Mos është me depresion?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar doktor, jemi shumë të shqetësuar për vajzën tonë, e cila ditë pas dite po ndryshon pa na dhënë shpjegime se çfarë po ndodh me të. Ajo e ka humbur totalisht interesin mbi veten, nuk flet shumë, është tepër e mbyllur, nuk hapet as me njerëzit e shtëpisë, nuk ka as shumë shoqëri dhe është shumë pasive e indiferente qoftë edhe për gjëra të zakonshme të jetës së përditshme. Rri shumë në internet dhe thotë se nuk e kupton njeri. Sado që ne mundohemi t’i flasim dhe ta mbajmë afër, ajo nuk do të flasë e largohet. Ka disa momente kur flet për situata që ajo mendon se i ka kaluar kur në të vërtetë nuk i kanë ndodhur. Kur ne e kundërshtojmë, bindet se është ashtu si themi ne. Jemi të shqetësuar mbi gjendjen e saj dhe ju drejtohemi juve për të marrë një përgjigje të saktë mbi atë që ajo mund të ketë. Mos është me depresion? Ju lutemi të na ktheni përgjigje sa më shpejt. Punë të mbarë dhe faleminderit!

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: - Është e vështirë të japim një përgjigje aq të saktë siç e kërkojnë këto situata, për ta ditur nëse vajza juaj është me depresion, pa e vizituar dhe pa i bërë asaj testet e depresionit. Nodhin shumë “çudira” gjatë testimit, pasi na vijnë plot njerëz të cilëve u është mbushur mendja top se janë me depresion dhe mund të ndodhë që kanë mbetur pengje të fiksimeve, dëshirave të mëdha, ngjarjeve etj., por nuk kanë depresion, edhe pse qajnë me lotët rrëke për gjendjen e vet. Gjatë testimit, rezulton se mjaft prej tyre, edhe pse të axhituar, dukshëm me ankth e si të shkëputur nga realiteti, nuk janë në depresion klinik, por ose në gjendje ankthi, ose me obsesione, ose me depresione normale (reaguese) si rezultat i ndonjë ngjarjeje stresante, ose me sindroma të ndryshme si për shembull sindromi i “folesë boshe”, sindromi “bovarizëm” etj. Unë, që në fillim, jo vetëm nga shkenca, por edhe nga përvoja ime e gjatë, e kuptoj se s’mund të jetë me depresion një njeri aq i shqetësuar dhe i preokupuar për shëndetin apo për gjendjen e tij. Ai që e ka frikë vdekjen apo katastrofën, që mezi pret që të vijë te doktori e të gjejë zgjidhje, që është i interesuar t’i bëjë të gjitha “detyrat” që i japim ne, deri edhe të lërë drogën apo duhanin vetëm e vetëm që të shpëtojë nga ky lloj “mallkimi” i papritur, nuk është me depresion. E kundërta ndodh me ata që janë me depresion: Ata janë krejt të painteresuar e të pamotivuar, mezi çohen nga krevati e mezi vishen, s’u mjaftojnë fuqitë për punë, nuk kanë gjumë e as oreks, përtojnë të lahen, s’u pëlqen asgjë dhe e kanë humbur interesin për jetën e për njerëzit e tjerë, aq sa mendimin për vetëvrasje jo vetëm që nuk e kanë frikë, por madje, mund ta kenë edhe si një lloj “ngushëllimi”. Këtu qëndron edhe vështirësia se ata me depresion nuk janë bashkëpunues të mirë me ne doktorët, as nuk binden lehtë për ta “pranuar” depresionin dhe përgjithësisht, janë skeptikë, edhe pse u thuhet se depresioni futet te sëmundjet plotësisht të shërueshme. Edhe depresionet janë disa llojesh dhe format minore nuk kanë nevojë për psikiatër, por vetëm për terapitë e ëmbla si psikoterapi dhe ilaçe 100 % bimore. Edhe format e rënda të depresionit kanë nevojë për psikolog i cili bën atë që është më kryesorja: Njohja dhe bashkëjetesa me sëmundjen, bashkëpunim, pranimi me ndërhyrjen profesionale ( psikiatërpsikolog) si dhe ndryshimin në mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit.

Sa i përket vajzës suaj, të nderuar letërshkrues, ajo mund të jetë në një gjendje si në “botën” e vet, gjysëm të shkëputur nga realiteti, ndoshta edhe nën ndikimin e internetit, pasi ka plot raste kur njerëzve të obsesionuar me lloj-lloj çudirash, pak e nga pak, u duket sikur po shohin “ëndrra” me sy hapur, ndaj në këto raste do të duhet pikërisht psikoterapia, si një zmerile e lehtë e deri edhe si një “shok” psikologjik, për t’ua zgjuar e shkundur vetëdijen, duke i zbritur me këmbë në tokë. Ka shumë mundësi që vajza juaj të mos ketë depresion, përderisa interesohet kaq shumë për internetin. Tjetër punë është se sa i dëmshëm është në këtë rast interneti, si çdo gjë e tepruar, pasi siç kemi thënë shpesh, edhe e mira tepër, shpesh, kthehet në të keqen e së mirës. Niçe ka thënë se të metat tona janë sytë me të cilët ne “shohim” idealen.

Ka shumë rëndësi që të diagnostikohet saktë vajza juaj, pasi nëse ajo është me depresion, mundet që nuk na pret puna, pasi njeriu me depresion mund të bëjë edhe plane për vetëvrasje, por mund t’i mungojë guximi. Ka ndodhur që pikërisht mjekimi me barna ia ka kthyer këtë guxim të sëmurit dhe ai ka bërë hatanë, atëherë kur familjarët kanë kujtuar se u qetësua. Prandaj, jo vetëm që nuk duhet ta flemë mendjen e të bëjmë “urra” para kohe, por edhe të korrigjojmë ndonjë gabim njerëzor. Prandaj familjarët duhet t’i lexojnë fletët shoqëruese të barnave duke shmangur e refuzuar ata antidepresivë, te të cilët shkruhet: “Nuk u jepet atyre që kanë shfaqur mendime apo tendencë për vetëvrasje”. Mundet që vajza juaj ka ca sekrete pikëlluese të cilat nuk i ndan dot me ju, por edhe sikur ju vetë të ishit psikolog, a nuk thotë populli se ustai nuk e rregullon dot shtëpinë e vet?

Gjatë një bisede të shtruar me vajzën tuaj, ne do të hapnim dyer e dritare të “magazinave” të vetëdijes, për t’u ajrosur e sistemuar, gjë që do ta lehtësonte e çlironte shumë vajzën. Kjo vetëkuptohet se nuk arrihet vetëm me një seancë, porse edhe një seancë e vetme ka shumë rëndësi për të kuptuar se ku “fle lepuri”, pasi edhe në rastet kur deti duket i qetë nga sipër, kushedi se çfarë fsheh ai atje poshtë dhe këtë e “zbulon” vetëm ai “skafi nënujor” i psikoterapisë e psikoanalizës, të cilat unë preferoj t’i bëj të kombinuara. Dua t’ju jap edhe një lajm të mirë: Fakti që ajo bindet se nuk ka qenë në ato vende ku thotë se ka qenë, e përjashton skizofreninë sepse po të ishte ky një haluçinacion qoftë edhe i induktuar ( i sugjestionuar) apo i autosugjestionuar, as ne psikologët nuk e kundërshtojmë dot pa e “përpunuar” mirë sepse jo vetëm që nuk bindet, por edhe fyhet për mosbesimin. Besoj se me kaq u sqaruam. Faleminderit për letrën.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.