Ai më la. Si ta harroj?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam një vajzë që e lexoj rregullisht këtë rubrikë. Doja një këshillë, një mendim psikologjik a si ta shikoni ju të arsyeshme, për problemin tim. Kam qenë e dashuruar tashmë prej vitesh me djalin që kisha dhe papritur, çdo gjë u prish, megjithëse ishim gati të fejoheshim, se kishim 5 vjet të lidhur. Ai iku me një tjetër dhe më la. Më ka lënduar shumë, më ka shkatërruar shpirtërisht e psikologjikisht, por problemi është se e mbaj mendjen tek ai gjithë kohën. Pavarësisht se çfarë më ka bërë, nuk e harroj dot. Jam bërë si me fiksime dhe e ndjek edhe në Facebook e kudo, por theksoj që nuk ka kthim më mbrapa me atë person, pavarësisht se si ndihem unë. Ju lutem, më thoni, si të veproj, që ta harroj? Aq shumë jam lodhur, sa dua vetëm të fle gjumë dhe shoh që kam edhe dobësi fizike e shëndetësore...

Borana Marku psikologe: - E nderuar vajzë, e kuptoj shumë mirë gjendjen tuaj dhe mund t’ju them që në fillim që gjendja fizike e lodhur që e ndjeni vazhdimisht është një përgjigje e organizmit tuaj ndaj stresit që keni përjetuar pas ndarjes nga ky djalë. Ju vetë e theksoni që nuk doni të ktheheni më mbrapa me të, atëhere përse e torturoni veten duke e ndjekur në Facebook, apo në jetën reale? Gjëja e parë që duhet të bëni është ta hiqni nga miqtë e Facebookut dhe të fshini çdo kujtim me të. Sigurisht që harresa është një proces që kërkon kohë, nuk mund të realizohet me dëshirë apo brenda një minuti, për më tepër, kur lidhet me persona apo ngjarje që kanë pasur ndikim të madh në jetën e njeriut.

Unë ju këshilloj të kapni frenat e jetës suaj në dorë dhe ta riorganizoni jetën tuaj në atë mënyrë që të mos lini aspak hapësirë që të mendoni për të kaluarën tuaj, aq më tepër për një individ i cili ju ka shkaktuar këtë gjendje. Mendoni gjithë gjërat negative që ju ka bërë, shënojini në një letër dhe më së shumti, mendoni kohen e humbur me të. Keni për të parë që do të ndiheni më mirë dhe do të filloni jo ta urreni, por të ndjeni neveri për të. Punoni, studioni, ndiqni një sport apo aktivitet fizik që të humbisni mendjen dhe t’i shërbeni fizikut dhe shëndetit tuaj përgjithësisht, por veçanërisht, atij psikologjik. Gjithçka është e mundur; edhe harresa është e mundur. Ju, duke e pasur mendjen tek ai, humbisni rastet e njohjeve që mund të keni në këtë kohë që jeni e lirë. A nuk ju mjaftuan 5 vjet që ia kushtuat? Përse duhet t’i kushtoni edhe tani kohë nga koha juaj e cila është e vyer?! Kohën tuaj kushtojani vetëm vetes suaj, formimit tuaj, kohës së lirë, miqve, argëtimit dhe pse jo, një pune apo shkolle e cila ju ka ngelur peng. Kurrë nuk është vonë për të filluar nga e para. Duke e zënë kohën tuaj, duke jetuar të tashmen, investoni edhe për të ardhmen tuaj.

Nëse keni nevojë të qani, të flisni për të, ta diskutoni historinë me të, bëjeni këtë me personat më të afërt dhe keni për të parë se do të çliroheni. Duke folur për të shpesh, duke kujtuar dhe atë çfarë ju ka bërë, do filloni të ndjeni nevojen për të pasur diçka të re në krah. Në këtë mënyrë dhe pak nga pak, do të arrini të shëroheni nga ky lloj fiksimi të cilin e keni vetëm ju në dorë që ta largoni. Ju uroj që ta kaloni sa më shpejt dhe të na shkruani se tashmë jeni e lirë nga e kaluara dhe gati për të jetuar të tashmen. Gjithë të mirat!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.