Drejtori më detyroi të jap dorëheqjen

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

Gjatë kësaj periudhe, lidhjen dhe dashurinë tonë e mbajti gjallë vetëm këmbëngulja e Gimit, qetësia e tij për të më duruar mua. Më në fund, Zoti na gëzoi. Një të diel, sapo u zgjova, bëra një mëngjes ndryshe nga herët e tjera dhe po prisja që edhe Gimi të zgjohej. Kur ai erdhi në kuzhinë, po më shihte me dyshim se ç’kishte ndodhur dhe pa e lënë të mendohej gjatë, i dhashë në dorë një dhuratë të mbështjellë me shumë kujdes.

- Kam harruar ndonjë përvjetor, datë apo çfarë? – tha ai dhe u mek nga “pakujdesia” e tij.

- Hape, - i thashë dhe tundesha si vajzë shkolle.

E hapi dhe më mbërtheu në krahë, më puthi e më nduku si asnjëherë tjetër, kur pa se çfarë i kisha dhuruar. Ishte një badi bebesh, ishte mënyra për t’ia thënë se isha shtatzënë.

- Ky po që është lajm, do bëhem baba! - bërtiste dhe qeshte.

- Mami, hajde hamë tani, - tha dhe më kapi në krahë e më uli për të ngrënë.

Sigurisht që lajmi ishte shumë i mirë për familjen e Gimit dhe timen. Shtatzania shkoi mirë dhe unë linda një vajzë bullafiqe që solli veç gëzim në shtëpinë tonë. Njeriu që kishte më shumë debulesë për të ishte gjyshi. Vinte çdo ditë ta puthte, ta përqafonte, të lozte me të. Kur vajza u bë tre vjeçe, unë mbeta sërish shtatzënë dhe linda një djalë. Thashë që në fillim që jeta më ka ardhur e këndëshme dhe nuk jam lodhur shumë për të arritur deri këtu. Bashkëshorti më ka ndihmuar dhe më ka mbështetur.

Familja e tij dhe e imja së bashku më kanë ndihmuar për të rritur fëmijët dhe kam patur kohë të merresha edhe me veten. Pastaj, të qenit në punë në një dikaster të rëndësishëm, do të thotë që gjithmonë kam patur rrogë të mirë dhe jam mbajtur mirë. Ndërkohë, edhe unë në punë u bëra shumë e zonja, asnjëherë nuk kam patur probleme në zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Edhe me ndryshimet e shumta të pushteteve si e majta me të djathtën, nuk kam patur probleme serioze për arsyen e vetme sepse isha shumë e zonja në punën time.

Por kjo rehati, nuk mund të jetë përjetë e imja. Para katër vitesh, na u ndërrua shefi i zyrës. Ne, zakonisht, kemi patur shefe ( femër), por këtë radhë na sollën shef ( mashkull). Për nga natyra nuk jam ndonjë muhabetqare e madhe, por puna të detyron të flasësh. Pastaj, kur je çdo ditë në të njëjtën zyrë me të njëjtin person gjatë tetë orëve, edhe mund të flasësh. Ne ishim tri gra dhe shefi në zyrë.

Shefi në fillim na fliste njësoj të trijave, por shumë shpejt filloi të bënte diferencime. Filloi të fliste shumë më shpesh me mua, të bënte shaka me vend e pa vend, me gjithë tërheqjen time gjithmonë e më të theksuar. Situata po bëhej e padurueshme. “Zotëria” gjeti momentin një ditë në zyrë kur të dyja koleget e mia mungonin dhe më tha se i pëlqeja shumë.

- Jam e martuar, kam një burrë të mrekullueshëm dhe kam dy fëmijë që nuk dua të ndihen të turpëruar kur të prezantohen si fëmijët e mi, - i thashë dhe u ktheva nga kompjuteri.

- Edhe unë jam i martuar, kam një grua jo të mrekullueshme si ti, kam një djalë dhe prapë ti më çmend. Dua të jesh edhe imja, - më tha dhe u afrua te tavolina ime.

- Të lutem, mund të largohesh nga tavolina ime ose unë mora çantën e ika!

- Nuk ke nga të shkosh, - më tha, - është akoma ora dhjetë dhe unë nuk të kam dhënë leje që të ikësh, kështu që do të bëjmë muhabet bashkë dhe nuk është e thënë të bëjmë vetëm muhabet, mund të bëjmë edhe gjëra të tjera, - tha dhe më zgërdhihej si djall.

- Do iki, se jam sëmurë, - i thashë. Arrita të merrja çantën dhe të largohesha mes tërheqjeve të tij për të më përqafuar.

Ika e tromaksur, por në shtëpi nuk tregoja dot. I thashë Gimit se nuk isha mirë dhe ai u mor me fëmijët. U kujdes edhe për mua dhe ma përsëriti dy herë që isha zverdhur si asnjëherë. “Ah, ta dish ti se ç’kam unë!”, mendoja me vete. Mora raport atë javë dhe dy ditët e javës në vijim, por duhej të kthehesha në punë dhe kur u ktheva, shefin e gjeta të xhindosur. Ky tmerr për mua vazhdoi edhe dy muaj të tjerë. Një ditë, kur s’po duroja dot më, i tregova Gimit.

- Kam probleme me punën, - i thashë. – Nuk është se nuk di të punoj, por shefi i ri që na ka ardhur është burrë i ndyrë. Ka kaq kohë që më bie në qafë...

- Çfarë? Pse s’më ke thënë? Çfarë jam unë, teveqel? Tjetri më ngacmon gruan gjithë kohën e unë qetë-qetë, rrugës e në shtëpi?!

- Nuk të kam thënë se kam menduar se ai idiot do ta kuptojë që nuk dua dhe do të më lërë rehat, por nuk po e duroj dot më.

- Atëherë, cilën zgjidhje ke bërë, me mua apo me atë? – më tha.

Sa s’më ra pika nga ajo që dëgjova.

- Si ma thua këtë? Unë s’dua t’ia shoh surratin atij ndyrësire! - thashë.

- Atëherë, jep dorëheqjen që nesër! - dhe e pashë që nuk bëhej fjalë të bisedonim apo të kundërshtoja.

Të nesërmen paraqita dorëheqjen te drejtori dhe kam tre vjet që jam pa punë, por jam nënë dhe bashkëshorte e lumtur. Jam e qetë se as fëmijëve, as bashkëshortit tim, as prindërve të mi apo prindërve të Gimit, nuk do t’u vijë turp kur të përmendet emri im.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.