Barbana Dini: Më ndjek vetë... unë nuk e ndjek kurrë!

Intervista - - MUZIKE -

Të gjithë e njohin këngëtaren buku roshe nga Shkodra, Barbana Dini, për sharmin dhe elegancën që sjell ajo në klipet e saj, pa lënë pas talentin në muzikë. Ajo vjen në këtë intervistë për të na treguar diçka më shumë për veten, ashtu siç nuk e keni parë apo lexuar më parë. Barbana tregon për ëndrrat dhe dëshirat që ka pasur kur ishte ende fëmijë, për realizimin e tyre, për këshillat e mamasë e sidomos për marrëdhënien me vëllain, Ergin, një këngëtar që ka marrë rrugën e bukur të suksesit, sigurisht, me mbështetjen e motrës, që si çdo motër për vëllain e saj, do bënte gjithçka që ai të arrinte majat. E kujdesshme në jetën e saj private, Barbana ka ditur përherë të shfaqë vetëm vlerat si artiste, pa i përzier këto dy fusha...

Fabjola Kuburi: - Barbi, nga ke qenë gjithë këto kohë që nuk je shfaqur për publikun tënd?

Barbana Dini: - Gjatë kësaj periudhe, angazhimet e mia muzikore kanë ecur normalisht, megjithëse kam zgjedhur të jem disi e distancuar nga bota mediatike, pasi ka qenë një nga ato momentet e reflektimit, për t’u rikthyer fuqishëm në tregun muzikor. Tashmë, jam e mbushur me energji pozitive dhe frymëzim. Shumë shpejt vjen në treg edhe kënga ime më e re, e shoqëruar me një klip për të cilin kujdesi është deri në detaje dhe që shpresoj që publiku ta dojë e ta këndojë po aq sa këngët e mia të tjera.

- Kur jemi të vegjël, kemi shumë ëndrra. Disa i realizojmë e disa të tjera mbeten të parealizuara... Ty, të janë realizuar të gjitha ëndrrat e fëmijërisë?

- Jam person shumë këmbëngulës dhe punoj shumë për ato gjëra që vërtet i dua, ndihem e lumtur dhe e plotësuar në këtë aspekt. I kam realizuar të gjitha, fatmirësisht.

- Nuk të ka mbetur asgjë për të realizuar?

- Tashmë, ëndrrat unë i quaj synime dhe kam disa të tilla. Me punë, këmbëngulje dhe këmbë në tokë, jam e bindur që do t’i arrij.

- Shpesh, gjërat vijnë atëhere kur nuk i kërkojmë. Ti, të tuat, i ke kërkuar apo i ke lënë të vijnë vetë?

- Pjesërisht. Është e vërtetë që disa gjëra vijnë në momentin që nuk i kërkojmë, por jo kur nuk punojmë apo nuk i synojmë.

- I ruan me fanatizëm gjërat e tua?

- Sigurisht, gjërat e mia janë të miat. Të tuat, mbaji për vete! (Qesh)

- Nëse për një ditë të vetme do të ishe dikush tjetër, kush do doje të ishe dhe ç’gjë do ta ribëje, pasi nuk e ke bërë si Barbana?

- Ndihem shumë mirë me veten dhe s’e kam menduar kurrë këtë gjë. E dua punën time, jetën që bëj dhe çdo gjë që më rrethon. Jam e bekuar në këtë pikë. Jam Barbana dhe Barbana dua të jem gjithmonë.

- Është e vërtetë se femrat e bukura e kanë më të lehtë ta gjejnë dashurinë apo ndodh e kundërta?

- Dashuria nuk ka recetë, është çështje ndjesie, jo bukurie. Madje, do thoja që dashuria në të shumtën e rasteve nuk ka të bëjë fare me bukurinë, por me alkiminë. Nëse përshtatesh, bukuria mbetet një stimul më shumë.

- Çfarë mund ta zhgënjejë Barbana Dinin?

- Njerëzit jokorrektë dhe mosmirënjohës.

- Po kur zhgënjehesh, e kalon shpejt?

- Jam person me një intuitë mjaft të mirë, që në shumicën e rasteve më ndihmon të mos zhgënjehem apo të mos çuditem më pas dhe si rezultat, jam e përgatitur e i marr me sportivitet.

- Kur acarohesh, kujt ia nxjerr inatin?

- Kujtdo që kam afër... (Qesh)

- Domethënë, të iki unë?!

- Jo, jo, tani nuk jam e acaruar, përkundrazi, aq po më shijon kjo kafeja me ty! (Buzëqesh)

- Jemi gjithnjë në zbulim të vetes. Çfarë ke zbuluar diçka të re së fundi?

- Hëm, s’e di. Ti, çfarë ke zbuluar te vetja?! (Qesh) Është e vërtetë që jemi gjithmonë në zbulim të vetes dhe çdo ditë mësojmë për veten gjëra që më parë na janë dukur si të huaja.

- Komplimentet i duan të gjithë, por ti, si i merr ato?

- I marr si vlerësim, herë objektiv e herë subjektiv, megjithatë e rëndësishme është që të bëjnë të ndihesh mirë.

- Cili ka qenë komplimenti më i bukur që ke marrë dhe që nuk do ta harrosh asnjëherë?

- Komplimentet më të bukura janë ato që kanë të bëjnë me vlerat e mia si person, por edhe vlera profesionale.

- Sot është e vështirë të veçohesh në një treg të vogël me aq shumë këngëtare dhe ti ia ke arritur! Për cilët elementë kujdesesh më shumë?

- Është e vërtetë që kemi një treg të tejmbushur, por koha është treguesi më i mirë. Jam tip që u kushtoj shumë rëndësi edhe detajeve më të vogla. Kujdesem për çdo gjë.

- Cila është për ty kënga që mund të quhet me plot gojën, një himn dashurie?

- Ka plot hite botërore që i kanë rezistuar kohës dhe mund të konsiderohen të tilla. Janë aq shumë, sa nuk di cilin të veçoj më parë.

- Kur të shijon më shumë muzika?

- Në verë, në plazh, muz- ika kthehet në dashuri më vete, ashtu siç është në të vërtetë.

- Nga kush do të doje të merrje një ftesë për kafe dhe kë do të refuzoje?

- Nuk e di, nuk kam ndonjë dëshirë të veçantë. Do të refuzoja çdo njeri që s’ka asgjë të përbashkët me mua.

- Je tip që e merr e para iniciativën apo pret ta marrin të tjerët?

- Nuk jam person që marr iniciativa, pasi nuk më pëlqejnë surprizat.

- Mamatë gjithmonë japin këshilla, si kur jemi fëmijë, ashtu edhe kur rritemi. Çfarë të përësrit ende sot, mamaja jote?

- Tashmë e kam kaluar atë fazë, por mamin e kam pasur dhe e kam mbështetje shumë të madhe në çdo hap.

- Kur ndodh të marrësh ndonjë kritikë nga mami?

- Kur rri pa ngrënë. (Qesh)

- Meqë edhe vëllai këndon, me siguri, në shtëpinë tuaj vetëm këndohet… apo jo?

- Për këtë do ishte më mirë të pyesni fqinjët, sepse ne jetojmë me muzikë dhe pa orare! (Buzëqesh)

- Ti dhe Ergi jeni shumë të lidhur. Ai e ka nisur karrierën pas teje, por është goxha i suksesshëm. Tani ështe Ergi i Barbanës apo Barbana e Ergit?

- Për mua, familja është gjithçka, pjesë e pandashme e imja dhe kemi një lidhje të jashtëzakonshme. Ergi është i Barbanës, por edhe Barbana është e Ergit. Unë e kam mbështetur Ergin dhe do të vazhdoj ta mbështes që të ecë në rrugën që e dashuron dhe i është futur me synimin për të arritur qëllimet që ka. Është i talentuar dhe talenti i tij është vënë re nga të gjithë, kështu që unë nuk kam ç’të them më shumë.

- Çfarë ka marrë Ergi nga ti?

- Me Ergin jemi tipa të ndryshëm, por kuptohemi shumë mirë. Ndoshta për shkak të dashurisë për muzikën...

- U trembesh gabimeve?

- Jo, mundohem të gaboj sa më pak të jetë e mundur dhe të mësoj.

- Në ditët e sotme, sinqeriteti më tepër të prish apo të rregullon punë?

- Varet nga situata dhe personat. Përgjithësisht, merret për dobësi.

- Më shumë e ndjek fatin apo të ndjek ai?

- Po, jam person që më ndjek fati, unë nuk e ndjek kurrë.

- Ma bëj një mbyllje me zë shkodre, si shkodrane të bukur që të kemi?

- Faleminderit për intervistën, gjithmonë kënaqësi, naqe ! (Qesh)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.