Duhet të ndërhyjmë, para se të jetë vonë

Intervista - - AKTUALITET -

Suela Qelibari është përfaqësuese e shoqate ndryshe. Duke qenë një njeri altruist, ajo na njeh me rastin në fjalë, duke trokitur në dyert e redaksisë sonë. Edhe pse pa projekte konkrete, aktualisht ajo ka marrë iniciativën që me të ardhurat e saj ta ndihmojë këtë familje dhe nëpërmjet publikimit në media, të ndërgjegjësojë edhe ata që kanë mundësi për ta ndihmuar atë, institucionalisht apo privatisht...

- Suela, ju drejtoni një shoqatë që merret pikërisht me këtë komunitet, apo jo?

Suela Qelibari:: - Po, Aleanca për Integrim Europian, ka si synim arsimimin, edukimin dhe punësimin e komunitetit rom. Ne ndihmojme për nevojat e tyre dhe integrimin në komunitet. Është një OJF jo fitimprurëse dhe me mision angazhimin e sa më shumë familjeve.

- Me sa di, ka shumë shoqata si e juaja. Çfarë ju dallon juve nga të tjerat?

- Transparenca është ajo që na diferencon nga shoqatat e tjera. Ne kemi një buletin ku në mënyrë të vazhdueshme informojmë për punën dhe projektet tona.

- Sot, ne vendosëm të ngrinim problemin e familjeve rome që jetojnë në këtë zonë dhe ju na sollët pikërisht te kjo zonjë. Pse Fatmira, kur ka shumë për të ndihmuar?

- Sepse rasti i zonjës Fatmira është më i veçantë se të tjerët. Ajo është e ndarë nga i shoqi, e përballon jetën e vetme dhe konstatohet lehte qe eshte me e varfera e zonës së bregut të lumit në Allias, është me të vërtetë një problem emergjent. Fëmijët e saj janë të sëmurë dhe kjo nënë, përveçse duhet t’i ushqejë, duhet edhe t’i kurojë ata, para se të jetë tepër vonë. Kjo na ka fokusuar më shumë te familja e saj. E solla si rast pranë gazetës tuaj prestigjoze, duke qenë se ka shumë lexues dhe emigrantë që mund ta ndihmojnë. Zonja po jeton një agoni dhe fëmijët e saj të vegjël janë të sëmurë. Duhet të ndërhyjë dikush, para se të jetë vonë.

- Si e keni ndihmuar ju, deri më tani?

- Unë e kam ndihmuar me aq sa kam mundur, personalisht, nga të ardhurat e mia. Edhe kur bëj diçka, bëj një pjatë më shumë dhe e ndaj me ta.

- Ka pasur kjo familje ndonjëherë ndonjë moment të mirë?

- Vetëm kur zonja merrej me tregti, por tani janë mbytur nga hallet dhe sëmundjet. Ju lutem, ndihmoni! Unë do të sigurohem që zonja personalisht të vijë të marrë ndihmat tuaja ushqimore te gazeta “Intervista”, nëse dikush do t’i përgjigjet kësaj thirrjeje.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.