Ndihem i nënvlerësuar

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje doktoreshë Valentina. Ju shkruaj sepse kam çrregullim të ritmit të zemrës. Veç kësaj, djersitem, kam humbje të kontrollit, marramendje dhe të vjella. Para një viti kur u vizitova më thanë që kam çrregullime të ankthit. Kam patur probleme me shoqërinë time para ca kohësh dhe që nga ajo kohë, më ndodhi kjo gjë. Ndihesha i pavlerësuar dhe iu largova shumë. Kam komplekse sepse ata janë më të pasur se unë, janë me mastera dhe universitete të mira. Unë s’kam pasur mundësi t’i ndjek këto gjëra dhe sa herë ulesha me ta, ndihesha i nënvlerësuar sepse më dukej sikur më tallnin. Jam 26 vjeç dhe tani jam mbyllur në vetvete, ama kjo gjë po më shkatërron nga nervat. Gjumi më ka ikur fare, nuk fle dot, nuk ha dot, më duket sikur kam lindur kot në këtë botë dhe ndonjëherë më vjen të vras veten. Ju lutem, më tregoni ndonjë mjekim, si të veproj dhe si ta quaj këtë problem timin?

Dr. Valentina Qemalli (Asabella), psikiatre: - Përshëndetje, i nderuar 26 vjeçar! Duhet t’ju them që çrregullimi i ankthit është një sëmundje që duhet trajtuar, pasi siç edhe ju e shihni, fillon me simptoma të lehta të cilat, kur nuk trajtohen, vijnë duke u rënduar. Po kështu, duhet të trajtohet në radhë të parë gjumi, si dhe mënyra e të ushqyerit, pasi këta janë faktorë që favorizojnë ankthin dhe në disa raste, janë shkak për fillimin e ankthit. Ju mund ta filloni me ushtrime relaksuese, një prej të cilëve është numërimi deri në 100, kur bini në shtrat. Në këtë mënyrë, largoni mendimet negative, që janë shkaktarë të pagjumësisë.

- Do t’ju thoja se për të qenë me vlera, nuk është kusht masteri apo doktoratura! Shoqëria të vlerëson për atë çka je dhe jam e sigurt që edhe juve ju vlerësojnë, përderisa ju mbajnë në grupin e tyre. Jeni vetëm 26 vjeç dhe keni shumë për të bërë në jetën tuaj. Mendoj se duhet të lidheni me një terapist pasi duhet punuar me ju për të rritur vetëvlerësimin. Përpiquni të dilni, pasi ambientet e mbyllura ju shtojnë ankthin, evitoni përdorimin e nikotinës, kafeinës, alkoolit dhe pijeve energjike. Nuk mund t’ju rekomandoj medikamente në distancë sepse kjo do të ishte e dëmshme për ju.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.