga bota e artit, sportit, siç ka edhe fëmijë artistësh, politikanësh etj.

- Nga përvoja juaj e nga komunikimi me ta, a mund të thoni se përse drogohen?

- Kur bisedon me këta njerëz (që unë do t’i quaja të pafat) për fillimet e kësaj rruge ku kanë hyrë, dëgjon histori nga më të paimagjinueshmet, me të cilat regjisorët e skenaristët mund të realizonin filma të denjë për Hollivud. Dikush tregon se e ka nisur për hobi, dikush tjetër thjesht për “provë” në një mbrëmje me shoket e shoqet, një tjetër është mashtruar nga dikush që e dinte se babi i tij qe i pasur dhe ia dha “falas për pak kohë” derisa e mësoi etj.

- Çfarë nënkupton shërbimi juaj, çfarë u jepni ju përdoruesve të drogës?

- Ne kryesisht mjekojmë përdoruesit e heroinës, duke i mbajtur nën mjekim e kontroll me metadon. Ne thelb, metadoni është një ilaç i cili zëvendëson totalisht dëshirën e përdoruesve për heroinë. Secili prej përdoruesve ka dozen e tij të metadonit që jepet në bazë të viteve të marrjes së heroinës dhe sasisë së heroinës që ka përdorur. Kemi disa lloj dozash, që janë: doza e hyrjes, doza mbajtëse dhe doza zbritëse, që vjen gjithnjë duke u ulur.

Gjithashtu, ne i ndihmojmë ata edhe nga ana psikologjike, për të kaluar këtë problem. Në qendren tonë ka dy psikologë që punojnë përditë më rreth 250 përdorues për t’i hequr ata përfundimisht nga kjo rrugë, duke u bërë terapi grupi, si dhe terapi individuale.

- Çfarë do ndodhte nëse ata nuk do të merrnin metadon?

- Eshtë e vështirë për ju dhe për lexuesit që të imagjojnë se ç’do të ndodhte në Tiranë sikur unë të mos ua jepja atyre 250 fatkeqëve çdo ditë dozën e metadonit... Do kishim çdo ditë vjedhje, mashtrime, sherre e thyerje te ligjit... Po ju them me bindje se nuk do kishte financier të llogariste dëmet materiale që mund të sillnin këta lloj pacientësh sikur të mos merrnin drogë. Ata, në mungesë të drogës, nuk duan t’ia dinë për asgjë, asgjë nuk i ndal derisa të sigurojnë drogën... Mund të kryejnë edhe grabitje e vjedhje vetëm për të siguruar para për drogën. Kaq i fortë është efekti i saj...

- A keni ndonjë informacion se sa të droguar ka në të gjithë Shqipërinë me droga të rënda dhe të lehta?

- Sipas studimeve të bëra, më shumë se 60 mijë shqiptarë e kanë përdorur drogën më shumë se një herë në jetën e tyre.

- A keni vështirësi në punën tuaj?

- Kemi shumë vështirësi në punën e përditshme. Pacientët tanë janë “me orë”, siç thotë popullli. Si janë sot, nuk janë nesër... Shpeshherë, bëhen edhe të dhunshëm. Pjesa më e madhe e këtyre abuzojnë me ilaçin që marrin... Bëjmë një punë që nuk bie në sy e që nuk ka njësi matëse ta masë. Me sinqeritet e them se jemi heronj të heshtur të shoqërisë shqiptare.

- Në ç‘kuptim “abuzojnë me ilaçet që marrin”?

- Abuzojnë me metadonin në rastet kur ua japim me vete, duke ua dhënë shokëve, duke e shitur, apo duke e konvertuar me heroinë... Është “luks” të jesh në një qendër të tillë pasi të qenit nën mjekim do të thotë të kursesh çdo

ditë nga 20 mijë apo më shumë lek që do t’i blinin drogë...

- Sot flitet për legalizmin e drogave të lehta. Jeni dakord me këtë?

- Jo, jam kundër legalizimit të drogave. Po u legalizua, droga na rrezikon të gjithëve...

- Po për atë që diskutohet që gjithë politikanët të bëjnë testin e drogës, çfarë mendoni? Si do të dalin ata?

- Mendoj se testet do tregonin një realitet të hidhur.

- Çfarë duhet bërë për të luftuar drogën?

- Droga një fenomen famëkeq mbarëbotëror. Ajo tashmë ka hyrë dhe është e pamundur të dalë nga Shqipëria. Puna është të parandalohet përdorimi i saj te fëmijët e të rinjtë. Kryesorështë informimi i publikut për të këqijat që sjell përdorimi i drogës. Kjo lë shumë për të dëshiruar te ne. Flitet për dozën që merr X apo Y dhe krijohet përshtypja se kjo është një gjë e zakonshme, madje e mirë... Popullsia në përgjthësi nuk ka informacion për drogën, për pasojat e saj vdekjeprurëse. Në radhë të parë, është detyrë e prindërve që të punojnë pafundësisht me fëmijët e tyre. Gjithashtu, ata duhet të kontrollojnë fëmijët e tyre në çdo moment të jetës. Edhe shteti ka shumë për të bërë për këtë. Mendoj se duhet të fusë në shkolla, të paktën disa cikle mësimi për secilën klasë, nga e para tek e nënta, ku mësuesit të informonin fëmijët mbi rrezikun e drogave, për problemet sociale që sjellin ato, për sëmundjet që shkaktojnë e përhapin përdoruesit e tyre. Duhet kuptuar se nga droga jemi të rrezikuar të gjithë... Droga është një ferr i pafund, vorbulla e së cilës rrezikon cilindo nga ne...

- Dhe një pyetje të fundit, meqë përmendët fëmijët: Është e vërtetë se ka shumë të droguar që e kanë filluar rrugën e drogës që në nëntëvjeçare?

- Fatkeqësisht, po. Në të gjitha oborret e shkollave të Shqipërisë ka njerëz që u servirin drogë fëmijëve. Këtë të dhënë e kam nga ata njerëz që u shërbej këtu e 7 vjet për çdo ditë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.