Burri më ka marrë djalin...

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar psikolog, mezi e mora guximin t’ju shkruaj pasi nuk i jam drejtuar kurrë një psikologu, por kam shumë nevojë për ndihmën tuaj. Jam T., 25 vjeçe, nënë e një djali 4 vjeç, të cilin kam 2 vjet pa e parë, pasi ma ka marrë ish-burri në Greqi. Problemi im është se jam bërë shumë nevrike me të gjithë, nuk duroj gjënë më të vogël, prekem shpejt, reagoj shumë ashpër. Kur nxehem, më merret fryma, madje ka raste që më bie të fikët. Koka më dhemb shpesh. E di që të gjitha i kam prej djalit, pasi kam qenë tip shumë e qetë, por ju lutem, më ndihmoni me një këshillë a mjekim, sa më shpejt. Kam besim te ju. Me respekt, T. Tiranë.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: -E nderuara 25 vjeçare, e analizova me vëmendje letrën tuaj dhe dal në përfundimin se ju tani po vuani nga çrregullimet e ankthit të përgjithësuar, të shoqëruara me depresion reagues. Mos u trembni nga fjala depresion pasi ky term ka pas fjalën “reagues”, që do të thotë, jo depresion psikologjik, pra, nuk është sëmundje, por është reagim nga ngjarjet stresante, siç është ndarja nga djali 4 vjeçar të cilin nuk e keni parë që prej dy vjetësh. Nuk dua të ndalem tek ana juridike e problemit, pasi nuk ka ligj në botë që ta ndalojë nënën të takojë fëmijën e vet, sikur edhe në burg të jetë. Unë do të shpjegoj se çfarë është ky termi çrregullim i ankthit të përgjithësuar, për t’ju ardhur në ndihmë nga ana psikologjike...

Ky lloj ankthi ka të gjitha simptomat që i keni përshkruar ju në letër, si nervozizëm, lodhje e shpejtë, këputje, reagime të ashpra për gjënë më të vogël, marrje fryme, mërzitje edhe për ato gjërat më të vogla të cilat të tjerët do t’i kalonin pa problem etj. Veç për një gjë s’ju besoj, kur thoni se “ka raste që më bie të fikët”... Jo se dyshoj në sinqeritetin apo vërtetësinë e fjalëve tuaja, por ky lloj të “fikëti” nuk është në të vërtetë i fikët, është si një lloj “imitimi” i të fikëtit, për shkak të lëvizjes së ekuilibrave dhe “mosbalancimit” të shpejtë të kimikateve. A e dini se përse një njeriu me gjendje ankthi është jashtëzakonisht i vështirë për t’i rënë të fikët?

Të fikëti nuk është në vetvete ndonjë “hata”, ajo është si një sjellje vetëmbrojtëse në të gjitha ato raste kur zemra nuk i përballon dot nevojat për gjak që ka truri në ngjarjet e rënda specifike ose të mbingarkuara. Pra, të fikëtin e ka “shpikur” Krijuesi që koka të ulet poshtë dhe zemra të përballojë më lehtë forcën e rëndesës. Por, a e dini se çfarë i ndodh një personi kur nxehet e reagon shumë ashpër, siç ndodh me ju? Atij i shtohen rrahjet e zemrës, ndoshta jo shumë, por sidoqoftë, mjaftueshëm, sa për të mos i rënë kurrë të fikët. Ndaj po të vini tek unë e t’ju pyes imtësisht, me siguri do të dalë se ky nuk është një të fikët i zakonshëm, siç e mendoni ju, por mënyra se si reagon e tërë qenia juaj nga një mendim katastrofizues apo acarim që arrin në “pengmarrje” emocionale. Por, në njëfarë mënyre, kjo gjendje ju mbron ju nga superacarimi, pasi organizmi e mbron veten edhe në rastet kur ne nuk jemi në gjendje të bëjmë për të ato çfarë atij i duhen. Ju thoni se kur nxeheni, ju merret fryma. Pikërisht kjo më bind mua se gjendja juaj është gjendje ankthioze, pasi në rastet e brengës dhe acarimit të madh, në gjendrrat mbiveshkore ( andrenale) prodhohet shumë adrenalinë dhe noradrenalinë. Adrenalina është si karburanti i cili do të duhet në rast rreziku, sulmi, mbrojtjeje etj., kurse noradrenalina është hormoni i zemërimit apo inatit, pa të cilat do të ishte pasiv dhe inert në situatat e rrezikut.

- Mirëpo këtu qëndron edhe problemi se, te ju, nuk paraqitet ai lloj rreziku që t’ju detyrojë për të vrapuar apo sulmuar, aktivitete, gjatë të cilave do të digjeshin këto dy substanca: adrenalina dhe noradrenalina. Meqenëse këto prodhohen e shpërndahen nëpër trup, organizmit do t’i duhet punë e reagim për t’i djegur ato, duke qarkulluar më shumë gjak, ndaj edhe zemra i shton rrahjet, për të cilat nuk duhet të trembemi, por duhet edhe një konsum më i madh i oksigjenit, gjë që jo se nuk e përballon dot mushkëria, por sepse ne bëjmë të kundërtën, në vend që të qetësohemi, shqetësohemi, në vend që të vrapojmë apo t’i futemi me vrull një pune, i lëmë ato duke menduar se jemi sëmurë, në vend që të mbushemi me frymë thellë, e ndalojmë atë. Klientëve që vuajnë nga kjo gjendje, unë u mësoj teknikat e hiperventilimit, që kanë të bëjnë me frymëmarrje të thellë e të gjatë, me mbajtjen e frymës sa më gjatë dhe me frymënxjerrjen e ngadaltë disa herë, derisa të na hapet goja si për gjumë. Klientet habiten sesa shumë e bukur ndikojnë këto teknika në largimin e ankthit dhe frikës, që në disa raste arrijnë deri në panik.

E nderuar zonjë, gjendja juaj çrregullim i ankthit të përgjithësuar, i ka fillesat e veta që te divorci dhe mungesa e djalit, por edhe ngarkesat e tjera që ju përjetoni shumë sepse ato që shkaktojnë stres nuk janë aq problematike në vetvete, sesa mënyra se si i përjetojmë ato. Tani, kjo gjendje, ju është bërë si një za- kon i keq, ndaj karakteristika kryesore e çrregullimeve të ankthit të përgjithësuar është se vazhdimisht e gjeni diçka për t’u shqetësuar.

Edhe sikur punët t’i shkojnë mbarë, njeriu shqetësohet për problemet e së nesërmes. Unë ju këshilloj të kontaktoni me ndonjë psikolog e të bëni disa seanca me psikoterapi, si edhe të përdorni disa kura me origjinë bimore, me qëllim që gjendja të kalojë e të mos i hapet rruga e mëtejshme depresionit. Me kaq sa thoni ju, unë nuk ju konsideroj të sëmurë, por trajtimi i ëmbël duhet patjetër pasi jeta juaj është cënuar jo pak dhe mënyra juaj e të menduarit dhe e të vepruarit do ndryshuar sa më parë. Gjatë seancave do të bindeni se ky lloj halli që ju keni, nuk është i pakët, por normalisht, nuk duhej t’ju kishte rënduar kaq shumë. Po të kishit ndërtu- ar një jetë të bukur, me punë e aktivitete të dobishme, me një dashuri të re e me seks pasionant, si një ilaç “natyror” i pazëvendësueshëm, normalisht as nuk do të kishit kohë të tepërt, duke e mbajtur mendjen vetëm te hallet e te djali.

Nuk e di a keni të afërm, pasi edhe vizitat te farefisi e njerëzit e mirë, si dhe të kërkuarit ndihmë atyre, kanë rol të madh pozitiv. Shumë gjëra do t’jua thoja më të sakta po t’ju bëja disa pyetje dhe dy teste psikologjike, një për ankthin e një për depresionin. Edhe ju vetë e kuptoni se kjo gjendje nuk ka lidhje me origjinën apo bazën tuaj biologjike sepse ju në letër thoni se keni qenë tip shumë i qetë dhe e dini se të gjitha i keni prej djalit. Për një përgjigje më korrekte dhe jeni e mirëpritur për një seancë falas. Numri im i celularit gjendet gjithmonë te gazeta “Intervista”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.