Bigu ta ndryshon jetën, për mirë ose për keq

Intervista - - BIG BROTHER -

Është e vërtetë! Ajo është shumë më ndryshe kur e takon në përditshmëri, sesa e kemi parë në shtëpinë Big. E qeshur, me humor, e këndshme, e thjeshtë dhe shumë e komunikueshme... një njeri i gjallë e jo pasiv, siç menduam ndërsa e shihnim nga ekrani. Kjo ishte vajza që takova në një bar në Tiranë, ku edhe bëmë intervistën, që më shumë sesa intervistë, ishte një bisedë e këndshme, që nuk mund ta bësh çdo herë, me këdo që interviston... ;)

Besarta Luga: - Jonida, si kanë kaluar këto ditë jashtë Big Brother?

Jonida Kaloshi: - Shumë mirë, po merrem me fansat dhe me njerëzit që më kanë mbështetur më shumë, ndërkohë që pres... Ishalla do të jenë më të mira ditët e tjera.

- Çfarë pret të vijë ndryshe në jetën tënde, falë kësaj eksperience?

- Ndonjë vend pune që të ketë lidhje me televizionin.

- Kjo ishte edhe arsyeja pse u fute në Big?

- Po, për të m’u hapur më shumë rrugë, për të patur një jetë më të mirë, sepse unë jam me mendimin që, po të futesh aty, jeta të merr ose për poshtë, ose për lart. Unë mendoj se deri tani më ka marrë për lart… (Buzëqesh)

- Je e kënaqur me paraqitjen tënde në atë shtëpi?

- Do të kisha dashur të zgjaste pak më shumë, por edhe deri tani, mirë. E rëndësishme është që nuk dola e para... (Buzëqesh)

- Deri ku do të doje të shkoje?

- Të paktën deri nga gjysma; një muaj e gjysëm të paktën...

- Do ta kishe përballuar dot? - Besoj se po, edhe pse kishte shumë presion, sepse të gjithë për një qëllim janë aty dhe njëri do të fitojë në fund.

- Ka ndonjë gjë për të cilën je penduar?

- E prisha në dy- tre momente, përsa i përket pëlqimit ndaj Fatjonit... Më kanë thënë që i kam ulur shumë pikë vetes me këtë gjë, ama një natë që kam folur me Fatjonin dhe ai më pyeti nëse isha e gatshme për një love story në shtëpi, unë i thashë: “Jo, kurrë! Unë di ta frenoj veten, di çfarë dua e çfarë nuk dua, kështu që këtu brenda, nuk bëhet fjalë...”.

- Pse jo? E kishe menduar mundësinë që mund të të pëlqente dikush aty e mund edhe të lidheshe me të?

- Që mund të më pëlqente dikush, normalisht po, sepse janë ndjenja e çfarë nuk ndodh, por e kisha vendosur që lidhje nuk do të kisha aty brenda sepse kam qenë unë që i kam paragjykuar në edicionet e kaluara ata që kanë patur lidhje brenda dhe sot, nuk dua të paragjykohem unë. Aty shihesh nga miliona njerëz dhe, nuk kanë pse ta dinë të tjerët se çfarë bën ti në jetën tënde. Pastaj, nuk doja të rrija aty brenda me mendimin: “Ta mbajmë Jonën, se kushedi çfarë do të ndodhë me filan person”. Doja që aq sa të rrija, sikur edhe një javë, të rrija për Jonën e për askënd tjetër.

- Ama, tashmë ekziston një çift brenda shtëpisë: Diedoni me Albën dhe ti ke qenë shumë e lidhur me ta. Ç’mendon për çiftin e tyre?

- Mua më pëlqen shumë. Shumë vetë më kanë thënë se nuk do të zgjasë, por unë jam e mendimit se është një ndjenjë shumë e pastër midis tyre. Të paktën unë që e kam parë brenda se si sillen, se si janë me njëri-tjetrin, kështu e mendoj. Një javë brenda në shtëpi është sa një muaj jashtë sepse rri 24 orë me një person dhe afeksionohesh. Do ta kenë pak të vështirë besoj jetën jashtë, se ai jeton në Prishtinë e ajo në Tiranë, por besoj se do të ecin shumë bashkë dhe janë shumë të mirë me njëri-tjetrin.

- Personi që kishe më afër... - Alba. - Çfarë të lidhte me të? - Nuk e di... Kam bërë çdo lloj bisede me të në lidhje me familjen, me jetën time jashtë, me shoqërinë dhe ishte i vetmi person që më kuptonte, ishim pak a shumë të njëjtët tipa... Ajo më thoshte se kur kishte patur moshën time kishte qenë si unë, kështu që mendoj se kur të jem edhe unë sa Alba, 25, do jem si ajo, vetëm se pa flokë të rruar dhe pa tatuazhe... (Qesh)

- Po familja, ishte e kënaqur me paraqitjen tënde?

- Po, edhe pse u mërzitën pak me atë punën e Fatjonit dhe për cigaren, se e pija shumë. Ah, po, më kanë thënë edhe se dukesha shumë e shëndoshë nga ekrani. Familjes i pëlqeu fakti që asnjëherë nuk u mora me thashetheme. - Po shoqëria? - Shoqëria më ka votuar e gjitha me dalë jashtë, ma kanë bo domin! (Qesh) Kur kam dalë atë natë i takova dhe më thanë: “Kur dole ti, të gjithë kemi duartrokitur”. Më morën direkt në telefon që të shkoja t’i takoja se të shtunave, ata mblidheshin të gjithë të më shihnin në një lokal... Një shoku im, më tha “unë kam votu për ty”. “Po, i thashë, njerëzit e mi ma paskan bërë golin mua?!”. Shoqëria ime më priste pak më ndryshe në shtëpi, siç jam në jetën e përditshme, që i bëj njerëzit për të qeshur, por...

- Çfarë të pengonte për të qenë kështu?

- Po ja... E mendoja gjatë të gjithë kohës se si dukesha jashtë, se mos thoja ndonjë fjalë gabim, që mund ta keqkuptonin njerëzit që më shihnin. Aty brenda ndihesh shumë nën presion...

- Çfarë e shkakton presionin?

- Kamerat, njerëzit që presin nga momenti në moment të thuash një gabim që të kapen dhe të bësh debat me ta.

- A doli shtëpia siç e prisje?

- Shtëpia vetë ishte shumë e bukur... Kishte ca gjëra aty që unë thoja “kur të dal, do t’i marr me vete, do t’i fus në valixhe”. ( Qesh) Jashtë shakasë, mendoja se nuk do të kishte aq shumë banorë të mëdhenj në moshë. Aty nuk ka limit moshe, por unë mendoja se nuk do të kishte më të mëdhenj se 30-35 vjeç. Në fakt, doli më ndryshe.

- Cili është personi me të cilin nuk doje të përballeshe asnjëherë e ta shmangie gjithë kohës brenda në shtëpi?

- Xhensila, nuk më ngjiste fare! Më dukej shumë mendjemadhe, kishte dalë Miss edhe yyyy kushedi çfarë ishte! Fliste vetëm për veshjet, fustanet, për 300 palët e këpucëve që kishte... “Ua lulet e mia, ua fustanet e mia...”. “vvorld peace” ( paqja në botë), me pak fjalë... (Qesh)

- Personi që ti mendon se mund të shkojë deri në fund dhe që do të fitojë?

- Zysha! Është goxha e

- Ti, ishe dakord me ikjen e Kikës?

- Po, sepse të vësh dorë, sidomos mbi një femër, është një gjë që nuk falet.

- Ishte e vërtetë se ia futi duart në fyt Albës, apo se thjesht e preku, siç pretendoi ai?

- Po, po, ia vuri duart në fyt. Kur u zunë, unë mendova se do të çohej e do ta shtynte me bark, si gjel, siç bënte ai, sinqerisht nuk më shkoi nëpër mend se do ta bënte atë. Pas kësaj, e kuptova që ndoshta nuk e duronte dot ambientin aty brenda... Ia kam thënë nja dy-tri herë që bëri gati valixhen: “Kur bën gati valixhen, ose ik, ose mos u merr fare me këtë punë”...

- Po personi më i çuditshëm?

- Kiki dhe Marina, që mundohet të imitojë shumë banorët e tjerë. Për shembull, fillonte bënte moderatoren, si Alba, gjë që nuk i shkon dhe thjesht fliste kot, se s’dinte ç’të bënte.

- Në fund, desha të di... Je e pakënaqur me ato që janë thënë për ty gjatë kohës që ishe brenda?

- Në disa raste, po... në disa raste, jo. Kam parë që kam më shumë fansa se të gjithë banorët e tjerë në shtëpi dhe mesazhet e komentet e tyre më bëjnë të ndjehem shumë mirë, gjë që nuk e mendoja. Mendoja se do të më shanin shumë, por shumë pak ka nga këto komente... Jam shumë e kënaqur. Në fund, mund të them se, në tërësi ishte një eksperiencë e bukur, që jo çdo njeri e provon.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.