Jemi të papunë. Përfitojmë kompensim nga rritja e energjisë?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam një emigrant i kthyer nga Greqia, duke qenë se mbeta i papunë dhe nuk kisha mundësi të qëndroja. Të dy prindërit i kam në pension dhe së bashku me bashkëshorten, jetojmë në një banesë me ta. E paguajmë rregullisht energjinë elektrike. Përveç pensionit të prindërve, nuk kemi asnjë të ardhur tjetër. Desha të informohem: A përfitojmë kompensim nga rritja e çmimit të energjisë elektrike? Sa është masa e pagesës, ç’dokumente duhet të dorëzojmë dhe ku duhet t’i dorëzojmë?

- I nderuar letërshkrues, përsa kërkoni në letrën tuaj, sqarojmë sa më poshtë: Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 8 datë 14.01.2015, “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, për efekt të heqjes së fashës të konsumit të energjisë elektrike deri në 300 kvv në muaj”, ky kompensim jepet për:

a) familjet, që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP- it, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;

b) kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror e pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;

c) kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;

ç) familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 000 ( tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar; d) të verbrit; dh) personat paraplegjikë e tetraplegjikë.

- Duke patur parasysh kërkesën tuaj, bazuar në germën “c”, nisur nga deklarimet që bëni, përfitoni shtesën për efekt të heqjes së fashës së konsumit të enegjisë elektrike deri 300 kvv. Sipas ven- dimit të mësipërm, masa e kompensimit për çdo përfitues ( familje), është 648 lekë në muaj. Bazuar në Udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë nr. 1 datë 02.02.2015 në kapitullin II këtij udhëzimi, është përcaktuar modulari përkatës Aneks 2, i cili tërhiqet nga Agjencitë e Sigurimeve Shoqërore, i cili plotësohet sipas rubrikave përkatëse, me përbërjen familjare dhe lidhjet me kryefamiljarin, si dhe nënshkruhet nën përgjegjësinë e kryefamiljarit. Ky modular, shoqërohet edhe me dokumente të tjerë si: 1. Fotokopje e nënshkruar e kartës së identitetit. 2. Certifikatë familjare. 3. Për anëtarët madhorë të familjes, vërtetim nga zyra e punës, që janë punëkërkues të papunë. 4. Fotokopje e librezës së energjisë që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara. Pagesa për këtë kompemsim është në masën 648 lekë dhe realizohet nga qendra e pagesës së pensioneve. Ky kompensim fillon nga data 01.01.2015 dhe afati i dorëzimit të këtyre dokumenteve është shtyrë deri më datë 30.06.2015. Në rast se kërkesa paraqitet mbas kësaj date, e drejta e kompensimit fillon nga data e paraqitjes së dokumentacionit. Nisur nga sa më sipër, në rast se ende nuk jeni regjistruar në zyrat e punës së bashku me bashkëshorten, si të papunë, duhet të shkoni dhe të bëni regjistrimin përkatës, në mënyrë që të kompletoni dokumentacionin e kërkuar me vërtetimin e lëshuar nga zyra e punës. Ju falënderoj për besimin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.