Zbulohet një amfib vrasës gjigand

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Një amfib vrasës, me madhësinë e një makine, mbillte terror nëpër liqene dhe lumenj, në epokën e dinozaurëve. Ky amfib gjakatar, një kushëri i largët i salamandrave që jetojnë sot, zuri vendin e krokodilëve si një nga grabitqarët më të mëdhenj të Tokës, 200 milionë vjet më parë.

Mbetjet fosile të kësaj specieje, Metoposaurus algarvensis, janë zbuluar të varrosura në vendin ku dikur ndodhej një liqen i lashtë, në jug të Portugalisë, që mund të ketë qenë vendbanim i disa qindra krijesave. Një prej shkencëtarëve që bënë zbulimin, tha se “Ky amfib i ri duket si i dalë nga një film me përbindësha. Ai është i gjatë sa një makinë e vogël dhe ka qindra dhëmbë të mprehtë në kokën e tij të sheshtë, e cila duket si një kapak tualeti, kur dhëmbët e tij janë të mbyllur. Ishte ky, njëri prej grabitqarëve me të cilët janë përballur dinozaurët e parë kur i afroheshin shumë ujit, shumë kohë përpara se të vinin Tiranosaurus Rex dhe Brachiosaurus”. Familja e salamandrave gjigande, së cilës i përket Metoposaurusi, përfshin edhe specie të tjera të gjetura në disa vende të Afrikës, Europës, Indisë dhe Amerikës Veriore. Të gjitha u zhdukën me një zhdukje masive 201 milionë vjet më parë, shumë kohë para vdekjes së dinozaurëve. Ky eveniment shënon edhe fundin e Periudhës Triasike, kur të gjitha kontinentet ishin të bashkuar dhe filluan të ndaheshin. Gjatë kësaj kohe u zhdukën shumë grupe vertebrorësh, përfshi këtu amfibë gjigandë dhe u hap rruga që dinozaurët të përhapeshin në Tokë. Mendohet se amfibët e gjetur në Portugali kanë vdekur kur liqeni në të cilin ata banonin filloi të thahej. Deri tani është gërmuar vetëm një sipërfaqe prej 4m2 dhe punimet vazhdojnë për të zbuluar edhe fosile të tjera. “Shumica e amfibëve janë të vegjël dhe të padëmshëm, por në periudhën e Triasikut, këta amfibë gjigandë do t’i kenë bërë liqenet dhe lumenjtë një vend të frikshëm për të jetuar”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.