Nuk dua të gërhas më!

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Kam një pyetje në lidhje me pensionin: Kush e përfiton pensionin e posaçëm? Kam gjyshin tim i cili është i interesuar për këtë lloj pensioni, ndaj ju pyes...

- Sipas ligjeve në fuqi, Instituti i Sigurimeve Shoqërore paraqet këtë informacion për pensionin e posaçëm. Pensioni i posaçëm shtetëror është një shtesë që jepet me Vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Baza ligjore: Neni 5, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; VKM nr. 429, datë 12.09.2002 “Për kushtet e përfitimit, shumën dhe procedurat e dhënies së pensioneve të posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore”. Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë ata persona që: Kanë marrë pjesë në lëvizjet popullore, në Luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta; kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës; kanë vuajtur nga persekutimi politik nën regjimin komunist. Dokumentacioni që ju duhet në këtë rast është: a) Kërkesa, propozimi për përfitimin ose shtesën e pensionit të posaçëm shtetëror, që bëhet nga: Personi i interesuar, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit; organizatat ose shoqatat, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit; Titullarët e ministrive, ku punon përfituesi përkatës; Kryeministri; Kryetari i Kuvendit; Presidenti i Republikës. b) Kërkesa duhet të përmbajë gjeneralitetet, emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen etj. dhe duhet të jetë e shoqëruar me dokumentet që vijojnë: Fotokopjen e letërnjoftimit elektronik ose certifikatën e gjendjes civile; Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore nëse merr pension dhe masën e pensionit; Vërtetim të KMCAP-it për personat e paaftë për punë; Kopjet e noterizuara të dokumenteve që vërtetojnë meritat e veçanta, si titujt, medaljet, urdhërat etj; Kopjen e noterizuar të Statusit të të përndjekurit politik. Masa e përfitimit: Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë personat e sipërpërmendur si shtesë mbi pensionin që u takon nga sigurimet shoqërore, ose si pension nëse nuk përfitojnë pension nga sigurimet shoqërore; Pensioni i posaçëm shtetëror nuk mund të jetë më i ulët se pensioni bazë dhe as më i lartë se dyfishi i pensionit bazë, të miratuar në momentin e lindjes së të drejtës; Shtesa e pensionit të posaçëm shtetëror mund të jetë deri në kufirin maksimal, me kusht që shuma e pensionit që i takon nga Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” me këtë shtesë të mos kalojë dyfishin e pensionit maksimal. Uroj t’ju kemi ndihmuar sadopak. Faleminderit.

- Jam një vajzë e fejuar dhe kam një problem që më shqetëson shumë. Unë gërhas shumë kur fle, megjithëse nuk di të kem probleme shëndetësore. Kjo gjë më vë shumë në siklet, sepse kam frikë se e shqetësoj të fejuarin tim, sado që ai hesht kur unë e pyes nëse kam gërhitur shumë apo jo. Ai më thotë që më dëgjon, por nuk ankohet. A shërohet gërhitja? Si i bëhet për ta shmangur këtë gjë?

- E nderuar lexuese, njeriu gërhet kur rrugët e frymëmarrjes janë të ngushta ose të bllokuara. Persona të ndryshëm kanë forma të ndryshme të këtij ngushtimi: Ngushtimi mund të jetë në hundë, gojë ose edhe në fyt. Gërhitjen mund ta shkaktojë edhe gjumi i keq ose anomalia e indeve të buta në fyt. Kur ne jemi në gjumë, pjesa e pasme e fytit nganjëherë ngushtohet dhe sasia e ajrit, duke kaluar nëpër këto hapje të vogla, mund të shkaktojë një dridhje të indeve përreth, gjë që shkakton tingujt e gërhitjes. Gjithashtu, gërhitja mund të ketë edhe shkaqe të tjera, siç janë: Rrufa, alergjia, mbipesha, alkooli, bajamet e mëdha, astma ose kur flemë në pozicione jo të mira. Veç kësaj, mendohet se personat e shëndoshë dhe me qafë të trashë, gërhijnë, ama mund të gërhijë edhe një person i dobët dhe me qafë të hollë. Çdo person mund të gërhijë, dikush më pak, dikush më shumë dhe në forma të ndryshme, por përgjithësisht, kjo është më e theksuar te moshat e vjetra dhe tek ata që janë mbipeshë. Një nga shkaqet më të përgjithshme të gërhitjes, është mosha ( pasi kemi arritur moshën e mesme, fyti bëhet më i ngushtë dhe tonet e muskujve të zërit, zvogëlohen).

- Po kështu, mënyra se si një person është i ndërtuar fizikisht, ndikon ndonjëherë te shfaqja e gërhitjes. Për shembull, burrat kanë një pasazh më të ngushtë të rrugëve të frymëmarrjes sesa gratë dhe për këtë, kanë më shumë gjasa të gërhijnë. Hunda dhe problemet me rrugët e frymëmarrjes mund të krijojnë një bllokim të tyre dhe kjo çon në vështirësi të frymëmarrjes, e cila krijon një vakum në fyt, duke shkaktuar kështu gërhitje. Alkooli, pirja e duhanit dhe disa medikamente të caktuara janë një nga shkaqet e gërhitjes.

Përsa i përket pyetjes a shërohet ose jo, për këtë merret mjekim, gjithmonë në varësi të gërhitjes dhe të shkakut të saj. Prandaj, hapi i parë që duhet të bëni është të shkoni te mjeku për të gjetur arsyet. Edhe pse pjesa më e madhe e rasteve të gërhitjes mund të shpjegohet pa pasur nevojë të shkosh te mjeku, ka disa raste që shfaqin probleme serioze mjekësore, siç është për shembull astma, alergjia apo përgjumja, ndaj nevojitet trajtim i veçantë nga mjeku.

Me pak fjalë, vizita te mjeku do t’ju sqaronte arsyen se pse ju gërhisni. Nëse keni devijim të murit ndarës në hundë, mjeku mund t’ju rekomandojnë kirurgji korrigjuese. Në qoftë se jeni mbipeshë, duhet të mbani dietë për të përmirësuar gjendjen tuaj në përgjithësi dhe për të eleminuar gërhitjen. Veç këtyre, do t’ju sugjeronim të mbani sa më të pastra rrugët e frymëmarrjes. Një kontroll të veçantë duhet t’i kushtoni edhe alergjisë. Nëse shikoni që është alergjia ajo që e shkakton gërhitjen, atëhere do të merrni mjekimin e duhur për këtë, duke u këshilluar gjithmonë me alergologun.

Valbona Vukulaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.