Vigan Shehu: Jam kthyer te dashuritë e kaluara

Intervista - - MUZIKE -

Simpatik, tërheqës, një ndër djemtë më të preferuar të vajzave ndërsa ishte konkurrent në Big Brother, por edhe tani. Vigan Shehu, djali nga Kosova sapo ka publikuar këngën dhe klipin e tij të parë “Nuk e mendoja”. Në fakt, edhe pse nuk e mendonim se Vigani do të merrej me muzikë, ai na zbuloi diçka që pjesa më e madhe e njerëzve nuk e dinin: Ai nuk ka hyrë rastësisht në muzikë. Pas suksesit që pati me “Nuk e mendoja”, Vigani do të marrë pjesë edhe në Top Fest 12. Presim…

Mia. B: - Vigan, kurioziteti për të mësuar se ç’të bindi që t’i futeshe muzikës, është i madh...

Vigan Shehu: - Ka më shumë se 12 vjet që merrem me muzikë, pasi kam bërë shkollën e mesme të muzikës për instrumentin e klarinetës dhe kam qenë kitarist me një grup, me të cilin kam performuar në shumë klabe nate. E reja është vetëm se më parë nuk isha shfaqur si këngëtar...

- Pjesëmarrja në Big Brother, kishte synim çmimin e madh apo pikërisht atë famën që mund ta përdorësh sot në muzikë?

- Vizioni im ishte të luftoja, të shkoja deri në finale dhe të fitoja Bigun pasi isha shumë afër, por nuk e arrita dot. Megjithatë, popullariteti që fitova kur dola jashtë shtëpisë, po më ndihmon në rrugën time drejt muzikës, për të arritur sukseset e mia. Kënga dhe klipi “Nuk e mendoja” është pëlqyer goxha, i ka kaluar shumë më shumë pritshmëritë e mia.

- Unë nuk e mendoja që Vigani do t’i futej muzikës. Po ti, çfarë nuk mendoje?

- Unë nuk e mendoja se fundi do të ishte pa njëritjetrin. (Buzëqesh)

- Ndërkohë, përpara është edhe pjesëmarrja jote në Top Fest 12. Kjo më bën të mendoj që ti muzikën nuk e ke thjesht një hobi...

- Po, është shumë e vërtetë. Muzika, përveçse hobi, tani është bërë një punë për mua. Sapo kam hapur studion e muzikës “ViVa Melody” ku përveç këngëve të mia, po merrem edhe me projekte të këngëtarëve të tjerë. Në studio kompozojmë bashkë me vëllain, Valonin.

- Vigan, një djali simpatik si ti nuk i ka munguar vëmendja e femrave, besoj...

- (Qesh) Po, por tani që kam filluar të merrem me muzikë, vëmendja është shtuar.

- Pse pjesa më e madhe e femrave pëlqejnë meshkujt e njohur?

- Mendoj se kjo ndodh ngaqë shfaqja e tyre e shpeshtë nëpër media, ndikon te vajzat të cilat fillojnë të krijojnë një lloj simpatie.

- Po një mashkull i njohur, preferon të ketë në krah një femër të njohur apo një të thjeshtë?

Për mua, ka vlera shumë të mëdha brendësia e një femre. Rëndësi ka të jetë e thjeshtë sepse edhe e thjeshta mund të jetë e njohur.

- Cili është njeriu të cilit i beson më shumë? - Personat e familjes. - Për të rrëfyer diçka, do të zgjidhje shokun apo shoqen? - Shokun. - Miqësitë e tua, i kanë rezistuar kohës? - Po, mendoj se të gjitha. - Kur zgjohesh në mëngjes, del me plan nga shtëpia për ta bërë ditën tënde të bukur apo ia lë çdo gjë rastësisë?

- Zakonisht, kur zgjo-

-

hem nga shtëpia, dal gjithmonë me plane, por ndodh shpesh që rastësitë që shfaqen, thjesht ma zbukurojnë ditën. ( Buzëqesh)

- Çfarë rrjedhe mori dita jote sot?

- Sot ishte një ditë shkolle për mua. Isha në Prishtinë për një provim. Jam në vitin e parë të studimeve master për bankë dhe financë.

- Më fol pak për stilin tënd në muzikë...

- Mendoj se stili i muzikës ka të bëjë shumë me personalitetin e njeriut. Unë jam natyrë e butë dhe romantik, andaj mundohem që të qëndroj te baladat.

- Një bashkëpunim perfekt do të ishte me...

- Me të preferuarën time, Elvana Gjatën.

- Për t’u rikthyer te femrat, çfarë e bën një femër joshëse për ty?

- Thjeshtësia e saj. Kjo është gjëja më pozitive për mua.

- Në dashuri, je tip i vendosur apo nga ata që i rikthehen një dashurie të kaluar?

- Mundohem të jem i vendosur, por ka pasur edhe raste kur jam kthyer te dashuritë e kaluara.

- Beson në miqësinë mes një mashkulli dhe një femre?

- Po, besoj dhe e vlerësoj shumë.

- Çfarë distance duhet të mbajnë ata për t’i shpëtuar joshjes?

- Thjesht, të kuptojnë fjalën “miqësi”, gjithmonë në qoftë se është një miqësi e vërtetë.

- Thonë se mashkulli dashuron vetëm njëherë, por vetë meshkujt e kanë hedhur poshtë këtë. Ti, sa herë ke dashuruar deri tani?

- (Qesh) Dashuri tamam, akoma s’kam përjetuar.

- Një femër që të refuzon, të tërheq më shumë apo të lodh?

- Më tërheq më shumë sepse më pëlqejnë femnat e vështira.

- Aktualisht, ke ndonjërën në krah?

- Jo, jam singëll...

- Çfarë të pëlqen më shumë te Vigani? - Qetësia që kam. - Po ajo që ia bën kritikë vetes?

- Ua jap mundësinë disa personave të më qëndrojnë afër, më pas ndryshojnë dhe mundohen të përfitojnë nga unë.

- Arrin të kapësh gjithmonë momentin e duhur në jetë, karrierë, dashuri?

- Po, mundohem shumë, sidomos në jetë dhe karrierë, që janë synimet e mia kryesore për të ardhmen.

- Hera e fundit që ke humbur në një përqafim emocionues...

- Rreth një muaj më parë.

- Çfarë ndjen të thuash tani?

- Se sa interesante dhe të bukura ishin pyetjet... (Buzëqesh)

- Dhe së fundi, e vazhdon ende miqësinë me Elenën?

- Jo, nuk kam më asnjë miqësi me Elenën.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.