Gjergji Bojaxhi: Kam frikë mamanë e Erionit...

Intervista - - AKTUALITET -

Zotin Gjergj Bojaxhiu e takuam në një qoshe të thellë të parkut të Dajtit, me një ipad në dorë e me shikimin nga kryeqyteti.

Kaso Kosa: - Si ndodhi që vendosët të kandidoni si i pavarur, kur pervojat 24 vjeçare kanë treguar se asnjë kandidat i pavarur nga partitë politike, nuk fiton?

Gjergji Bojaxhi: - Së pari dua të them se unë jam nga Berati dhe ne beratasit kemi treguar se edhe një kandidat i pavarur mund të fitojë, siç ndodhi me komunistin Maks Hasani, i cili fitoi i vetëm përballë të gjithëve. Por nuk është vetëm ky shkaku. Unë, para se të vendosja të kandidoja, bëra një autosondazh.

- Kujt i thonë autosondazh, se nuk po e kuptoj...

- Teknologjia moderne ma bën mua dhe cilitdo të mundur që të bëjmë sondazhe përmes Facebookut. Për shembull, zoti Berisha, përmes Facebookut ka vërtetuar se ka mbi një milion ndjekës. Edhe Basha ka mbi 800 mijë ndjekës. I thashë vetes: “Pse të mos e provoj të shoh se sa ndjekës kam në Tiranë?”. Dhe, hodha ne faqen time në Facebook një pyetje: “A jeni gati të më votoni mua si kandidat për kryetar bashkie në Tiranë?”. E dini se ç’ndodhi? Brenda një ore, më erdhën mbi 10 mijë miratime. Pas tri ditë sondazhesh, arrita në mbi 500 mijë votues. Në atë moment, mbylla sondazhin, sepse nuk kisha më nevojë për vota dhe shpalla kandidaturën.

- Po a e ke menduar se do të kesh kundra, edhe PS- në , edhe PD- në?

- Jo, nuk i kam kundra. Edi më përkrah se do t’i marr votat e së djathtës. Po kështu, edhe Berisha, sepse është i mërzitur me Lulin. Doktori, kur e mori vesh vendimin tim, më uroi: “Suksese Gjergj! Më bahet qejfi që e ke vu kandidaturën me u ba krytar bashkie për Tiranën. Mu më ke me vete. Unë e ti kena dy gjana të përbashkëta; unë kam ngjit Murin e Madh Kinez e ti ke ngjit majën e malit të Everestit në Himalaja. Ashtu siç ke njit atë majë, ke me marrë edhe fitoren e bashkisë. Për këtë më ke pranë në çdo moment”.

- Po sikur PD- ja të kandidojë Gridën, për të cilën Doktori ka dobësi?

- Kjo është e vërtetë. Doktori e do shumë Gridën, madje kur ajo i vete në zyrë, Doktori lë çdo punë dhe fillon e bën poezi, reciton, madje një ditë e dëgjuam që kishte marrë çiftelinë dhe po i këndonte një këngë që fliste për një vashë që kur delte ajo, fshihej hëna para saj edhe dimri bëhej maj. Por, nuk e do Luli, se e ka frikë mos i zë vendin...

- Luli i kundërvë Gridës Ristanin?

- Po, sepse do që ta heqë qafe si Sekretar të Përgjithshëm të partisë. Luli e di që Ristani nuk ka mbështetje në Tiranë dhe është tip trapi, ndaj është i sigurtë në humbjen e tij...

- Pse kështu? A nuk e vuri vetë Luli në postin e Sekretarit të Përgjiths

hëm?

- E vuri, por tani që kanë kaluar disa muaj, vë re që Ristani po kërkon t’i zërë vendin me marifete e intriga. Ka filluar të dalë çdo ditë në konferenca shtypi dhe pa pyetur Lulin, thotë ato që i ka thënë Doktori, por shton edhe ato që përjeton përmes gotës së rakisë, duke ulur në këtë mënyrë prestigjin e Lulit, duke ngritur të tijin. Pasi të dështojnë zgjedhjet lokale, Ristani e ka shumë të lehtë që tërë fajet t’ia hedhë Lulit dhe të dalë vetë në krye të partisë.

- Po Doktori, si e mendon këtë dualitet kandidatësh?

- Doktori po e lë Lulin të përplaset më strukturat e partisë dhe kur ta shikojë se nuk ka qullosur gjë, do vendosë vetë se cili duhet këtu e cili gjetkë. Për mua, ka rëndësi që e kam në krah në këto zgjedhje...

- Nuk mendoj se e keni Doktorin me vete sepse Zeni po ju sulmon ashpër, madje ka hyrë në lojë edhe Lorenci i bashkisë kundër

jush...

- Zenin e ka futur Doktori të më sulmojë sepse e di që Zenin dhe Argitën nuk i duan në Tiranë pasi për ta është hedhur shumë baltë nga kundërshtarët politikë të Berishës, ndaj duke më sulmuar mua Zeni, më jep pikë.

- Këto më duken si lojëra, të them të drejtën...

- Mos të të duken lojëra sepse politika, në fund të fundit, lojë është, por lojë me një llogari fine, si ajo që bën Doktori. Në fillim sulmon dhe të godet. Kur shikon se ai që është sulmuar, ka fituar simpatinë e masave, fillon përkrahjen në kohën e duhur.

- Flitet se kundër jush, nga koalicioni i majtë do jetë Erion Veliaj. Do ta mundni?

- Erionin nuk e kam frikë. Frikë kam mamanë e Erionit se ajo ka kursyer shumë para nga pensioni e do t’i harxhojë ato që i biri të fitojë...

- Një pyetje të fundit, ju lutem: A do të therni dash te porta e bashkisë nëse fitoni?

- Jo, se mua më zë gjaku edhe po të theret një pulë e jo më një dash, por do të vë një nga miqtë e mi të thyejë e të derdhë një shishe verë në pragun e derës së bashkisë, siç bëhet kur thyhet shishja e rakisë, në patkuan e kalit të nuses. E bukur si gjetje, apo jo?

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.