Ç’kuptimkaëndrraime?

Më vdiq vajza

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje! Jam Liljana. Kam parë në ëndërr sikur ika nga shtëpia e vajzës ( ajo është shtatzënë) dhe ajo nuk ishte në dijeni. Burri i saj po mundohej ta mbante që të mos e kuptonte se ika. Pastaj ajo doli në ballkon dhe më pa, nisi të vraponte drejt meje dhe u rrëzua nga shkalla. Burri i saj e mori në krahë dhe e ngjiti prapë lart. Unë e pashë nga larg që ajo vari kokën dhe krahët, sikur të kishte vdekur. Ju lutem, më ktheni përgjigje, se jam në merak për vajzën. Faleminderit. -

E dashur Liljana, nuk duhet të shqetësoheni, sepse në kushtet që është vajza juaj, është normale të shikoni ëndrra të tilla. Pastaj, çfarë mund të presësh nga një nënë që e mban mendjen gjithnjë te vajza e saj, siç bëni ju?! Vajza juaj është në një fazë që ka nevojë për mbështetje morale dhe jo vetëm, në situatën që është. Fakti që e keni parë të vdekur, tregon rilindje për vajzën tuaj dhe për ju. Vajza e ka jetën të gjatë dhe shëndet, ndaj reshtni së shqetësuari për të. I urojmë shtatzani të mbarë dhe shëndet. - Kam parë në ëndërr vëllain tim që flinte përmbys. Shkova ta shikoja afër dhe nuk ia shikoja dot fytyrën. Pranë tij ishte një qen shumë i madh, ndër- sa në gisht, kishte një unaze fejese, e cila ishte si e plasaritur. Më thoni, ju lutem, çfarë kuptimi ka? - Një pjesëtar i familjes i parë në ëndërr, ju pasqyron në njëfarë mënyre juve. Fjetja e tij përmbys ju paralajmëron se duhet të jeni më vigjilent dhe më i informuar. Mos i ktheni shpinën gjithçkaje, ndonjëherë duhet të përballeni dhe të merrni informacionin e duhur, pasi indiferenca mund të jetë në dëmin tuaj. Unaza e plasaritur tregon një lloj krisjeje në marrëdhënien tuaj private. Duhet të keni kujdes në ato çfarë bëni apo thoni sepse mund të ndikojnë për keq në marrëdhënien tuaj.

- Unë shikoj gjithmonë në ëndërr aktoren time të preferuar dhe më duket sikur e kam afër. A mund të më tregoni pse ndodh kështu gjithmonë, sikur kam një vegim?

- Një ëndërr e tillë është shumë e qartë, ju jeni i fiksuar kaq shumë pas kësaj aktores, sa jo në ëndërr do t’ju shfaqet, por ndonjë ditë mund të ndodhë që të keni haluçinacione edhe në rrugë... Bëj shaka... Ndonjëherë është mirë të punoni me veten tuaj që të mos shikoni ëndrra të tilla dhe të bëheni akoma më i fiksuar. Ajo është një aktore, ndoshta në realitet nuk do t’ju pëlqente kaq shumë sa ç’e pëlqeni kur e shikoni në një film sepse filmat i zbukurojnë personazhet. Ëndrra juaj, veç të tjerash, ju këshillon të qëndroni me këmbë në tokë dhe t’ia hidhni sytë ndonjë vajze apo shoqeje që e njihni realisht; do të ishte më mirë për ju. - Në ëndërr kam parë sikur u fejova. Pastaj pashë sikur po dilnim për herë të parë dhe po përgatitesha. Ndonëse ishte një i panjohur në ëndërr, nuk më dukej ashtu, edhe pse ndjeja një brengë brenda vetes. Ëndrrën e pashë sikur po dilnim natën... - Një ëndërr e tillë tregon që jeni në ankth për jetën tuaj private, nuk e dini se si do t’ju shkojnë punët dhe keni frikë për të ardhmen tuaj. Brenga që keni brenda vetes është një peng që ju ka ngelur nga e kaluara. Nata janë pikëpamjet tuaja për të ardhmen. Shumë të errëta i shikoni, përse kështu? Duhet të jeni më optimiste për veten. Në momentin që mendoni negativisht, negativitet do të tërhiqni drejt vetes. Duhet të jeni më pozitive ndaj jetës.

- Çfarë do të thotë të shikosh në ëndërr sikur flet për Perëndinë? Unë isha bashkë me një shokun tim dhe ai sikur po më predikonte. Unë, me tallje, i thoja që Zoti nuk ekziston dhe në ato momente, një forcë e fuqishme që nuk e di se nga mbiu, më ngriti përpjetë dhe mua sa s’më pushoi zemra. Më pas, poshtë një pemë m’u shfaq një person që ngjante si ata të budizmit dhe më qeshi. I tmerruar, u zgjova nga gjumi. Çfarë kuptimi ka, ju lutem? - Një ëndërr e tillë ka shumë kuptime. Në rastin konkret, paraqet dyshimet që keni ju për gjithçka që ju rrethon. Ju ka humbur besimi në çdo drejtim dhe mendoni se asgjë nuk është e vërtetë nëse nuk është e dukshme. Ndoshta ju bëni pjesë te personat paganë dhe forca që ju ka ngritur, është pikërisht ai besimi që ju e keni humbur. Pra, ekziston në të vërtetë Perëndia dhe ju duhet të keni besim në të. Buda që ju është shfaqur është përsëri një shenjë e Perëndisë dhe buzëqeshja është një ftesë për t’ju bërë të ditur se ekziston dhe nuk duhet të keni dyshim për këtë gjë. Duhet ta luftoni këtë lloj dyshimi që keni në vetvete dhe të keni më shumë besim. Do t’ju bëjë mirë tani dhe në të ardhmen tuaj. - Kam parë në ëndërr sikur hoqa një dhëmb shumë të prishur. Nuk ishte te dhëmbët e parë, por te të tjerët, brenda, i futur thellë. Nuk ndjeva dhembje, ama e dija që e kisha të infektuar dhe sikur po më dilte gjak. Shkova te doktori për t’u mjekuar dhe aty nuk ishte asnjë nga ata të shtëpisë time. Dua të di kuptimin e kësaj ëndrre... - Shpesh, dhëmbët përfaqësojnë pjesëtarët e familjes, por edhe vetë personin që e shikon këtë ëndërr. Duke qenë se ju nuk keni pasur dhimbje, do të thotë që keni hedhur pas krahëve një shqetësim që e keni pasur kohët e fundit. Edhe infeksioni dhe gjaku kanë të bëjnë me problemin që keni kaluar. Ky shqetësim ju ka prekur vetëm juve; familja juaj nuk di asgjë për këtë. Çdo gjë e keni kaluar tashmë dhe ditë më të mira ju presin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.