Mund të ekzistojë dashuria pa seksin?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I dashuri im thotë që dashuria lind kur kryen marrëdhënie seksuale. Unë, në fakt, e kundërshtoj. I them që një marrëdhënie dashurie mund të funksionojë shumë mirë edhe pa bërë seks. A është e vërtetë kjo?

Borana Marku, psikologe: - Së pari, duhet të dini që, thënë nga një mashkull kjo gjë ka kuptim, sepse meshkujt, pak ndryshe nga femrat, i japin një rëndësi shumë të madhe marrëdhënies seksuale, ndonjëherë edhe më shumë se vetë ndjenjës shpirtërore. Ndërsa femrat, marrëdhëniet seksuale, përgjithësisht, i konsumojnë pasi bien në dashuri. Dashuria është një ndjenjë e bukur, ndjenja më sublime që ka ekzistuar e do të ekzistojë nëpër kohëra. Ajo lind natyrshëm midis dy individëve që mund të kenë shumë gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin, fillon me një tërheqje fizike, që, duke u njohur më shumë me njëri-tjetrin, kthehet në pëlqim e më shumë se kaq. Për t’i ndjerë të gjitha këto, nuk janë domosdoshmërisht të nevojshme marrëdhëniet seksuale. Ato vijnë natyrshëm në një lidhje dashurie e me kalimin e kohës, bëhen një pjesë shumë e rëndësishme e funksionimit të kësaj lidhjeje, por në asnjë moment nuk janë primare. Dashuria, respekti, sinqeriteti, mirëkuptimi, toleranca e shumë faktorë të tjerë janë ata që ndikojnë në mbarëvajtjen e një lidhjeje. E tillë është edhe përputhja seksuale. Uroj që kjo përgjigje të jetë e kuptueshme për të dy ju.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.