CILËT NUK INTERVISTUAM DOT KËTË JAVË?

Intervista - - AKTUALITET - Nga Artan KRISTO

EDI RAMA

Nuk e takuam dot as këtë javë kryeministrin tonë. Ai ishte vazhdimisht jashtë zyrës së tij, një herë në Fushë-Krujë për tapitë, një herë në pyllin me pisha të Gjinarit, në Elbasan, një herë në mbledhjen për dosjet etj. etj.

Ne deshëm ta pyesnim për shumë gjëra këtë javë, se, nga ç‘lexuam e dëgjuam për të në shtyp e televizion gjatë gjithë javës, na lindën shumë pyetje. Ja, le të marrim dosjet: Jemi dakord që të hapen dosjet e diktaturës, të hapen një sahat e më parë, por deshëm ta pyesnim zotin Rama: Po “dosjet e demokracisë” kur do të hapen?

Kur do të hapet “dosja” e Gërdecit, “dosja” e Rrugës së Kombit, “dosja” e 21 Janarit, “dosja” e privatizimeve dhe koncesioneve për pesë lek, kur do të hapen “dosjet” e deputetëve që akuzohen për trafik droge e prostitucion, kur do të hapen “dosjet” për pronat e politikanëve?! Nuk është më e rëndësishme hapja e këtyre dosjeve sesa e atyre të diktaturës?

Një pyetje tjetër do t’ia bënim zotit Rama edhe për procesionaren. Po jua shpjegojmë, të dashur lexues, çfarë është kjo, se edhe ne nuk e dinim këtë emër të sëmundjes së pishës. Është ajo sëmundja që krijon një si bohçe leshi në majë të degëve të pishës dhe e dëmton atë. Këtë javë, nga Gjinari i Elbasanit, kryeministri deklaroi se në luftën ndaj procesionares, qeveria ka punësuar nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit mbi 6000 punonjës. Nuk e dimë nëse ishte lapsus i kryeministrit kjo shifër, por duke e marrë të vërtetë, nuk mund të rrimë pa e pyetur: Nuk do ishte mirë që këto mbi 1 milionë euro që do të jepen për paga çdo muaj për këta 6000 vetë të punësuar, të ishin investuar në sferën prodhuese, për një gjë që të jepte prodhim? Apo këto para nuk kanë ardhur nga buxheti i shtetit dhe janë ndihma nga Europa për të luftuar këtë sëmundje? Nëse është kështu, pse duhet të krenohet qeveria se ka punësuar 6000 vetë?!

SALI BERISHA

As ish-kryeministrin Berisha nuk e takuam dot këtë javë. Atë deshëm ta pyesnim në radhë të parë për një shprehje që ai e përmendi në deklaratat e tij të kësaj jave: Revolucion demokratik paqësor. Ai theksoi madje se “kjo pranverë do jetë pranverë e një revolucioni demokratik paqësor për të rrëzuar murin e krimit”. Nuk mund të mos e pyesnim zotin Berisha: A mund të bëhet revolucion për të hequr një njeri (zotin Meta)? A janë pjekur kushtet për revolucion kur ka kaluar vetëm një vit e gjysëm nga ndryshimi i pushtetit? A mund të bëhet revolucion dy muaj e gjysëm para zgjedhjeve lokale? Përveç kësaj, nuk mund të rrinim pa e pyetur edhe se pse e ka kaq qejf këtë fjalën “revolucion”?! Pse nuk e dëgjojmë më këtë fjalë të përdoret nga asnjë prej liderëve botërorë? A nuk i ka kaluar pak koha kësaj fjale, zoti Berisha?! Dhe, në fund, deshëm t’i bënim edhe një vërejtje atij në lidhje më gjuhën e përdorur këtë javë në një intervistë në ABC News. Ai tha se “Ilir Metës nuk ia mban të mohojë akuzat” dhe e përsëriti madje dy herë fjalën “nuk ia mban”. Kështu flasin burrat e shtetit, zoti Berisha?! Po sikur gazetarja, si e re që ishte, ta pyeste: “Kush nuk ia mban, zoti Berisha?”, ç‘do të thoshte ai?!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.