Më kujtohet ajo që i bëra vjehrrës...

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar Jashar Demiri, jam 24 vjeçe dhe ju përcjell përshëndetjet e mia më të sinqerta, sepse i ndjek gjithmonë përgjigjet tuaja. Problemi im është se jam martuar 18 vjeçe dhe pas martese erdha të jetoja në Austri me burrin dhe prindërit e tij. Nëna e burrit ishte e sëmurë, nuk dinte që kishte sëmundjen alzheimer dhe mua më lanë të kujdesesha për të. U kujdesa për të edhe pse ishte e vështirë për mua, por pas një viti më ndodhi që e lëndova padashje vjehrrën në kokë. Isha shtatzënë dhe nuk i tregova kujt që e kisha lënduar. Pasi linda vajzën, u kujdesa për nënën e burrit derisa vajza u bë 8 muajshe. Vjehrri im më pas kërkoi pension nga shteti se e pa edhe vetë që e kisha të vështirë të kujdesesha për gruan e tij se kisha edhe vajzën e vogël dhe vajza ishte shumë nervoze. E rrihja vajzën dhe pendohem për këto gjëra që kam bërë, sepse i kam bërë pa qëllim. Më pas, pediatri më tha se vajza duhej operuar, një operacion i vogël. U frikësova shumë dhe e mbaja shumë afër, më pas më kujtohej ajo që kisha bërë vjehrrës dhe fillova ta vuaja, kisha frikë se po çmendesha dhe u vizitova te një psikiatër në Austri. Ai më tha se vuaja nga depresioni. Më dha ilaçe, por i ndërpreva, se kishin efekte anësore. Më tha të shtrohesha në spital psikiatrik, por unë nuk kisha fuqi të shkoja dhe e ndërpreva terapinë. Tani nuk e di çfarë do të ndodhë. Kam mendime negative, nuk mund të jetoj e qetë, jam shumë nervoze. Kur dal jashtë, më duket krejt ndryshe, por përsëri kam frikë se kam nisur të çmendem. Nuk e di çfarë kam, tërbohem shumë dhe jam e mërzitur. Nuk gjej kënaqësi në asgjë dhe sa herë shikoj ndonjë të sëmurë psikikisht, them “do të bëhem edhe unë ashtu”. M’u duk sikur një moment më iku, por m’u kthye përsëri kjo gjendje. Nuk di çfarë të bëj. Më ndihmoni, ju lutem. Pres përgjigjen tuaj me padurim. Jam gjithashtu shumë e zbehtë e të gjithë më thonë se mund të jem sëmurë...

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: -E nderuara letërshkruese, e lexova me vëmendje letrën tuaj dhe po ju sqaroj si më poshtë: Ankthi e depresioni janë mjaft të lidhura e bashkëveprojnë, por ka një ndryshim të madh nëse parësor është ankthi apo depresioni. Nëse ankthi është parësor dhe prej tij buron depresioni, ky lloj depresioni nuk është sëmundje sepse nuk është klinik, pra, nuk është pa- tologjik, pasi vetë ankthi nga i cili buron ky, nuk është sëmundje. Me pak fjalë, është gati i njëjtë me depresionin, që ka lidhje me një ngjarje stresante. Ky lloj depresioni nuk është sëmundje, por depresion normal, i cili kalon me kalimin e gjendjes ankthioze, prandaj edhe quhet depresion reagues ose reaktiv. E përsërisim, nuk ka person që të mos ketë provuar në jetën e vet gjendje të ndryshme ankthi, por ankthioziteti s’të çon në sëmundje dhe simptomat e tij nuk janë simptoma sëmundjesh, por çrregullime ankthi, edhe pse janë mjaft pikëlluese e sikur ta nxijnë jetën sepse ke marramendje ekstreme, errësim të syve, ide paralizimi, rrahje të shpejta të zemrës, ndjesi mbytjeje etj. Një ndër simptomat e këtij ankthi është edhe mërzitja e thellë, e beftë, gati si pa shkak ose frika nga çmendja, por shkak i së cilës është vetë ankthi, ndaj edhe përjashtohen çmenduria apo depresioni. Kur njeriu është me ankth, përjashtohen sëmundjet e zemrës e të mushkërisë, edhe pse ato bëjnë ca imitime nga të cilat mund të vihen në dyshim edhe doktorët. Duket sikur zemra po del nga vendi, sikur po mbytesh, por përjashtohet skizofrenia, ashtu siç përjashtohet edhe ataku i zemrës, rënia të fikët apo humbja e kontrollit, si edhe ai meraku se “mos ma dallojnë të tjerët gjendjen time”. Në këto raste, frika për sëmundje është e madhe, ndaj shpesh ndodh që ankthiozët, tepër të trishtuar, trokasin nga njëri doktor te tjetri, por sëmundje nuk gjejnë dhe në vend që të gëzohen që nuk kanë sëmundje, ndodh që shqetë- sohen sepse nuk po u “gjendet” sëmundja. Me pak fjalë, ata janë të bindur se janë të “sëmurë”. Problemi mund të ndërlikohet edhe më shumë kur ata futen që të lexojnë në internet dhe “gërmojnë” aty për ca sëmundje që s’kanë lidhje me ta, si skizofrenia, depresioni etj. dhe u duket sikur vetë ata i kanë ato simptoma, të cilat në ca raste edhe përngjajnë jo pak, ndaj edhe njeriu, qoftë edhe mjeku më i mirë, nuk lejohet të vetëdiagnostikohet, pasi mund të kalojë në hipokondriazë.

Gjendjet ankthioze, siç thamë, janë të sikletshme dhe nuk kalojnë aq shpejt sa duan njerëzit, por është lajm i mirë se ato janë 100 % të trajtueshme me psikoterapi dhe ilaçe 100 % bimore, ndërsa kimikatet mund të jepen vetëm kur ankthi është pikëllues (i padurueshëm) dhe klienti i panikuar rëndë, kërkon të shkojë në urgjencë. Edhe urgjenca për këtë punë është, por këtu te ne urgjencat bëjnë “heroin” sikur të shpëtuan jetën, edhe pse vetëm të bëjnë një injeksion me lorazepam e ca glukozë (në rolin e ushqimit). Në mjaft raste, urgjencat tona, me kujdesin e “tepruar” dhe me ca “këshilla” pa bazë shkencore, kanë krijuar te klienti varësi nga urgjenca, deri edhe jatrogjeni, që do të thotë, frikë që e krijon vetë mjeku, te klienti tepër i trembur e i mbindjeshëm që rri e “përgjon” çdo fjalë të dyshuar apo me dy kuptime, për t’u quajtur “tepër sëmurë”.

Tani le të marrim rastin tjetër, kur parësor është depresioni sepse me sa duket, bazuar nga vizita juaj në Austri, ky mund të jetë edhe rasti juaj. Në këtë rast, nga ky depresion buron ankthi i madh, ndoshta edhe mbytës e shumë pikëllues. Këtu po, kemi të bëjmë me sëmundje, pasi parësor është depresioni klinik, porse gjithsesi në kushtet e sotme edhe ai quhet si ndonjë “grip” shpirtëror dhe futet te sëmundjet plotësisht të shërueshme, veçse zgjat jo pak e kërkon edhe mjekim mbajtës, nuk mjafton vetëm psikoterapia. Kjo është arsyeja se pse, pasi i diagnostikoj klientët, unë mbaj e trajtoj me sukses ata të cilët kanë ankth të “pastër”, edhe pse e kanë atë të shoqëruar me dhimbje të ndryshme psikosomatike (fallco) dhe me depresion reagues. Në rastet kur depresioni është parësor, duhet patjetër trajtimi nga psikiatri, me mjekim të gjatë shërues e mbajtës, edhe kur duket se u shërua se, ja ç’bëri ai piloti gjerman me depresion gjasme të shëruar. Pra, krahas seancave për pranimin e gjendjes, duhet edhe psikoterapi apo fitoterapi (ilaçe antidepresive bimore), edhe farmakoterapi. Fitoterapia duhet për të lehtësuar gjendjen me sa të jetë e mundur dhe për ta siguruar klientin se nuk ka probleme të tjera, pra, nuk mund të çmendet kurrsesi se nuk ka bazë gjenetike, se e ka kaluar moshën e pjekurisë seksuale etj., pra, i sjell atij lehtësime shumë të mëdha duke përjashtuar morinë e supozimeve pa baza shkencore. Ndaj, e nderuara letërshkruese, ju nuk duhej të shkonit te psikiatri, pa vajtur më parë te psikologu. Në rastin tuaj, mendoj se barnat që ju ka dhënë psikiatri (fluxetin) janë të sakta, por ju ka munguar psikologu. Me respekt.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.