Prindërit më shitën te maqedonasit!

Intervista - - FRONT PAGE -

Përshëndetje gazeta “Intervista”. Para se të filloj me dramën e jetës sime, ju falënderoj që na jepni mundësinë të rrëfejmë historinë tonë. Fatin tim nuk ia uroj askujt, as hasmit, kur i thonë. Po prezantohem me emrin Anxhela. Jam nga Përrenjasi, një qytet i vogël afër Librazhdit. Në atë kohë kur jeta ime do ndryshonte, isha vetëm 27 vjeçe. Në familjen time jemi shumë fëmijë dhe jemi rritur si të gjithë, me një mijë e një halle e probleme. Shkollën nuk e kam kryer për arsye ekonomike dhe isha më e vogla nga të pesë fëmijët. Jeta në Përrenjas nuk shtyhej, as punë, as zanat nuk mund të gjeja. Bëja punë shtëpie dhe shpresat i mbaja vetëm te një fat i mirë. Ëndërroja si çdo vajzë dhe me timen, u mundova të bëja pajën e shumë gjëra të tjera. Të gjitha shoqet e mia ndërkohë po fejoheshin një nga një, kurse mua s’po më dilte fati. Mosha po më ikte. Prindërit më kishin hyrë me shkues në disa vende, por për arsye të ndryshme, fejesat nuk u bënë. Unë nga ana ime nuk kisha asnjë difekt fizik, ose problem tjetër. Kur i thonë një fjale: çështje fati. Ndërkohë, kushtet ekonomike po na vrisnin dita-ditës, të afërmit i kishim jashtë dhe shikonin jetët e tyre, pa na ndihmuar neve këtej. Një ditë, ndalon një kamion i madh mallrash me targa maqedonase përpara shtëpisë sime (shtëpinë në Përrenjas e kemi shumë afër me rrugën kryesore). U futa menjëherë brenda në shtëpi dhe pashë e çuditur nga dritarja pas perdes. Në fillim, dolën dy burra barkmëdhenj nga makina dhe iu afruan shtëpisë sime. Më hyri frika deri në palcë. Thashë me vete: “Po këta ç’patën kështu? Mos vallë më panë që u futa menjëherë brenda dhe u bëra përshtypje? A ndofta u ofenduan dhe erdhën të pyesin pse reagova ashtu...”. Vetëm njëri prej tyre u afrua, ndërsa tjetri qëndroi pak më larg derës dhe filloi të thërriste:

-O Musaaa... O Musaaaa!

Në këtë moment, dola sepse isha vetëm në shtëpi, prindërit ishin në fushë duke punuar. - Kë kërkoni? - u thashë. - Mirëdita, jam Pano, - më tha, - kemi lënë një takim me babain tuaj. Ndodhet aty?

- Jo, - iu përgjigja unë e habitur, pasi nuk i kisha parë më parë.

- Okej, po e presim te lokali buzë rrugës. Nëse vjen më parë në shtëpi, i thuaj pak... - më tha dhe ata të dy u larguan.

U mbylla brenda dhe fillova të pyesja veten se përse e kërkonin babain tim ata persona, por nuk u kushtova shumë rëndësi, mbarova drekën e mora një sy gjumë. Kur u çova pak më vonë, pashë mamanë në shtëpi paksa të mërzitur, duke parë televizor.

- Ku është babi? - e pye

ta.

Mami: - Te lokali jashtë, aman virani... - Pse, çfarë ka ndodhur? - Asgjë bijë, asgjë, punë prodhimesh...

Mendova se kush e di çfarë pazari po bënte im atë për çmimin e perimeve të stinës dhe si gjithmonë, nuk po gjente një gjuhë komuni- kimi të përbashkët me maqedonasit, të cilët kërkojnë të blejnë lirë këtu dhe andej e shesin shtrenjtë. Nuk e dija që aty po bëhej pazari i jetës sime, po vulosej fati im, pa dijeninë time. Kam pasur gjithmonë besim te prindërit dhe isha shumë e sinqertë me familjen, por edhe si tip, nuk kisha bërë shumë në jetë me njerëz që t’i kuptoja mirë dhe nuk isha as e arsimuar, që të nuhasja situata të tilla në ajër. Më vonë, jeta me mësimin e saj, do të më bënte më të zgjuar, këtë që jam sot, që dita-ditës dëshpërohem dhe fle që në orën 8 të pasdites, duke e ngjyer jastëkun me lot... Erdhi babi në darkë në shtëpi, m’u duk i lumtur, fërkonte duart e i rrihte supet mamasë.

- Hë mo ba, ç’u bë? Kush ishin ata? – e pyeta unë.

- Asgjë, punë pune. - më tha mua dhe filloi të dërdëlliste nga dhoma tjetër në telefon. Nuk i dhashë shumë rëndësi dhe po u shërbeja darkën. Pashë pak televizor dhe u shtriva për të fjetur. Të nesërmen në mëngjes, dëgjova zhurma në shtëpi dhe zbrita poshtë në sallon. Pashë që kishin ardhur vëllezërit e mëdhenj, xhajat dhe një teze. U tremba me vete, thashë çfarë ka ndodhur dhe pashë prindërit menjëherë. Ata ishin shëndoshë e mirë, kështu që u qetësova, deri kur më thirri babai që të ulesha pranë tij. U ula dhe të gjithë sytë ishin nga unë.

- Do të të martojmë së shpejti! E kemi vendosur dhe ti nuk do ta bësh fjalën dysh. Rast më të mirë nuk ke ku gjen. - më tha.

- Çfarë? - mbeta gojëhapur.

- Do ta shohësh së shpejti...

Në këtë moment, u hodh vëllai i madh: - Do martohesh se mosha po të kalon dhe këta do vdesin, do mbetesh qyqe vetëm me shtëpinë!

Në ato moment unë u preva, shikoja mamanë, e cila nuk foli, iu mbushën sytë me lot dhe u zmbraps. E gjithë bota m’u përmbys, po më martonin me dikë që s’e dija kush ishte. Por kjo nuk ishte asgjë, pjesa më e fortë nuk kishte ardhur ende. Më ra si bombë kur babai më tha se burri im i ardhshëm do të ishte nga Maqedonia.

- Në asnjë mënyrë! Nuk e pranoj, pse nuk më the më para?! Mos ishte vallë dikush nga ata që të takuan ty dje? - i thashë me një frymë.

- Qetësohu, - më tha. - Kam menduar më të mirën për ty, për të ardhmen tënden. Nuk ke çfarë të bësh këtu. Më beso, asnjë nuk ta do të mirën sa unë.

U mërzita për ditë të tëra, por tek e fundit, nuk kisha çfarë të bëja. Ushqehesha nga ata, turp nga qyteti më vinte, ngaqë të gjithë po përflisnin se përse nuk po martohesha. Ç’faj kisha unë se të gjitha shoqet në moshën time ishin me fëmijë? U konsultova edhe me mamin dhe ajo ishte në një mendje me babin. Nuk kisha zgjidhje tjetër. Thashë “ta provoj, mbase ky ishte fati im”. Po të më pyesni tani për atë zgjedhje që bëra atë ditë, them se do të kisha preferuar të bëhesha murgeshë, ose t’i jepja tjetër drejtim jetës time. Vazhdoni të më lexoni e do të më jepni të drejtë, se shumë shpejt do hyja në portat e ferrit...

(

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.