CILËT NUK INTERVISTUAM DOT KËTË JAVË?

Intervista - - AKTUALITET - Nga Artan KRISTO

EDI RAMA

Kryeministrin Edi Rama e pamë këtë javë të qeshte e të bënte gallatë me gratë e Laprakës, ndërsa shpërndante certifikatat e pronësisë, ndërkohë që gjithë javën nuk u prononcua fare për çështjen Doshi. A ndjen ndonjëfarë përgjegjësie ai për gjithçka ndodhi, deshëm ta pyesnim sikur t’i merrnim një intervistë? A do të ndodhnin gjithë këto, sikur Doshi të mos ishte deputet?! A nuk ishte ai që e zgjodhi zotin Doshi?! A nuk ishte ai që vendosi edhe për shumë deputetë të tjerë që janë, siç thotë populli: “merre me lëng, se mishi u mbarua”?! Do të ndodhnin këto dhe shumë gjëra të tjera të padëshiruara, sikur deputetët të zgjidheshin në mënyrë demokratike, me zgjedhje brenda partisë, siç ndodh në gjithë partitë moderne evropiane? Po për aleancën me zotin Meta, është bërë ndopak pishman zoti Rama?! Ka fituar, apo ka humbur ai nga kjo aleance? Si mendon ai tani, pas një viti e gjysëm në pushtet?! Ja, këto deshëm t’i pyesnim kryeministrit Rama në një intervistë këtë javë, por nuk mundëm...

PETRIT ÇINARI

Personazhi më enigmatik i kësaj jave, pa dyshim që ishte Petrit Çinari, personi i cili shkoi vetë në prokurori për të deponuar që babai i Ilir Metës i kishte kërkuar vrasjen e Tom Doshit. Ne u përpoqëm të kontaktojmë me zotin Çinari, por nuk mundëm. Deshëm ta pyesnim atë nëse është e vërtetë se zoti Doshi i ka falur një apartament gruas së tij? A është e vërtetë se ka diagnozën “epilepsi psikomotore me çregullime psikotike”, sipas së cilës nuk mban përgjegjësi ligjore për veprimet që bën? Nëse është e vërtetë kjo dhe nëse është e vërtetë gjithashtu se ka qenë qitës i mirë, atëherë, me këtë hov që kanë marrë videot e kërcënimet, tani duhet të fillojë stërvitjen, se do të ketë punë...

ADRIATIK LLALLA

Një pikëpyetje e madhe na lindi këtë javë ndërsa dëgjonim lajmet, pikëpyetje të cilave vetëm Prokurori i Përgjithshëm mund t’u jepte zgjidhje: Toni i Kombinatit, i njohur deri tani si porositësi i vrasjes së Metës, erdhi nga Gjermania këtë javë dhe dëshmoi para prokurorisë pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë. Po Duri nga Fushë- Kruja, pse duhet të rrijë në burg për një vrasje që nuk e ka kryer, ndërkohë që porositësi i kësaj vrasjeje është i lirë?

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.