Nuk na e ngjalli babain, siç na premtoi…

Intervista - - FAQE 1 -

Përshëndetje! Jam Ela. Sot vendosa si shumë miq të kësaj gazete, të bëhem pjesë e historive nga jeta pikërisht këtu në gazetën tuaj. Historia ime ka të bëjë me një dhembje të dyfishtë që po më shkatërron shpirtin. Uroj që vëllai im ta lexojë ngjarjen që po shkruaj dhe të reflektojë për dhembjen që na shkaktoi mua, nënës dhe gjithë njerëzve tanë më të dashur. Para njëzet vjetësh mua më vdiq im atë, në një aksident rrugor. Ditën që ndodhi aksidenti, ai ishte nisur për në Greqi. Unë dhe vëllai ishim të vegjël, ai dhjetë vjeç, ndërsa unë shtatë vjeçe. Vetëm një gjë nuk arrij të kuptoj: Pse Zoti na i merr njerëzit më të mirë që mund të ekzistojnë në këtë botë? Jo se ai ishte babai im, po këtë e thonë gjithë njerëzit e familjes, shoqëria dhe kolegët e punës që e kanë njohur nga afër. Dhembja për vdekjen e tim eti ishte e papërshkrueshme. Pikërisht atë ditë, nëna i kërkoi vëllait që të betohej mbi trupin e babait tonë se kur të martohej, nëse do bëhej me djalë, ai do të ngjallte emrin e babait tonë. Genci, edhe pse i vogël, e bëri betimin pa ia kthyer fjalën nënës. Ai atëherë nuk i kuptonte gjërat. Ai ishte i mpirë ashtu si dhe unë, por betimi që bëri vëllai, na krijonte një shpresë sikur me lindjen e një djali në familjen tonë, do na rikthehej njeriu ynë më i dashur, që e humbëm në atë aksident tragjik. Mbas vdekjes së babait, të gjithë e ndihmuan nënën tonë që ajo të mos shkonte në punë, por vetëm të na përkushtohej neve, të na rriste me gjithë të mirat. Ne kishim shtatë halla dhe asnjë xhaxha. Hallat ishin ato që investuan që ne të rriteshim pa na munguar asgjë. Ato na donin shumë e veçanërisht Gencin, e shikonin si dritën e syve. “Ti do na ngjallësh vëllanë”, i thoshin ato gjithmonë. Ne u rritëm në unitet me gjithë fisin, kushërinjtë na u bënë krah dhe mundoheshin të na e lehtësonin dhembjen. Djemtë e hallave ishin më të mëdhenj se ne, ata emigruan dhe na dërgonin lek që ne të mos e ndjenim krizën ekonomike. Nga kjo anë, falënderoj Zotin dhe të gjithë njerëzit e mi, që na u bënë krah që ne të rriteshim pa strese.

Kur Genci u bë njëzet vjeç, shkoi në emigracion te kushërinjtë në Gjermani. Ata e ndihmuan shumë duke i gjetur një punë dhe duke bërë të pamundurën për t’i bërë dokumentet. Por, ash- tu siç e dini edhe ju, për të bërë dokumentet në Gjermani është shumë e vështirë, kishin kaluar tre vjet dhe Genci nuk kishte ardhur asnjëherë në Shqipëri. Mamin e kishte marrë shumë malli dhe mua, gjithashtu. E vetmja mënyrë që i kishte mbetur atij për të bërë dokumentet, ishte të martohej me një gjermane. Këtë problem ia zgjidhën kushërinjtë, duke i gjetur një vajzë shtatë vjet më të madhe se ai, vetëm për të rregulluar dokumentet. Ata kishin bërë një pakt me vajzën se do t’i jepnin një shumë lekësh, në këmbim të kësaj martese fallco. Jo pa qëllim, kushërinjtë e mi e kishin gjetur vajzën më të madhe se Genci, në mënyrë që ai të mos tërhiqej prej saj, por ajo që nuk duhet të ndodhte, ndodhi. Vazja gjermane e gjeti Gencin djalë naiv e të parrahur nga jeta dhe e manipuloi duke bërë që ai të binte në dashuri me të. Iu desh që të vinin të dy në Shqipëri për të bërë celebrimin. Unë dhe nëna u gëzuam shumë e i pritëm të dy. Ajo ishte një vajzë e shëndoshë dhe bionde, me Gencin dukeshin si dita me natën, po ç’rëndësi kishte? Ai vetëm për dokumentet e donte dhe neve as që na shkonte në mendje se midis tyre mund të kishte një lidhje intime.

Por fatkeqësisht, gjërat nuk ishin ashtu siç ne e mendonim. Ashtu si pa dashje unë një ditë zbulova se midis tyre kishte më shumë se kaq. Të dy ata ishin në dhomën time, ajo kishte lënë pak derën hapur dhe unë pashë se ata po putheshin si dy të dashuruar. Në ato momente, nuk e doja më veten, mjekra po më dridhej dhe sytë më ishin mbushur me lot, nuk e dija se si do t’ia thoja një gjë të tillë nënës. Edhe dy ditë kishin mbetur dhe ata do të niseshin për në Gjermani. Pa i treguar mamit, bisedova me Gencin dhe ai, pa iu dridhur qerpiku, e pranoi se e donte atë vajzë dhe se martesa e tyre ishte tepër serioze. Mua sa nuk më iku mendja, po më e madhja ndodhi kur e mori vesh mami. Ajo, me lot në sy, i tha Gencit: “Mos harro se më ke bërë një premtim dhe ishte premtim që e bëre para trupit të babait”.

Ne diskutonim dhe gjermania nuk po kuptonte asnjë gjë. Atë ditë, Genci, i revoltuar, mori valixhet dhe shkoi në hotel. Atë natë, pas shumë vitesh, u duk sikur në familjen tonë ndodhi një fatkeqësi e dytë. Ai iku dhe prej asaj dite, nuk patëm më kontakte me të, kushërinjtë i kishin folur duke e kërcënuar se nëse nuk do të na fliste neve, ata nuk do ta ndihmonin më dhe as që nuk do ...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.